Vende dhe Udhetime

Rruga e Arbërit i ka ‘bërë magji’ Klosit

Nga Gazeta ‘Si’-Përanash rrugës së Arbërit, me të dalë nga Tuneli i Murrizit, të parët banorë që takon janë ata të Xibrit. Një fshat që dikur ishte i harruar pas maleve dhe jetonte ende ‘si në mesjetë’.

Kanë rizgjuar tregtinë. 

Pa shumë ojna dhe ceremoni, në disa stenda të improvizuara, ofrojnë “gjithë ç’ka shpia”. Frutat e bahçes, vezët e fshatit, gjalpin e bërë në shtëpi, fasulen, perimet e kopështit. Nuk kanë të sosur.

Thjeshtësia me të cilën presin ndërsa u afrohesh për t’u hedhur një sy produkteve, nuk të lë vramendje për cilësinë e tyre. 

Prej atyre shtëpive të cilat rrethohen nga disa livadhe e mandej një terren që nis e bëhet pak zemërak, veç produkte ‘pa hile’ mund të presësh në kthim.

‘Na nderoi rruga’, thonë thuajse njëzëri kur i pyet se si iu shkojnë shitjet gjatë ditës.

Nga tre orë e pakgjë që dikur iu duhej për të arritur në Tiranë, tani janë vetëm 30 minuta larg saj. Madje, dhe ‘biznesin’ me këtë kut e matin tani: Para Rrugës së Arbërit dhe pas saj.

“Nuk ia vlente barra qiranë që të shisje produkte në Tiranë atëherë. Gjashtë orë rrugë bashkë me kthimin ishin shumë për ne që ofrojmë vetëm prodhimet e ditës. 

Tani hapja e rrugës së re na i ka shtuar shitjet”, thotë për Gazetasi.al Lulzime Zhuku e cila të ardhurat e vetme për familjen e saj me nëntë anëtarë, i fiton duke shitur gjatë ditës ndanë Rrugës së Arbërit. 

Ka nisur që të shesë produkte prej kur zbritja në fshatin Xibër, duhej të bëhej përmes Bypassit të Murrizit. 

Thotë se makinat e rastit që tani po ndalojnë për të blerë aty janë më të shumta pas hapjes së tunelit. 

Dhe ajo, në këmbim, mundohet ‘të mos i ngasë me çmimet’.

Ndër produktet më të kërkuara, përpos atyre frutore, thotë se mbetet mishi. Dhe këtë në fakt, e pohojnë shumë prej bizneseve që kanë nisur të hapen në zonë. 

“Kërkesa për mish është rritur, sidomos për pulën dhe mishin e kecit. Dallimin në cilësinë e mishit e bën mënyra se si ne i ushqejmë. Askush nga këta anë nuk i rrit në kapanone pulat. Si ata, ashtu edhe bagëtitë tonë ushqehen në natyrë e në livadhe”, shton ajo buzagaz dhe në zë mund t’i dallosh disa nota të lehta ‘krekosjeje’.

Të tjerë fermerë që shesin pranë saj thonë për Gazetasi.al se tashmë, Klosi, nuk është më vetëm ‘një hambar bujqësie’.

I konsideruar kështu prej izolimit të rrugës, terrenit të vështirë dhe largësisë gjeografike me Tiranën, bujqësia dhe blegtoria kanë qenë prej shumë kohësh i vetmi sektor që ka tipizuar Klosin.

(Ndërsa më herët, burimet historike ashtu edhe gojëdhënat, dëshmojnë se Klosi është qendra më e madhe dhe më e hershme e prodhimit të barutit me tym në Shqipëri, në shekujt XIII-XIV.)

Tani, ky qytet i cili rrethohet nga 33 fshatra, ka rifituar statusin e dikurshëm si ‘porta e pasme e kryeqytetit.’ Sakaq, edhe atë si ‘rrugë tregtie’.

Për ata që nuk e dinë, tregohet se që në periudhën binzantine, në këtë rrugë kalonin rreth 300 kuaj në ditë. Karvanë të Dibrës transportonin prodhime bujqësore e blegtorale, kurse nga Tirana për në veri, silleshin kryesisht prodhime zejtare. 

Porse tregtia po ndjen peshën e dikurshme, tani nuk është më i vetmi sektor prej ku sigurohen të ardhura. 

Tashmë banorët e Klosit, përditshmëria e të cilëve dikur rrethohej vetëm rreth tokave bujqësore, mbajtjes së bagëtive dhe punës në miniera, do duhet të përshtaten me një ‘kurs’ të ri jete.

Shtigjet e kodrinave, kullat tre katëshe, urat me harqe me gurë zalli dhe lumi Mat janë ‘dritarja e re’ prej ku turistët duan që të shohin ato vise.

Dhe ata duhet ta shfrytëzojnë tani këtë mundësi që u është dhënë, të cilën kohë më parë, nuk rrekeshin dot as ta imagjinonin.

‘Turizmi në Klos vjen…me një lule”

Nëse bën një ecje për 1 orë e 30 minuta mes pyllit me pishë të zezë, në një lartësi prej 1400 metër, livadhi i Ketit ofron një nga lulet më unike që rriten në Shqipëri. Ka shumë emra për të. 

Ndonëse prej shumicës njihet si lulja e Poetit, shumë syresh e njohin edhe si lulja Narcis apo lule Zoje. Ndërkohë, sipas të folmes klosiane ajo njihet si lule “batra”, prej ngjyrës së saj të bardhë. 

Është një lule ‘jetë shkurtër’ e cila duhet shijuar deri në fund të Majit. 

Flamur Bala, drejtori i turizmit në Bashkinë Klos, thotë për Gazetasi.al se vitin e shkuar kjo lule tërhoqi 2 mijë vizitorë në gjithë sezonin e saj të çeljes. Mirëpo ky vit, po i kalon pritshmëritë sipas tij. 

“Lulja viteve tjera lulëzonte më vonë por prej temperaturave të ngrohta, këtë vit ka çelur më herët. Tani interesi për të parë nga afër këtë livadh është rritur dhe më shumë tek njerëzit dhe për momentin vijnë rreth 500 turistë në ditë që ngjisin malin”, thotë ai për Gazetasi.al ndërsa fluksin e shtuar të vizitorëve ia atribuon Rrugës së Arbërit. 

“Mendojmë që do jetë një ndër vendet më të kërkuara tani në vijim sepse interesi ishte rritur që kur duhej të kaloje nga Bypassi. Rruga e Arbërit i ka dhënë frymëmarrje të gjithë qarkut të Dibrës por më shumë i ka dhënë Klosit”, vijon ai ndërsa, me qejf, bën edhe një parashikim.

‘Profecia’ e turizmit

Flamuri është i sigurt që vitin e ardhshëm Klosi do të jetë vendi me numrin rekord të turistëve duke lënë pas Peshkopinë, Burrelin e Bulqizën. 

Por, më shumë se turistë të huaj, ai beson se zona e Klosit do zgjojë interesin e shqiptarëve për ta vizituar atë.

“Klosi është vizituar nga 100 mijë turistë në 2024-n. Rreth 70 mijë prej tyre kanë vizituar Urën e vjetër të Vashës”, vëren ai ndërsa thotë se resorti që ndodhet afër kësaj ure, i cili për momentin është i mbyllur përkohësisht për shkak të ndërtimeve, në fundjavë vizitohej mesatarisht nga 800 njerëz.

Ndërsa thotë se vlera e tokës në Klos është rritur menjëherë, ai shton se shumë prej godinave në Klos po nisin dalëngadalë të përshtasin ambientet e tyre për turizëm.

“Kemi një resort në fshatin Gurrë e Madhe që do hapet në fund të muajit maj dhe besojmë që do jetë një ndër resortet më të bukura në veri sepse si bazë ka kullat e vjetra. 

Gjithashtu në Cerujë po përfundon një tjetër resort me 40 dhoma i cili ka shumë procese pune, restorante, një numër të madh kuajsh, motorra që ecin nëpër male etj”, vijon ai ndërsa nuk harron të ndërmendë një për një edhe bujtinat e vogla që po krijohen nëpër fshatra. 

“Krenaria” e Klosit janë kullat e gurta për të cilat Flamuri thotë se duan që të kenë të rijetëzuar të paktën nga një, për secilin fshat. 

“Jemi përfshirë në turin e kullave. Sfidë për rijetëzimin e shumë prej tyre është fakti që kanë patur shumë pronësi dhe vëllezërit mund të mos kenë gjetur konsensus. Tani po punojmë të përfshijmë 20 kulla në këtë tur dhe po kualifikojmë disa kuzhiniere femra”, thotë ai ndërsa shton se prurjet e turistëve ‘po i detyrojnë’ gjithashtu që të mbarojnë sa më shpejt regjistrimin e shtigjeve. 

Nëse dikur grupet që vinin me motorrë në shtigjet e Klosit përbëheshin nga 8 vetë, tani ai thotë se përbëhen nga 30-40 vizitorë.

Por, sipas tij tani “barra” bie mbi vendasit të cilët duhet të mësojnë të punojnë me mekanizmat e turizmit.

‘Krenaria’ e Klosit janë kullat e gurta

Mikpritje…..por me para

“Turizmi është bërë malli i ri për ne”, thotë Flamuri ndërsa rreket të dalë gjetkë në një çështje tjetër.

Mirëpo-vijon ai-banorët duhet të fillojnë të mendojnë që të paguhen në këmbim të mikpritjes së tyre.

Gjatë bisedës, sjell raste të shumta të familjeve vendase që presin në oborret e tyre shumë turistë, të cilëve nuk ‘ua kursejnë’ dhallin e fshatit apo kafetë turke të bëra në shtëpi.

“Shumë mirë që i presin sepse ne miq kemi pritur gjithë jetën por tani duhet dhe të fillojnë të kërkojnë ndonjë gjë në këmbim në mënyrë që të nisim gradualisht të bëhemi pjesë e ingranazhit të turizmit”, vëren ai.

Ura e Vashës- 300 vite gjurmë historie

Kur i pyet se çfarë duhet të vizitosh në ato vise, “Ura e Vashës” është monumenti i parë që përmendin të gjithë klosianët.

Ndodhet gati në të dalë të Klosit, 200 metër linear nga Rruga e Arbërit, mes Klosit dhe fshatit Gurë i Bardhë.

Gjurmët e saj historike të cilat datojnë aty nga mesi i shek.XVIII, janë një ndër arsyet kryesore pse turistët grishen që ta vizitojnë. Sakaq, edhe panorama piktoreske.

Ura shtrihet mbi lumin Mat, dhe bashkon brigjet e tij në dalje të kanionit të ngushtë që zbret nga mali i Dishit dhe ai i Vrrithit.

Me një hark dhe një dritare shkarkuese në anën e djathtë të rrjedhës, ajo është e shtruar e gjitha me gurë dhe rrasa. 

Flamuri thotë për Gazetasi.al se kjo urë, një ndër më të vjetrat e ndërtuara në këtë stil në Shqipëri dhe e shpallur monument kulture, është një nga piketat e kahershme e turizmit në këto vise. 

Gojëdhënat që rreken të shpjegojnë kuptimin pas këtij emri, janë të shumta. Megjithatë, banorët vendas duket se kanë rënë në një mendje. 

Sipas legjendës, ura e ka marrë këtë emër nga një familje nga fisi Skuraj që jetonte në Gur të Bardhë. Familja kishte vetëm një vajzë. Vajza (vasha) shiti pajën (prikën) e saj për të ndërtuar urën.

“Dhe a kishte vend më të mirë, më të rëndësishëm dhe kontribut më të madh se të ndërtosh një urë këtu…?!”, pyesin banorët.

Tani, Klosi ka dy ura të tilla me të njëjtin emër, atë të renë në Rrugën e Arbërit, një ndër më të lartat në Ballkan e cila lidh dy shpate mali dhe atë të gurtën që bashkon dy brigjet e lumit Mat.

Ura e re e Vashës

Megjithatë, banorët nuk po bëjnë më “ndasi” për aq kohë sa të dyja ata, do shërbejnë për të përmbushur profecinë e turizmit në këta vise…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë