Treg

Rritja e Bitcoin, asgjë më shumë se një Deja Vu!

Demat (bulls) e tregut të kriptomonedhave janë kthyer. Bitcoin kapi vlerën e 42 mijë dollarëve të hënën, vlera më e lartë në 20 muaj, me një rritje dramatike prej 150%. Pasi humbi 60% të vlerës së vet në 2022-shin, rritja gjatë këtij viti ka rikthyer euforinë: investitorët tani parashikojnë që kriptomonedha të arrijë 100 mijë euro në fund të 2024-s dhe të paktën 750 mijë deri në fund të vitit 2026. Edhe kundërshtarët, si Ethereum, Solana, Dogecoin dhe Cardano jkanë përjetuar rritje dyshifrore.

Si me çdo mjet tjetër, edhe për kriptot, thelbi është bindja. Por ndryshe nga asetet tjera, Bitcoin nuk ka vlerë të fiksuar dhe nuk është as e mbrojtur. Disa argumentojnë se njësoj është edhe ari. Por metali me shkëlqim ka qenë prej kohësh depozita më e mirë e pasurisë dhe i ka mbijetuar krizave e inflacionit.

Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Bitcoin. Tipari më i njohur i tij është luhatshmëria. Ajo çfarë kriptomonedha ofron është një shans për të spekuluar në treg, për të vendosur pozitën e vet. Adhuruesit e tij janë të shumtë.

Fillimisht, ata argumentojnë se tregjet financiare janë në kohën e “rrezikut”. Investitorët janë të bindur se rritjes së normave të interesit po u vjen fundi. Me likuiditet të bollshëm dhe norma të ulëta, investimi në asete me rrezik duket tërheqëse. Dhe rritja e çmimit të Bitcoin priret të gjenerojë një furi blerjeje, e cila përforcon veten.

Demat, gjithsesi, këmbëngulin se këtë herë është më shumë se thjesht eufori. Pjesa e dytë e argumentit të tyre është se mbyllja e çështjeve kriminale më profil të lartë në tregun e kriptove gjatë vitit të kaluar është e ngjashme me një moment pastrimi. Muajin e kaluar, SHBA-ja shpalli fajtor Sam Bankman-Fried, ish-shefin ekzekutiv të FTX, për mashtrim, ndërsa Binance, platforma më e madhe e kriptove në botë, u shpall fajtore për akuzat në lidhje me pastrim parash dhe shkelje të sanksioneve.

E treta, optimistët e kriptove presin shenja nga qeveria amerikane, për ta miratuar Bitcoin si aset i tregtueshëm. Sipas tyre, pranimi institucional i kriptomonedhave, u jep atyre besueshmëri.

Por forma “bliji dhe mbaji” ka shumë të meta. Të metat ligjore të kriptove janë të pafundme. Komisioni i Letrave me Vlerë në SHBA, SEC, tha së fundmi se ky treg drejtohet nga “mashtrimi, falimentimi dhe pastrimi i parave”.

Ajo çfarë i mbetet demave është argumenti se në treg ka oreks për spekulim dhe se Bitcoin është një aset spekulativ. Pra çfarë u duhet investitorëve është një idiot më i madh se ata që të blejë të njëjtin aset me më shumë para. Kjo do zgjasë pak. Bitcoin është zhvlerësuar më herët dhe sigurisht do të zhvlerësohet përsëri. /Financial Times


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë