Ngjarje

Reforma territoriale dështoi. Raporti: U fry administrata, u ulën shërbimet

Raporti “Qeverisja vendore në Shqipëri, situata aktuale” i Shoqatës së Bashkive nxjerr në pah një sërë problematikash, të trashëguara ndër vite por edhe të prodhuara nga reforma territoriale e 2015, për të cilën thotë se nuk duhet të konsiderohet tabu ndryshimi.

Shoqata vë në dukje pamjaftueshmërinë financiare të 61 bashkive për të plotësuar dhe përmirësuar shërbimet për qytetarët. Një prej objektivave të reformës administrativo-territoriale ishte ulja e kostove operative dhe të shërbimeve përmes reduktimit të burimeve njerëzore, që konsideroheshin të tejfryra.

Sa është realizuar ky objektiv? Nga raporti i Shoqatës së Bashkive kuptohet që jo vetëm këto kosto nuk janë ulur, në një pjesë të bashkive nuk janë përmirësuar as shërbimet në drejtim të qytetarëve të tyre dhe për më tepër, numri i punonjësve në pushtetin vendor është rritur me rreth 40 për qind.

“Në vitin 2015, në të 65 bashkitë dhe 308 komunat, numri total i punonjësve ishte 19.625, sipas Raportit të Avokatit të Popullit të vitit 2016. Po sipas këtij raporti, në vetëm 51 bashki janë larguar në total 3059 punonjës. Deri në dhjetor 2018, numri i punonjësve në 61 bashki është 33.500 sipas të dhënave të Ministrisë së Financave. Kjo tregon për një numër të madh punonjësish që u zëvendësuan me punonjës të rinj”, thuhet në raport.

Numrin më të madh të punonjësve e ka Bashkia e Tiranës, me 6000, ndërkohë që numrin më të vogël Bashkia e Pustecit me 64 punonjës.

Burimet njerëzore nuk janë e vetmja problematikë. Sikur të mos mjaftonte pamjaftueshmëria financiare për pushtetin vendor në realizimin e investimeve dhe shërbimeve për qytetarët, shpesh edhe ato projekte që duhet të realizohen bllokohen, ose devijohen si pasojë e sherrit politik në këshillat bashkiakë, ose përplasjes mes këshillave bashkiakë me kryebashkiakët.

Raporti gjen disa faktorë kryesorë që po pengojnë përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.

“Klima politike polarizimi në skaje dhe përplasjet në këshilla, apo mes kryetarit dhe këshillit; faktori administrativ me legjislacion të paqartë e jo shterues dhe kapacitetet e dobta për interpretim dhe zbatim, faktori financiar, por dhe kapaciteti i dobët vendor për të gjeneruar të ardhura vendore, shpërndarja e fondeve për investime pa kritere dhe proces transparent, faktori teknologjik (edhe pse shumë progres është bërë kohët e fundit sërisht teknologjia nuk po arrin të përmirësojë shërbimin për qytetarin”, vërehet aty.

Shoqata e Bashkive mes zgjidhjeve propozon rritjen e transfertës financiare të pakushtëzuar për pushtetin vendor nga 1 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto që është aktualisht në 2 për qind të PBB-së, duke filluar që nga viti i ardhshëm.

Raporti konfirmon një problematikë që ka shoqëruar gjithë tranzicionin shqiptar, atë të mungesës së financimeve nga ana e Qeverisë qendrore për bashkitë e kontrolluara nga kundërshtarët politikë.

“Retorika e ashpër që karakterizon politikën në Shqipëri ka prekur dhe marrëdhëniet mes qeverisë dhe bashkive të kahut tjetër politik. Shumë e fortë ka qenë përballja dhe debati mes Kryeministrit me kryetarë të bashkive të djathta. Këto përplasje nuk i shërbejnë asnjëherë debatit konstruktiv dhe klimës së bashkëpunimit duke u kthyer në një model të keq e shpeshherë dhe pengesë për financimin e projekteve të ndryshme për bashkitë e djathta. Kjo situatë është transmetuar fatkeqësisht dhe në ndarjen e fondeve të investimit nga qeveria qendrore përmes ministrive apo agjenci të tjera. Pasojat e kësaj retorike ndihen në shpërndarjen e fondeve të investimit nga Komiteti për Zhvillimin e Rajoneve, apo miratimin e projekteve infrastrukturore të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, fonde dhe projekte të cilat në shumicë kanë shkuar drejt bashkive të majta dhe ka pasur një çekuilibër domethënës sjellë nga interesat partiake”, vijon raporti.

Raporti vëren gjithashtu se në një pjesë të mirë të bashkive janë rritur taksat vendore, por nuk është zgjeruar baza e taksapaguesve.

Reforma administrative pasoi zgjerimin e një sërë bashkish me territore të largëta rurale. Distanca dhe mungesa e infrastrukturës e bëjnë të vështirë edhe ofrimin e shërbimeve më bazike për qytetarët. Si zgjidhje, Shoqata e Bashkive jep dy këshilla për të përmirësuar shërbimin ndaj tyre. Së pari është rishikimi i kufijve mes bashkive dhe së dyti dhënia e më shumë kompetencave për njësitë administrative, që sipas raportit, sot janë njësi tejet pasive në shërbim të qytetarit.

Raporti gjen gjithashtu mungesën e transparencës dhe të llogaridhënies në pjesën dërrmuese të bashkive, mungesën e marrjes së mendimit qytetar dhe dëgjimit të zërit të tyre për zhvillimin e zonës, apo zonave, si dhe shpërfilljen që i bëhet shpesh ligjit për vetëqeverisjen vendore të miratuar në 2015.

Raporti gjen mungesën e transparencës dhe të llogaridhënies në pjesën dërrmuese të bashkive, mungesën e marrjes së mendimit qytetar dhe dëgjimit të zërit të tyre për zhvillimin e zonës, apo zonave, si dhe shpërfilljen që i bëhet shpesh ligjit për vetëqeverisjen vendore të miratuar në 2015. Megjithatë, Shoqata e Bashkive kërkon që të vazhdohet me reformimin e pushtetit vendor edhe në nivel të dytë, që është në shkallë qarku.

Aktualisht në këtë nivel Shqipëria ndahet në 12 qarqe. Ekzistojnë disa propozime për ndarjen e re, mes të cilëve si më i mundshmi është ai i krijimit të katër rajoneve të mëdha në të gjithë territorin e vendit. Por, pengesë është konsensusi politik, pasi ndryshimet ligjore për ndarjen e re kërkojnë shumicë të cilësuar votash në Kuvend, që Partia Socialiste e vetme nuk e ka.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë