Art dhe Kulture

Rrugët e Besimit dhe hijet e dyshimit mbi minare

Objekt që jep dritë. Ky ishte kuptimi i parë i fjalës minare, në gjuhën arabe e që më pas u quajt  kulla  nga ku myezini thërret ithtarët për lutje. 

Një nga karakteristikat e hershme të arkitekturës islame, kulla e hollë dhe e gjatë shërbente si “shtëpi drite” që u printe udhëtarëve, fizikë a shpirtërorë qofshin.

Minarja e xhamisë së Et’hem Beut, në qendër të Tiranës- një ndërtesë sa kulti aq edhe dëshmuese e gjurmëve të para të qytetit -, do të dëmtohej shekullin e shkuar, në fundin e Luftës së Dytë Botërore, por nuk do të rrëzohej.

Thuhet se, në kujtimet e konsullit gjerman të asaj periudhe, artileria gjermane e kurseu ndërtesën e xhamisë, si pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore.

Restaurimin e pjesës së   sipërme të minares, dëmtuar në nëntor të ’44 nga luftimet e partizanëve dhe gjermanëve në Tiranë, shumë ustallarë nuk e merrnin përsipër, për shkak të vështirësisë që paraqiste.

Më 1945-n, e restauroi mjeshtri i vjetër Adem Mata dhe thuhet se guri i latuar për të, u mor në Tufinë. Punimet u financuan nga besimtari Abdulla Kaimi, që kishte lënë me testament shumën prej 6,000 frangash për ngritjen e minares së shembur.

Xhamia e Et'hem Beut dhe Kulla e Sahatit, 1944.

Komunistët e sapoardhur në pushtet e shpallën monument kulture dhe i rezistuan vrullit të ‘revolucionit kulturor’, që u vuri kazmën faltoreve të të gjitha religjioneve në vend.

Siç rrëfente dikur Aleksandër Meksi, autor i librit “Arkitektura e xhamive të Shqipërisë”, kishte qenë insistimi i Institutit të Monumenteve të asaj kohe, që kishte rezultuar me sukses në këtë rast.

Komuniteti Mysliman Shqiptar përkujtoi pak ditë më parë tridhjetë vjetorin e çeljes së xhamisë për adhurim, më 18 janar të 1991-shit, pasi qe mbyllur për 23 vite me ndalimin e fesë gjatë regjimit. Ishin me mijëra ata që e rrethuan xhaminë asaj dite, të lirë për të adhuruar e lutur. 

Prej disa vitesh tashmë ka marrë udhë projekti “Rrugët  e Besimit”, ku pjesë objekte kulti të  besimit islam u kthyen në kantiere restaurimi. Ndër to është edhe xhamia e Et’hem Beut, monument kulture i kategorisë së parë dhe  një nga trashëgimitë arkitekturore të fundshekullit 18 dhe fillimshekullit 19.

Restaurimi, me donacion të Agjencisë së Kooperimit dhe Koordinimit Turk (TIKA), Institutit Kombëtarë të Trashëgimisë Kulturore dhe Bashkisë Tiranë,  synon t’i sjellë hijeshinë e dikurshme xhamisë, themelet e së cilës i hodhi Molla Beu, më 1794-n.

Pas nisjes së punimeve për ndërtimin e një kompleksi shumëkatësh, në shpinën e Kullës së Sahatit dhe xhamisë së Et’hem Beut, ishin shumë profesionistë dhe aktivistë të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore që artikuluan frikën – përpos zemëratës- se gërmimet aty mund të shkaktonin dëmtime në godinat e vjetra, arkitektët e të cilëve nuk e kishin parashikuar të ardhmen me godina që do të qenë më qiej gërvishtëse se kulla e hollë, kah së cilës i kthejnë sytë besimtarët për lutje.

Pak ditë më parë, ministrja e Kulturës, tha se pas dy vitesh punë restauruese kishin dalë në pah vlerat e vërteta të monumentit- simbol të kryeqytetit. Jo vetëm, po rimerrte pamjen e mëparshme, por sipas Margaritit, po bëhej edhe më e bukur. Ndërkohë, siç njoftonte ajo më 16 janar, specialistët po i japin dorën e fundit restaurimit të pikturave murale. Pas përfundimit të ambienteve të brendshme dhe hajatit, po punohet në fasadën e jashtme.

Fotografi dhe filmime video shfaqën disa krisje në trupin e minares, ndërsa debati do të kalonte nga shqetësimi i disa arkitektëve që  e denoncuan tek ngjyrat politike, me kryebashkiakun Veliaj që i hodhi poshtë ato.

Drejtoresha e IKTK, Arta Dollani dhe dy punonjës, restaurues.

“Faleminderit myslimanit Sami dhe të krishterit Sokrat që pastruan njollën e silikonit të histerisë nga xhamia e Et'hem Beut! Por lipset ndihma e çdo shqiptari të ndershëm që të heqë njollën e Saliut, Likes, Lulit e Monës nga trupi i Shqipërisë në 25 Prill!”, shkruante Veliaj, duke sqaruar se bëhej fjalë për mbetje silikoni, që punonjësit e bashkisë  e pastruan fill pas denoncimit publik, mbi rrezikun që po i kanosej minares së xhamisë. 

“Një spatul mjafton për të hequr silikonin mes minares e çatisë provizore pas restaurimit, por në mandatin tonë të tretë do duhet spatula e ligjit të heqë silikonin e politikës së lodhur e mantenutave në portalet e gjobave e TV e trafikantëve”, vijonte kryebashkiaku.

Që nuk kishte krisje, e pohonte edhe drejtoresha e Institutit të Trashëgimisë Kulturore, me një prononcim të shkurtër për mediat, duke thënë se bëhej fjalë në fakt- ashtu siç pretendoi edhe kryebashkiaku – për mbetje silikoni.

Krisja e dyshuar e minares.

“Puna vazhdon, shumë shpejt të gjithë do të mund të shohin rezultatet e vërteta të një pune të bërë me shumë përkushtim e profesionalizëm”, ishte mbishkrimi i një fotografie ku zonja Dollani shfaqej me dy punonjës, restauratorë të ndërtesës dyshekullore. Por asnjë deklaratë zyrtare apo sqarim publik i institucionit mbi valën e denoncimeve, akuzave apo edhe dyshimeve nëse vërtet minarja kishte pësuar apo jo dëmtime.

Reagim ka pasur edhe nga Myftinia e Tiranës, ku myftiu Lauren Luli i quajti të pavërteta zërat që qarkulluan mbi minaren e xhamisë së Et’hem Beut.

“Xhamia Et’hem Beu është drejt përfundimit të një restaurimi të plotë dhe të detajshëm të saj. Nga minarja, çatia, afresket dhe deri te abdes-hanet.  Restaurimi është bërë me kujdes dhe përkushtim të përkryer nga restauratorët, të cilët gjej rastin t’i falënderoj. Xhamia Et’hem Beu së shpejti, me ndihmën e Allahut, do t’u kthehet besimtarëve të kryeqytetit për të 5 vaktet e namazit”, përfundonte Luli në një reagim në Facebook.

Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, vijon të ngulmojë mbi një rrezik serioz, edhe pas sqarimeve të kursyera që ofroi zonja Dollani dhe kryebashkiaku i Tiranës.

“Përtej shqetësimit që  ngritën dje disa qytetarë për dëmtimin e minares së xhamisë së Et’hem Beut dhe shfrytëzimit për të bërë politikë nga kryetari i bashkisë & Co, monumenti i minares ka gjasa të  jetë  në  rrezik serioz”, shkruhej në faqen e Facebook-ut, të këtij forumi që përbëhet nga një grupim vullnetar aktivistësh e intelektualësh në mbrojtje të trashëgimisë kulturore të vendit.

“Krisja e vërtetë  na njoftojnë se është zbuluar ne nivelin e sherefes apo “kazanit” siç i thonë ballkonit të  vogël te myezinit. Kjo është e vijueshme në  gjithë perimetrin e minares lart dhe shquhet me sy të  lirë,  qoftë jashtë, qoftë  brenda”. Sipas Forumit, dëmtimi është i dukshëm edhe në filmimet video të postuara në rrjete sociale.

“Ç’është më e rënda,  ky rrezik nuk hulumtohet nga institucionet përgjegjëse të trashëgimisë, ndonëse ky objekt i dorës së parë për nga rëndësia ndodhet në kërthizë te kryeqytetit, por nga dashamirës amatorë të monumenteve. Tani nevojitet që Veliaj dhe Dollanët të  lënë selfiet dhe retoriken në  mediat sociale para se të  jetë  shumë  vonë  për monumentin”, përfundon reagimi i Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore.

Arkitektja Dorina Musai e denonconte disa ditë më parë dëmtimin, duke e cilësuar viktimë të betonit. “Sot Xhamia e Et'hem Beut, e ndodhur midis dy ndërtimeve masive me disa kate nëntokë - parkimi dhe bazamenti i kullës 21 katëshe- është në rrezik eminent. Sikundër Kulla e Sahatit, edhe kulla e Minares, janë viktimat e epërsisë së betonit ndaj ndërtimit të shekujve të kaluar”, shkruan Musai, duke shtuar se me gjasë ka lëvizur i gjithë bazamenti i xhamisë.

“...aspak e habitshme të ketë ndodhur nga lëvizja e pilotave të skarpatës së kullës. Lajmi i keq është se pilotat do vazhdojnë të lëvizin... Lajmi i mirë është se një ditë- pas disa vitesh- do mbarojë lëvizja se strukturës së betonit të 24 katëshit. Deri atëherë nuk dihet a do rezistojë kulla e minares së xhamisë”, përfundonte Musai, e cila edhe para disa kohësh në një intervistë për Gazeta Si shprehej se  heqja e zonës së mbrojtjes i bën objektet-monument të cenueshëm, duke rritur spekulimin me territorin.

Sipas aktivistëve të mbrojtjes për trashëgiminë kulturore problemet kanë ardhur pas ndryshimit të zonës historike të Tiranës, e zvogëluar më 2017-n, me Vendim të Këshillit të Ministrave

“Kulla [e Sahatit ] u rrezikua ditën kur e nxorën nga Ansambli i Qendrës Historike më 2018, i njëjti vendim qe nxori edhe teatrin [Kombëtar]”, shprehej  Doriana Musai. Por megjithëse monumentet e kulturës kanë të parashikuar edhe zonën mbrojtëse përreth tyre, si edhe peizazhin kulturor, për arsye zhvillimore Këshilli Kombëtar i Territorit jep lejet e ndërtimit në zonat pranë monumenteve.

“Dëmtimi është shumë serioz dhe të merren masat e menjëhershme nga institucionet përgjegjëse. Të shmangen pasojat . Ky është hapi i parë dhe më i rëndësishëm për sigurinë e objektit dhe jo vetëm. Të mos shmanget si problem dhe aq më tepër të mbulohet duke e lënë rrezikun aty,  duke menduar se kështu mund t'iu largoheni përgjegjësive”, ngulmon arkitekti Titi Seranaj mbi dëmtimin e minares së xhamisë së Et’hem Beut, ndërsa shton:

“Dhe mos bërtisni korridoreve, se, si dhe pse u lejuan miqtë tanë të futen në ambientet e minares, por t’i falënderoni për konstatimin e dëmtimit, për të cilin ju as që kishit dijeni dhe ishit bërë gati të prisnit shiritin e inagurimit të punimeve restauruese. Shpëtoni objektin, jo veten”, shkruhej në reagimin e arkitektit, aktivist në qëndresën për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar.

Ndonëse aktivistët në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore hedhin hipotezat se dëmtimi mund të ketë ndodhur edhe gjatë  tërmetit të 26 nëntorit të 2019.

“Nëse dëmtimi është shkaktuar si pasojë e tërmetit, atëherë institucionet do të kishin kryer akt-ekspertizën e detyrueshme në këtë monument dhe do e kishin përfshirë të parën në listën e objekteve monument kulture të dëmtuara. Nuk figuron”, shkruan Seranaj, duke shtuar se insitutcionet përgjegjëse janë Bashkia Tiranë, Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve.

“Rrëzimi i kreut të minaresë përveç dëmit kulturor mund të shkaktojë viktima dhe në njerëz. Më të rrezikuar janë ata që hyjnë e dalin nga dera e pasme e Bashkisë.  I kërkojmë falje Allahut,  nëse i kemi prishur planet dhe padashje i kemi shpëtuar jetën shejtanit”, përfundonte në një reagim arkitekti Seranaj.

Haxhi Et’hem Beu, e përfundoi së ndërtuari xhaminë e nisur nga i ati, më 1821-shin. Punimet zgjatën 27 vite, të detyruara të ndërpriteshin nga lufta që bëhej për zotërimin e Tiranës. Në kopshtin e dikurshëm të xhamisë, në hyrje të portikut, do të prehej themeluesi Et’hem Beu me të shoqen Belkizen.

Më tej, ishin edhe varrezat e parisë, të gjelbëruara prej selvive, ullishtave dhe muri rrethues i zbukuruar nga grila hekuri, mbi një bazament jo shumë të lartë prej gurësh lumi. Varrezat duhet të jenë hequr në vitet 1923-1926, ndërsa rrethimi në vitin 1930. Me prishjen e kopshtit, u rregulluan rruga e sheshi, në një kuotë më të ulët, kështu që dyshemeja e xhamisë u ngrit diçka më lart, në atë nivel që është sot, masë që e bën atë të qëndrojë si mbi një bazament.

Një vepër që vjen si trashëgimi nga periudha osmane dhe gjurmë ende e gjallë e Tiranës së vjetër.

Restaurimet në pesë objektet e kultit të besimit islam, pjesë e projektit “Rrugët e Besimit”, po kryhen me pëlqim të Komunitetit Mysliman. E ndonëse myftiu i Tiranës foli për restaurim të kujdesshëm dhe hodhi poshtë pretendimet për dëmtim të minares, një kartolinë e postuar pak ditë më parë në faqen e Facebook-ut të Komunitetit Mysliman shfaqte një pamje të minares së xhamisë së Et’hem Beut dhe Kullën e Sahatit, në dritat e muzgut.

Mbi të shkruhej një varg i Kuranit: “Është shumë e urryer për Allahun të thoni atë që nuk e bëni”. Përkimi mund të ketë qenë krejt rastësor, por një gjë është e sigurt -  që besimtarët myslimanë presin të dëgjojnë edhe njëherë thirrjen e myezinit nga minarja, që të paktën sipas zërave të komunitetit mysliman do të rikthehet edhe njëherë në funksion, si më 18 janar të vitit 1991. Përgatiti:Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë