Treg

Rënia e çmimeve të energjisë nxit perspektivën e rritjes së BE-së

Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) në BE parashikohet të arrijë në 1.0% në 2023 dhe 1.7% në 2024, në ndryshim nga parashikimi i mëparshëm prej 0.8% dhe 1.6%.

Ekonomia europiane vazhdon të jetë elastike, në një kontekst sfidues global dhe tani pritet të rritet më shumë se sa pritshmëritë.

Kjo për shkak të çmimeve më të ulëta të energjisë, zbutjes së kufizimeve të ofertës dhe tregut të fortë të punës, që mbështeti rritjen e moderuar në tremujorin e parë të 2023, duke larguar njëherë e përgjithmonë frikën e recesionit.

Irlanda pritet të shënojë rritjen më të lartë nga 27 shtetet anëtare të bllokut, 5.5% këtë vit dhe 5.0% në 2024. Megjithatë, Suedia dhe Estonia parashikohet të kenë rënie, me PBB -0.5% dhe -0.4% respektivisht. Për vendin baltik, 2023 është viti i dytë radhazi me rritje negative, por më pas parashikohet të rimëkëmbet fuqishëm dhe të rritet me 3.1% në 2024.

Fuqia ekonomike e bllokut, Gjermania, ndërkohë parashikohet të ketë rritje prej vetëm 0.2% për 2023, e ndjekur nga 1.4% vitin e ardhshëm. Franca duhet të jetë pak më mirë këtë vit, 0.7%, dhe të dyfishojë rritjen vitin e ardhshëm.

Në bazë të presioneve të vazhdueshme të çmimeve bazë, inflacioni është rishikuar dhe parashikohet të jetë në rritje, krahasuar me dimrin, 6.7% në 2023 dhe 3.1% në 2024.

Hungaria do të jetë më e ndikuara, me inflacion 16.4% këtë vit, e ndjekur nga Çekia dhe Polonia me vlera afër 12%.

Luksemburgu, Belgjika dhe Spanja kanë vlerat më të ulëta të inflacionit – midis 3% dhe 4% – këtë vit.

Qeveritë duhet të jenë në gjendje të heqin gradualisht masat mbështetëse dhe të ulin nivelin e borxhit.

Pas kulmit në vitin 2022, inflacioni total vazhdoi të bjerë në tremujorin e parë të 2023, mes një ngadalësimi të mprehtë të çmimeve të energjisë. Megjithatë, inflacioni bazë (inflacioni total duke përjashtuar energjinë dhe ushqimin e papërpunuar), rezulton më i qëndrueshëm.

Në mars ai arriti një nivel historik prej 7.6%, por parashikohet të bjerë gradualisht gjatë horizontit të parashikimit, pasi marzhet e fitimit thithin presionet më të larta të pagave dhe kushtet e financimit shtrëngohen.

“Inflacioni ka rezultuar më i qëndrueshëm se sa pritej, por parashikohet të bjerë gradualisht gjatë pjesës së mbetur të 2023 dhe në 2024. Përmirësimi në financat publike do të vazhdojë, ndërsa masat e mbështetjes për energjinë, janë tërhequr në mënyrë progresive”, tha Komisioneri i Ekonomisë i BE-së Paolo Gentiloni.

Parashikimi Ekonomik i Komisionit Europian për verën 2023, do të përditësojë parashikimet e PBB-së dhe inflacionit, si dhe pritet të prezantohet në korrik 2023.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë