Ngjarje

Dropull, gjenden të pajetë dhe të dhunuar në banesë një çift të moshuarish. Flet fqinja: Jetonin vetëm, nuk kishin fëmijë

Gazeta Si - Një çift të moshuarish janë gjetur të vdekur në fshatin Bodrishtë të Dropullit me shenja dhune në trup. Sipas dyshimeve të para bëhet fjalë për një krim të dyfishtë. Të moshuarit janë Kosta Ilia 84 vjeç dhe Kleoniqi Ilia 88 vjeçe.

Dy të moshuarit janë gjetur me shenja dhune në trup, çka ka hedhur dyshimet se bëhet fjalë për një krim të ndodhur ndaj tyre.

Megjithatë, policia thotë se në banesë nuk ka konstatuar thyerje të dyerve apo dritareve. Njëkohësisht nuk ka pasur çrregullime të orendive brenda shtëpisë.

“Rreth orës 08:00, janë gjetur nga fqinjët, të pajetë, në banesën e tyre në fshatin Bodrisht, shtetasit Kosta Ilia, 84 vjeç dhe Kleoniqi Ilia, 88 vjeçe (bashkëshortë). Nga këqyrjet paraprake të trupave të 2 shtetasve, janë konstatuar shenja dhune, dyshohet të shkaktuara me mjete të forta rrethanore. Gjithashtu, nga këqyrja paraprake e vendit të ngjarjes, nuk janë konstatuar thyerje të dyerve apo dritareve, si dhe në brendësi të banesës nuk janë konstatuar çrregullime të orendive”, njoftoi policia.

Fqinja e viktimave në Dropull, duke folur për mediat

Një fqinje e çiftit Kosta dhe Kleoniqi Ilia që u gjetën të dhunuar për vdekje në banesën e tyre në Dropull, është shprehur se të moshuarit jetonin vetëm dhe s’kishin fëmijë.

Ajo deklaroi për mediat se çifti ishin shumë të lumtur së bashku, ndërsa ka treguar se ka qenë një fqinje tjetër, e cila i gjeti të vdekur pasi u telefonua nga Athina nga familjarë të 84-vjeçarit.

“Jetonin vetëm, nuk kishin fëmijë. Fqinjën këtu e kishin telefonuar nga Athina se ka një motër atje, i thanë që shiko pak si është puna. Vajti ajo dhe i gjeti, ishin çift i lumtur, nuk i ndihej zëri. Nuk kemi dëgjuar asgjë, vjedhje kanë ndodhur. Një fqinj këtu e kanë rrahur...”, tha ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë