Futboll

Revolucion anglez, qeveria projekton një organ të pavarur për kontrollin e futbollit

Gazeta Si – Kryeministri Rishi Sunak do të krijojë për vitet e ardhshme ‘Rregullatorin’, një komision i pavarur që do të ketë detyrën të verifikojë qëndrueshmërinë e futbollit anlgez. Në shënjestër do të jenë edhe kompeticionet e mbyllura të mundshme, që kërcënojnë kampionatin kombëtar.

Futbolli anglez po përgatitet për një revolucion. Kryeministri Rishi Sunak ka prezantuar së fundi në parlament librin e bardhë, që parashikon me shumë mundësi në sezonin 2025-26 figurën e një ‘Rregullatori’. Bëhet fjalë për një organ të pavarur, që do të jetë supervizor i futbollit në Mbretërinë e Bashkuar, me rregulla të vlefshme që nga Premier Liga e te divizioni i 5-të.

Kryeministri anglez, Rishi Sunak, ne versionin ultras. Gazeta Si, 25 shkurt 2023

“Pavarësisht suksesit të madhe të sportit, e dimë që ka sfida reale që kërcënojnë stabilitetin e klubeve të mëdha e të vogla, - ka thënë Sunak. – Ky plan i ri rivendos tifozët në qendër të futbollit, mbron traditat e klubeve tona të dashura dhe mbron lojën për gjeneratat e ardhshme”.

Futbolli anglez e priste prej kohësh këtë plan dhe kostot do të mbulohen kryesisht nga Premier Liga: 6 klubet më të rëndësishme do të mbulojnë 50% të shpenzimeve, kurse Premier Liga në total 80% të tyre. “Do ta rishohim me shumë kujdes këtë plan, që parashikon që Anglia të bëhet vendi i parë, ku futbolli është një industri e rregulluar nga qeveria”, - ka shtuar Sunak.

Organi në fjalë do të ketë fuqi mbikqyrëse, por jo sportive. Mund t’i konsiderojë të papërshtatshëm pronarët e rinj të klubeve dhe të gjobitë ata që nuk respektojnë rregullat financiare, por jo të japë dënime me heqje pikësh.

Nga nje derbi i Mançesterit. Gazeta Si, 25 shkurt 2023

Ky organ kontrolli krijohet pas një rishikimi të sistemit të futbollit të kërkuar nga tifozët, i kompletuar në nëntor të 2021-shit dhe i bërë nga parlamenti vitin e kaluar. Detyra kryesore e ‘Rregullatorit’ është të krijojë një sistem licencash, nga Premier Liga te National League, që jepen çdo vit dhe që janë të nevojshme për regjistrimin në kampionatet përkatëse.

Për ta marrë këtë leje, klubet duhet të ndjekin ‘modele ekonomike financiare solide dhe të administrohen në mënyrë korrekte. ‘Rregullatori’ do të merret edhe me kontrollin e pronarëve dhe drejtuesve të tjerë të klubeve. Një sistem kontrolli ekziston në fakt, por ‘Rregullatori’ ka detyrën të kontrollojë se nga pronarët i kanë të ardhurat. Do të kërkojë gjithashtu në detaj planin financiar për administrimin e klubit.

Kjo reformë nis nga tifozët, u lejon atyre më shumë përfshirje te klubet, me objektivin për të mbrojtur historinë. Praktikisht, tifozët anglezë do të kenë zërin e tyre në shumë çështje, si ndërrimi i mundshëm i emrit të klubit, logos dhe fanellës së ekipit. Ata mund të kundërshtojnë nëpërmjet ‘Rregullatorit’ për shitjen apo spostimin e stadiumit.

Foto ilustruese. Tifoze angleze ne stadium. Gazeta Si, 25 shkurt 2023

Organi i ri ka gjithashtu fuqinë për t’i ndaluar skuadrat të marrin pjesë në kompeticione të mbyllura, që kërcënojnë kampionatin kombëtar. Një referim i qartë ndaj Superligës së kontestuar, ku në fillim u përfshinë edhe Siti, Junajtid, Totenhemi, Liverpuli, Çelsi dhe Arsenali, por më pas ndërruan mendje.

Beteja e vërtetë e kësaj reforme është natyrisht ekonomike. Futbolli konsiderohet nga qeveria konservatore britanike si një industri, që duhet të ketë një kontrollor. Sigurisht, ka edhe reagime kundër kësaj iniciative, sidomos nga klubet e Premier Ligës.

“Është një ide e tmerrshme, sepse qeveria është e tmerrshme në adiministrimin e çdo sektori, - ka thënë David Sulivan, bashkëpronar i Uest Hemit. ‘Rregullatori’ do ketë një staf dhe kostot e tij do t’i paguajë futbolli. Janë para të hedhura kot”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë