Ngjarje

Rriten çmimet e biletave të linjave ndërqytetase, shoqatat pranojnë abuzimin: Tregu i pakontrolluar

Linjat interurbane nuk kanë pritur gjatë, por prej javës së shkuar kanë vendosur rritjen e çmimit të biletës në mënyrë të njëanshme dhe në kundërshtim me vendimin e qeverisë që ndalon vendosjen e çmimeve nga operatorët urbanë, por vetëm nga ministria e Financave.

Linja Tiranë-Durrës e cila menaxhohet nga 20 administratorë që nuk aderojnë në shoqatë, vendosi ta rrisë çmimin e biletës me 50 lekë këtë fundjavë, ndërsa linjat e tjerë interurbane e kanë rritur me 100 lekë, kryesisht linjat e Juglindjes dhe disa operatorë të linjave të Veriut.

I kontaktuar nga Gazetasi.al, një nga përfaqësuesit e shoqatës së transportit interurban për linjat e zonave të Veriut, Dashnor Memaj, e cilësoi abuzive këtë vendim.

Dashnor Memaj, Përfaqesues Transportit Urban dhe Interurban

Por Memaj tha se shoqata është e pafuqishme të bindë operatorët të ndalojnë abuzimin, për shkak të situatës ekonomike në të cilën ndodhen.

“Prej pandemisë situata në transportin interurban ka ardhur duke u përkeqësuar. Që nga viti 2020, ky shërbim punon me kapacitete të reduktuara për shkak të numrit të ulët të udhëtarëve. Kësaj gjendje I bashkangjitet dhe rritja e çmimit të naftës çka I ka detyruar të ndërmarrin këtë vendim”, thotë Memaj.

Shoqata e transportit urban me Veriun numëron 40 linja dhe 5 me destinacion Tiranë-Durrës.

Memaj thotë se në treg operojnë dhe operatorë urbanë që nuk janë pjesë e shoqatës dhe vendimarrja e rritjes së çmimit të biletës bëhet pa miratimin e shoqatës.

Edhe linjat interurbane të Juglindjes kanë rritur çmimet me 100 lekë.

Në fundjavë, linjat Tiranë-Korçë, Tiranë-Fier, Tiranë-Elbasan kanë rritur çmimet menjëherë sapo çmimi i naftës kapërceur 260 lekë për litër.

Duket se më të qëndrueshmit në këtë situatë janë linjat interurbane të Jugut që administrohen nga Eneo Sulejmanaj.

Sulejmanaj tha për Gazetasi.al se i është kërkuar 46 operatorëve që aderojnë në këtë shoqatë, kryesisht linjat Tiranë-Sarandë, Tiranë-Libohovë, Tiranë-Konispol, Tiranë-Përmet, Tiranë-Tepelenë etj, të vijojnë punën me kapacitete të plota dhe sipas orarave të përcaktuara në licencë pasi janë objekt kontrolli nga ana e Task Forcës.

“Në dijeninë time, asnjë prej operatorëve të linjave që unë përfaqësoj nuk e kanë rritur çmimin e biletës, ndonëse ato janë miratuar që në vitin 2007 kur nafta kishte çmimin 60 lekë për litër.

Ne kemi 2 vjet që kërkojmë heqjen e akcizës së karburantit me qëllim që të mos ndryshojmë çmimet e biletave. Unë di që në treg ka dhe operatorë të linjave të tjera që kanë rritur çmimet në këtë periudhë”, tha për Gazetasi.al, drejtuesi i shoqatës së linjave të Jugut, Eneo Sulejmanaj.

Sipas tij, rritja abuzive është favorizuar dhe nga ngërçi i krijuar në sistemin e fiskalizimit, duke bërë që operatorët të rritin çmimet sipas dëshirës, duke lëshuar biletat që mbajnë çmimin e vendosur nga ministria e Financave.

“Ne çdo fillim viti furnizohemi nga Tatimet me biletat në bazë të kilometrave që bën çdo operator. Është e pamundur që linjat interurbane të udhëtojnë pa bileta por ajo që ka ndodhur është që drejtuesit e këtyre linjave kanë shpërndarë bileta me çmimin e fiksuar nga ministria ndërkohë që udhëtarëve u është kërkuar të paguajnë më shumë se çmimi në biletë”, thotë Sulejmanaj.

Kryeministri Rama në prezantimin e Paketës së Rezistencës Sociale ka deklaruar se pjesë e masave mbështetëse do të jetë dhe shërbimi qytetas dhe ndërqytetas, duke derdhur 500 milionë lekë ose 5 milionë dollarë për të paguar diferencën e çmimit të biletës.

Rama theksoi se ky vendim do të ndihmojë  udhëtarërt të mos preken nga ndryshimi i çmimit, qoftë kur hipën në autobus brenda qytetit e qoftë kur hipën në një autobus për të shkuar nga një qytet në tjetër.

Me miratimin e kësaj pakete, pritet që linjat interurbane të reflektojnë duke mos lëvizur çmimin në bazë të interesave të tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë