Nga Gazeta ‘Si’- Sipas vlerësimeve të ushtrisë së Shtetet e Bashkuara, rreth 1.550 anije – cisterna nafte, anije transporti mallrash dhe kontejnerësh, ndodhen aktualisht të bllokuara në Gjirin Persik.
Me Ngushticën e Hormuzit praktikisht të bllokuar, ekuipazhet, shumë prej të cilëve nuk kanë lidhje me luftën në vazhdim me Iranin, po shpenzojnë gradualisht furnizimet ndërsa presin një kalim të sigurt përmes kësaj rruge ujore të mbushur me mina.
Donald Trump njoftoi të dielën se SHBA do t’i shpëtojë këta “viktima të rrethanave”, duke i udhëhequr jashtë zonës së luftës në një mënyrë ende të paspecifikuar.
Të hënën, megjithatë, ushtria iraniane e refuzoi planin, duke paralajmëruar se forcat amerikane do të sulmohen nëse afrohen pranë ngushticës.
Të dyja palët shkëmbyen zjarr dje, megjithëse SHBA pretendon se armëpushimi mbetet në fuqi.
Fakti që udhëheqësit iranianë duket se janë të gatshëm të rrezikojnë shkeljen e këtij armëpushimi të brishtë njëmujor tregon sa fort duan të mbajnë kontrollin mbi ngushticën.
65 ditët e fundit të luftës e kanë dëmtuar rëndë Iranin: udhëheqësit e tij janë vrarë, marina dhe forcat ajrore janë dobësuar, ndërsa ekonomia dhe infrastruktura janë shkatërruar.
“Nëse largohemi tani,” tha javën e kaluar Donald Trump, “do t’u duhen 20 vite për t’u rimëkëmbur.” Por, mes shkatërrimit, vendi ka gjetur edhe forma të reja ndikimi.
Irani nuk e kishte ushtruar më parë këtë nivel kontrolli mbi Ngushticën e Hormuzit dhe para luftës nuk mund të ishte i sigurt se do ta arrinte këtë.
Edhe në gjendjen e saj të dobësuar, ushtria iraniane ka arritur të pengojë anijet armike dhe të manovrojë ndaj sistemeve kundërajrore, duke ruajtur kontrollin mbi ngushticën dhe duke i kushtuar SHBA-së miliarda.
Pasi SHBA dhe Izraeli nisën veprimet ushtarake, qeveria iraniane deklaroi se do të sulmonte çdo anije që do të përpiqej të kalonte nëpër ngushticë dhe nisi vendosjen e minave si pengesë.
Para luftës, më shumë se 130 anije kalonin çdo ditë; tashmë ky numër kishte rënë në vetëm tre. Anijet që kalojnë tani e bëjnë këtë kryesisht nën mbikëqyrjen e rreptë të Gardës Revolucionare Islamike, e cila raportohet se kërkon tarifa në kriptomonedha dhe juan kinez, si dhe ridrejton trafikun larg Omanit drejt ujërave të kontrolluara nga Irani.
Dominimi iranian mbi ngushticën mund të bëhet normalitet i ri.
Të dielën, zëvendëskryetari i Parlamentit iranian, Ali Nikzad, u shpreh i prerë se vendi “nuk do të tërhiqet” nga qëndrimi i tij dhe “nuk do të kthehet në kushtet para luftës”.
Kjo sepse kufizimet e vendosura në ngushticë kanë funksionuar në nivel strategjik, duke shkaktuar tronditje globale në energji dhe pasoja ekonomike në mbarë botën- duke ushtruar presion të madh mbi SHBA dhe Izraelin për të negociuar.
Donald Trump ka kërkuar që Irani “ta hapë ngushticën”, por zhvillimet e fundit tregojnë se jemi ende larg situatës para shkurtit.
Edhe kur udhëheqja iraniane ka ofruar ta rihapë ngushticën si pjesë e marrëveshjeve të mundshme të paqes, ajo e ka bërë këtë duke ditur se mund ta rimarrë kontrollin në çdo moment. Kjo ndodhi më 17 prill, kur ngushtica u shpall e hapur për të gjithë, por një ditë më pas u vendosën sërish kufizime, duke e mbyllur praktikisht.
Ngushtica nuk është mjeti i vetëm në dispozicion të Iranit. Deri fundjavën e kaluar, Donald Trump deklaronte se vendi “nuk ka marinë” dhe “nuk ka forcë ajrore”.
Megjithatë, zyrtarë amerikanë i thanë CBS në fund të prillit se rreth 60% e marinës iraniane ende ekziston dhe dy të tretat e forcave ajrore janë operative. Edhe pse ushtria iraniane është dukshëm më e dobët se ajo amerikane, ajo ka treguar se është më e shkathët dhe më e aftë nga sa pritej.
Javën e kaluar, Pentagoni dha vlerësimin e parë për koston e luftës deri tani: 25 miliardë dollarë. Një armë e vetme amerikane e teknologjisë së lartë mund të kushtojë miliona, ndërsa droni iranian Shahed-136 kushton vetëm dhjetëra mijëra dollarë dhe ka kërcënuar partnerët amerikanë si Kuvajti, Bahreini dhe Azerbajxhani.
Municionet kundërajrore për t’i rrëzuar shpesh kushtojnë më shumë se vetë dronët, dhe kur këta arrijnë të depërtojnë, mund të jenë vdekjeprurës.
Ndërkohë, “flota e mushkonjave”- anije të vogla, të shpejta dhe të vështira për t’u zbuluar-ka frikësuar si anijet ushtarake, ashtu edhe ato tregtare, duke projektuar fuqinë iraniane në ngushticë.
Admirali Brad Cooper, që drejton Komandën Qendrore të SHBA-së, deklaroi se SHBA ka shkatërruar gjashtë anije të vogla iraniane në zonë, një tregues i mundshëm i dobësimit të kapaciteteve të Iranit. Megjithatë, zakonisht Irani dislokon nga 20 deri në 40 anije të vogla kur synon të ngacmojë anijet e tjera.
Reduktimi i kapaciteteve nuk do të thotë humbje. Siç raportuan gazetarët Nancy A. Youssef dhe Jonathan Lemire, zyrtarë brenda administratës amerikane janë habitur nga qëndrueshmëria e Iranit.
Edhe pse Donald Trump këmbëngul se Irani është shkatërruar plotësisht dhe se lufta ka përfunduar, realiteti sugjeron të kundërtën.
Pas dy muajsh luftë me një superfuqi, Irani është në disa drejtime i tejkaluar- SHBA thotë se ka goditur mbi 13.000 objektiva gjatë operacionit Operation Epic Fury- por nuk është dorëzuar. Edhe pse qindra civilë janë vrarë dhe pjesa tjetër e popullsisë përballet me krizë ekonomike, vendi vazhdon të rezistojë.
Përpjekjet e SHBA-së për të dobësuar plotësisht kapacitetet mbrojtëse të Iranit mund të kenë sukses në fund.
Por sa më gjatë që Irani arrin të shkaktojë dhimbje ekonomike në botë dhe të ruajë kapacitetet e tij, aq më shumë prova kanë udhëheqësit e tij se mund të vazhdojnë të qëndrojnë të fortë./ The Atlantic
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




336jqy