Futboll

30 prilli, makthi i klubeve shqiptare- UEFA ‘ngel në klasë’ Tiranën, nuk e licenson!

Nga Gazeta Si- 30 prilli ka qenë afati i fundit i fazës së parë të licensimit të klubeve nga UEFA dhe FIFA për pjesëmarrjen në Kupat e Europës për edicionin pasardhës, nëse ato do të plotësojnë kriterin e pare, që është ai sportiv. Gjithmonë klubet shqiptare tentojnë të shkojnë në afatin maksimal shtesë, që është 30 prilli, dita e sotme dhe kjo për një kriter shumë të rëndësishëm dhe gjithmonë problematik për ne, siç është kriteri financiar.

Aktualisht kanë mbetur vetëm tre javë nga përfundimi i kampionatit dhe në këto tre javë të mbetura do të vendoset se cilat do të jenë skuadrat pjesëmarrëse në “Final Four”, që në skemën e re të kampionatit do të jenë skuadrat që do të garojnë me 4 ndeshje për fituesin e kampionatit dhe sigurisht për të ndarë pozicionet e pjesëmarrjes në Kupat e Europës.

Ndërkohë në garë për të qenë brenda katër vendeve të para, duke përjashtuar Egnatian, e cila është shkëputur në krye dhe Partizani i vendit të tretë, janë edhe skuadra si Vllaznia, Dinamo, Tirana dhe Skënderbeu, apo ndoshta me një skenar edhe më të çmendur, mund të futet edhe Teuta, e cila është vetëm 6 pikë larg vendit të katërt në këtë pikë të sezonit.

Por ndërkohë që të gjithë po mendojnë se si do të arrijnë të futen brenda asaj zone tashmë fitimprurëse, nga ana tjetër dhe paralelisht, presidentët e klubeve si Dinamo, Tirana, Partizani apo edhe Vllaznia janë duke bërë çudira dhe maksimumin për të arritur marrëveshje dhe për të mbyllur disa pagesa të palëve të treta të prapambetura, që i kanë bllokuar merkaton, apo kushtëzojnë, në një mënyrë apo në një tjetër, pjesëmarrjen e tyre në Kupat e Europës nëpërmjet licensimit të cilin për momentin nuk munden ta kalojnë.

Kështu Tirana është skuadra më e rrezikuar e kësaj situate dhe gjithmonë me sa duket pret fundin dhe afatet limit për të mbyllur gjërat që të plotësojë ndoshta minimalisht kriteret për të qenë në Europë dhe për të marrë licensimin. Ata deri në këto momente nuk e kanë licensimin dhe janë jashtë Europës, edhe nëse do të arrijnë të futen mes katër të parave. Ngërçi i tyre ka shkuar tashmë në fazën e apelimit të atij vendimi, duke qenë se me lojtarin finlandez që kanë patur probleme me pagesat, me sa duket kanë arritur një marrëveshje për t’i mbyllur detyrimet deri në fund të muajit maj dhe në bazë të kësaj marrëveshjeje, ata arrijnë të kalojnë procesin e licensimit edhe këtë herë, megjithatë kanë mbetur pak orë për t’u gjetur një zgjidhje për bardheblutë të cilët po kalojnë një sezon vërtetë shumë të vështirë.

Në një situatë bllokimi, por më pak të komplikuar duket të jetë edhe Partizani, por ndryshe nga Tirana, skuadra e kuqe ka një problematikë teknike ligjore për një borxh të brendshëm të klubit me presidentin aktual, një manovër financiare kjo e klubit që me sa duket i ka sjellë këtë ngërç, por që ka një zgjidhje më të thjeshtë dhe që ndoshta nuk do të mund ta pengojë për të kaluar edhe këtë vit licensimin.

Ndërkaq sakrificën më të madhe me sa duket e ka bërë presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferri, i cili ndryshe nga rastet e mësipërme, ka një borxh me shtetin që lidhet me tatimet dhe më tepër me kamat-vonesat e detyrimit. Gjithsesi, burime konfidenciale pranë Gazetasi.al konfirmojnë se për një periudhë relativisht të shkurtër, presidenti shkodran ka arritur të bëjë pagesa që variojnë nga 500 në 800 milionë lekë të vjetra, për të shmangur ngërçin e moslicensimit dhe duke ju përmbajtur kështu marrëveshjes që ka me institucionin e tatim-taksave.

Ndërkaq klubi i Dinamos ka marrë një njoftim javën e shkuar për një bllokim të merkatos nga FIFA, për një detyrim ndaj palëve të treta, të cilin e ka mbyllur ditën e djeshme dhe kanë arritur që brenda dy ditëve të zhbllokojnë merkaton dhe të jenë të qetë për procesin e licensimit. Ndërkaq edhe klubet që ndodhen më poshtë në renditje kanë probleme të ngjashme, por duke qenë se nuk kanë arritur as kriterin sportiv, për momentin mbeten jashtë këtij diskutimi.

Skuadra e Skënderbeut që është gjithashtu në garë për një vend brenda katërshes, siç e dimë ka një dënim prej 10 kualifikimesh, jo 10 vitesh nga UEFA, për akuzën e trukimit të ndeshjeve të marrë disa vite më parë dhe që qëndron në fuqi, duke qenë se ata nuk kanë arritur të zgjidhin këtë situatë dhe në këtë edicion vijnë nga Kategoria e Parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë