Ushqim

Konsumimi i mishit të të imtave, shqiptarët kryesojnë rajonin

Nga Gazeta Si- Në Shqipëri mishi i gjedhit është më i konsumuari, i ndjekur nga shpendët, mishi i deles dhe i dhisë. Në Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje Hercegovinë, shpendët zënë 50% të mishit të konsumuar.

Për Serbinë dhe Malin e Zi, mishi i derrit zë rreth 60 për qind të totalit të mishit të konsumuar për frymë, e ndjekur nga shpendët që përbëjnë 21 për qind dhe më pas mishi i gjedhit.

Një studim i kryer nga FAO vë në dukje se numri i të imtave ka ardhur në rënie në Ballkan. Shqipëria, si vendi me numrin më të madh të të imtave në Rajon ka shënuar rënien më të madhe sidomos të deleve nga 1.97 milion krerë në 2016 në 1.48 milionë me 2021. Në të njëjtën periudhë, popullata e deleve në Serbi mbeti konstante, në rreth 1.7 milionë.

Në studim vihet re se prodhimi i mishit nga të imtat janë rritur në mënyrë të vazhdueshme në Shqipëri gjatë dekadës së fundit. Kjo është nxitur kryesisht nga një rritje e kërkesës lokale, veçanërisht me zhvillimin e sektorit të agroturizmit.

Megjithatë, ndërkohë që numri i të imtave ka rënë me shpejtësi vitet e fundit, kjo ndikoi edhe në prodhimin e mishit, i cili në vitin 2020 shfaqi një rënie të konsiderueshme krahasuar me 2018.

Në vitin 2018 prodhimi i mishit të deleve dhe dhive në Shqipëri ishte 18 800 ton dhe 12 600 ton, respektivisht, që në vitin 2020 ra në 15 500 ton dhe 8 100 ton (rënie prej 17.5 për qind dhe 35 për qind).

Shqipëria ka nivelin më të lartë të konsumit të mishit të deles dhe dhisë për frymë në Rajon dhe vjen ndër të parat në rang global (shiko grafikun e mëposhtëm, sipas të dhënave që burojnë nga metodologjia e konsumit që Organizata botërore e Ushqimit dhe Bujqësisë së Kombeve të Bashkuara (FAO).

Të dhënat që u referuan nga një studim i FAO-s për blegtorinë në Rajon tregojnë se një shqiptar konsumoi mesatarisht 8.68 kilogram mish dele dhe dhie në vit më 2020.

Konsumi në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Maqedoninë e Veriut ishte ndër më të ulëtit me mesatarisht 0.61 kg dhe 0.7 kg/frymë në vit, respektivisht, edhe më e ulët se mesatarja globale prej 1.99 kg/ frymë. Serbia dhe Mali i Zi kanë një konsum modest prej 3,3 kg dhe 2,38 kg/ për frymë në vit, secila.

Bosnja dhe Hercegovina ishte importuesi më i madh i të imtave të gjalla, ndërsa Serbia dhe Mali i Zi ishin importuesit më të mëdhenj të mishit të deleve dhe dhive.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë