Art dhe Kulture

Requiem për babanë – Ndahet nga jeta poeti Faslli Haliti

Vdiq babai,

Bota s’i uli flamurët,

Vetëm ne bijtë dhe nëna kokat ulëm,

Fqinjët fikën radiot deri vonë,

Fëmijët e lagjes s’erdhën atë ditë

Të luanin në oborrin tonë.

Kështu  i tha lamtumirë të atit, piktori Helidon Haliti, duke zgjedhur pikërisht vargjet e poetit i cili më 1968-n i pat shkruar për atin e tij.

Faslli Haliti, poet  dhe shqipërues por edhe i njohur për pikturat dhe historiografinë u nda sot nga jeta në moshën 85-vjeçare. Haliti u lind më 5 dhjetor 1935 në Lushnjë. Pasi kreu Liceun Artistik për pikturë, u diplomua për gjuhë-letërsi dhe nisi fillimisht punën si mësues vizatimi në vendlindje.

“Ishte viti 1963, kur unë isha mësues vizatimi. Deri në këtë moment s’kishte ndodhur asgjë. Në vitin 1966 unë mora pjesë në një konkurs në Lushnjë, që bëhej për festat, ishte një cikël me 10 poezi. Aty ishte një poezi me titullin Shtergët: Ju shtergët bridhni pas pranverave/ Dhe atdheun e lini/ Në breshër, në baltë, në shi/ ju pas pranverave bridhni/ Pas pranverave kokën lini… Kjo poezi u kritikua ashpër në gazetën “Drita”, ku tërthoras kritikohej edhe redaktori, që ishte Kadareja”, rrëfente pak kohë më parë në një intervistë Haliti, sesi nisi rrugëtimin me poezinë, e cila hasi në kritika edhe të ashpra të regjimit, ku u detyrua të punonte si kooperativist i thjeshtë dhe iu mohua e drejta e botimeve.

Poeti Faslli Haliti, skicë nga Bujar Kapllani

Sipas studiuesit Leka Ndoja, Poezia e Faslli Halitit e riprodhon realitetin në thonjëza, kjo është veçoria e këtij poeti që risolli mjetet revolucionare të Majakovskit me të vërtetë, por e ndërtoi mbi një regjistër komik, për ta stigmatizuar fenomenin e zbrazur, “marksizmin vulgar” nga tonaliteti ampoloz, duke e bërë qesharak përmes intonacionit të ulët. “Poet me vokacion social, që me guximin e shprehjes ai linte pak alternativa të interpretimit, Haliti ushtronte trysni mbi theksin propagandistik duke e zhvendosur theksin e kuptimit duke e kanalizuar në një kuptim të përmbysur burlesk. Dykuptimësia e brishtë e poezisë së Halitit, me ta dekoduar, kalon në njëkuptimësi”, e vlerëson Ndoja.

Krahas poezisë, Haliti ishte i dhënë edhe pas pikturës. “Unë pikturën e kam në shpirt”,  thoshte ai, ndërsa më 1953 kishte fituar konkursin për të hyrë në Liceun Artistik, dega pikturë.Pas shërbimit ushtarak – ku rrëfente se ishte shndërruar në piktorin e repartit-, iu pengua rikthimi në Lice.

Me ndërrimin e regjimeve qe aktiv në disa botime antologjie në disa gjuhë si italisht, anglisht, gjermanisht e greqisht dhe përktheu poetë si Ungaretti, Prevert e Esenin,  ndërsa publikoi dhjetëra libra, kryesisht poezi. Më 1998 zgjidhet deputet i Kuvendit, duke shërbyer për një legjislaturë deri më 2001-shin.

“Ma kërkuan të kandidoja, më pyetën. Pranova, pasi më thanë se isha i vlefshëm për të kontribuar për demokracinë! Të kontribuoja për demokracinë, isha jo vetëm dakord, por plotësisht i gatshëm. E kam thënë edhe në poezinë time se kam qenë dhe jam për socializmin demokratik – human – dhe jo për socializmin administrativo-komandues, siç qe përvoja jonë e hidhur”, përgjigjej Haliti kur e pyesnin se përse i kishte hyrë karrierës politike.Kontributi i tij u nderua me dekoratën e Urdhrit “Naim Frashëri i Artë”,  pas dy dekoratash të mëparshme të klasit të III dhe klasit të I-rë, ndërsa qyteti i Lushnjës e pati shpallur qytetar nderi.

Rrëfente se rezistencën si poet e gjente tek  shqetësimet sociale, të përditshme. “E reflektoj si dhimbjen, hidhërimin, gjendjen e trishtuar, të vështirë, ashtu edhe gëzimin, lumturinë e njerëzve. Dua t’i shoh njerëzit të kenë një buzëqeshje, pavarësisht se nuk mund të jenë gjithnjë të hareshëm”, rrëfente poeti.

Keq ne s’na erdhi aspak

Që bota babanë

S’e qau.

Por mirë na erdhi sa s’ka

Që bota babanë tonë s’e shau”, shkruante Faslli Haliti  në poezinë e tij “Requiem për babanë”, ndërsa me këtë poezi është i biri që përcjell me dhimbje të atin nga kjo botë…


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë