Teknologji dhe Inovacion

Sa të ngjashme janë Chatbot-et me njerëzit?

Chatbot-et janë në qendër të vëmendjes kohët e fundit pasi një inxhinier i Google tha se sistemi i avancuar është bërë më i ndjeshëm dhe çdo herë e më shumë po u ngjan njerëzve.

E thënë thjeshtë, një chatbot është një program kompjuterik i krijuar qëllimisht për të imituar dhe për t’iu përgjigjur të folurit njerëzor.

Tani asistentët virtualë inteligjentë gjenden kudo.

Nga Alexa e Amazon, tek Siri i Apple, ose uebsajti i një shitësi me pakicë, rreth 80% prej nesh tani përdorin chatbot, pavarësisht nëse na përgjigjen verbalisht ose përmes tekstit të shkruar.

Në fakt, chatbot-et tani thuhet se janë mënyra me rritjen më të shpejtë në të cilën markat komunikojnë me klientët e tyre.

Sabina Goranova, një studente në Universitetin e York-ut në Toronto, Kanada, është shembulli konkret që tregon se njerëzit e përdorin chatbot në përditshmërinë e tyre.

Së pari, ajo ka Alexa-n në shtëpi, plus ajo konsultohet me sistemin Savy të universitetit të saj, nëpërmjet telefonit të saj celular, për të gjetur informacionin e kërkuar.

Savy u krijua për York-un dhe studentët e tij. Ai mund t'u përgjigjet shpejt pyetjeve për gjithçka, nga këshillat specifike të karrierës deri te menutë e përditshme të drekës.

"Unë e vlerësoj komoditetin e chatbots", thotë Goranova.

"Unë kam përdorur tashmë Alexa për të kursyer kohë, kështu që Savy është një tjetër mjet në jetën time".

Guillaume Laporte është shefi ekzekutiv i firmës franceze të chatbot-it Mindsay, e cila tani është pjesë e inteligjencës artificiale kineze (AI) dhe kompanisë inteligjente të asistentëve virtualë Laiye. Klientët e saj përfshijnë të gjithë nga Nike në Walmart dhe firmën e trenave në Mbretërinë e Bashkuar, Avanti.

"Chatbots kanë filluar të imitojnë sjelljen e vërtetë njerëzore, por në thelb janë robotët", thotë ai.

Laporte shton se chatbot-et tani janë "10 herë më të mirë se sa ishin 10 vjet më parë" dhe se pas programimit fillestar, dhe më pas duke përdorur mësimin e makinerive dhe inteligjencën artificiale (AI), ata mund të mësojnë dhe kuptojnë atë që përdoruesi po thotë ose po shkruan dhe kështu e dinë se si të përgjigjen.

Megjithatë, ai paralajmëron se chatbot-et në mbarë industrinë nuk janë ende perfekte dhe se ende duhet ndihma e njerëzve.

"Shkalla e të kuptuarit ndryshon midis kompanive të ndryshme dhe industrive të ndryshme”.

Jim Smith, profesor në inteligjencën artificiale interaktive, në Universitetin e Anglisë, është një ekspert në chatbots.

Ai shpjegon se kur bëhet fjalë për aftësinë e tyre për t'u dukur si njeri, është e rëndësishme "të bëhet dallimi midis atyre të orientuar drejt detyrave që ofrojnë një shërbim, dhe atyre që pritet të kenë një bisedë më të gjerë rreth gjërave".

“Të parët janë më të përdorurit dhe mund të funksionojnë shumë mirë”, shton ai.

Nëse ata janë në një telefonatë dhe e dinë llojin e pyetjes që do t’u bëhet, mund të arrijnë nivelin e shërbimit të njerëzve.

“Dhe ndoshta është e rëndësishme, për hir të transparencës, që ti bëhet e qartë telefonuesit se ai ose ajo nuk po flet me një njeri”, thotë Smith.

Chatbot-et mund të duken bindës deri më tani por nuk dihet se si do të vijojnë më tej.

"Dhe në fund të fundit, nëse sistemet bëhen shumë të mira, le të themi pas 10 vitesh, është e vështirë të matet se çfarë është një performancë e ngjashme me njeriun. Dhe nuk mund të themi se një chatbot është i ndjeshëm. Në fund të fundit, mund ta fikni dhe ta ndizni përsëri, ai nuk është një qenie e gjallë".

Sandra Wachter, hulumtuese në AI në Universitetin e Oksfordit, thotë se chatbot-et aktualisht janë "ende shumë larg shfaqjes së gjallë ose njerëzore".

“Por ndërsa ecim përpara, duhet të mendojmë edhe për përgjegjësitë etike”, shton ajo. "Në shikim të parë, chatbot-et mund të japin përshtypjen se ne po bisedojmë me njerëz të vërtetë. Dhe ne kemi një përgjegjësi etike për të shmangur këtë konfuzion, sepse mund të çojë në dëm të mundshëm.

"Në rastin "më të mirë", është thjeshtë një zhgënjim kur e di se po bisedon me një robot. Në rastin më të keq, ne mund ti besojmë një roboti dhe të ndajmë informacionet që marrim prej tyre, pa e verifikuar nëse janë informacione të vërteta”.

Shumë njerëz i urrejnë chatbot-et dhe thjesht duan të flasin me një njeri çdo herë. Psikologu Stuart Duff thotë se e kupton këtë ndjenjë.

“Shumë njerëz nuk i pëlqejnë chatbot-et për një sërë arsyesh, por veçanërisht kur përpiqen shumë për të qenë njerëzorë”, thotë ai.

Ai thotë se ndërsa chatbot-et mund të jenë përmirësuar me kalimin e viteve, janë thjeshtë komunikues të programuar, që shpesh herë mund të mos kuptojnë një fjalë ose thjesht të mos kenë ndjeshmëri në të folur.

Burimi: BBC. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë