Portofol

“Bashkitë mbushën arkat, por qytetarët nuk e ndjenë”

Pavarësisht statistikave, decentralizimi i pushtetit vendor ka probleme serioze.
Shpërndarje e pabalancuar e të ardhurave mes njësive administrative, taksa që shkelin parimet e politikave fiskale në kurriz të qytetarit, rritje të shpenzimeve operative dhe jo investime për të zhvilluar dhe rritur qytetarët; janë disa nga problematikat e thekshme që artikuluan ekspertët në fushën e finacave publike në një panel ku u diskutua raporti i Financave Vendore për 2018-ën i Cooplan.

Raporti në vetvete evidenton se analiza e detajuar në nivel bashkie dhe sipas zërave specifikë, sinjalizon një gjendje delikate të autonomisë vendore.

Raporti thotë se të ardhurat rezultojnë me rritje në një numër të kufizuar bashkish dhe në buxhetet e tyre ky përmirësim është diktuar nga rritja e të ardhurave nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja.

Natyra e paqëndrueshme e të ardhurave nga kjo taksë dhe mbledhja e mbi 75% e të ardhurave prej saj në tre bashki, thotë raporti, sinjalizon për dobësi strukturore në autonominë fiskale vendore.

Bashkitë planifikuan të realizonin 27,2 mld lekë nga të ardhurat nga burimet e veta. Krahasuar me sa buxhetuar, të dhënat tregojnë për një realizim prej rreth 24,2 mld lekësh për vitin 2018-të, rreth 2,9 mld lekë më pak nga sa është paarshikuar apo 10,9 % më pak se plani. Në nivel bashkie, hendeku midis të ardhurave të planifikuara dhe atyre të realizuara është i qenësishëm dhe në përgjithësi, bashkitë mbivlerësojnë parashikimet për nivelin e të ardhurave për vitin buxhetor.

Në nivel bashkie:
Rreth 13,1 % e bashkive ose 8 nga 61 realizojnë 50 % të të ardhurave të planifikuara.
29,5 % 18 nga 61 realizojnë 50-70% të të ardhurave të planifikuara.
49,2% ose 18 nga 61 bashki realizojnë rreth 71-100% të të ardhurave të planifikuara.
8,2% ose 15 nga 61 realizojnë mbi 100% të të ardhurave të planifikuara.
Raporti thekson se roli i të ardhurave nga taksat, tarifat dhe burimet e tjera vendore në buxhetin e pushtetit lokal ndryshon ndjeshëm ndërmjet 61 bashkive.
Të ardhurat nga taksat vendore për 2018-ën kanë rezultuar 4,8 pikë përqindjeje nën mesataren afatgjatë prej rreth 64,5%.

Por në terma nominalë, të ardhurat nga taksat vendore rezultuan 14,5 mld lekë me një rritje prej 14,1 % krahasuar me vitin e mëparshëm.

Por, me gjithë rritjen në terma vjetorë, raporti analizon se në vështrim të hollësishëm evidenton dobësitë afatgjata apo varësinë ndaj një numri të kufizuar taksash.
Edhe të ardhurat nga tarifat vendore rezultojnë me rritje, 9,6 mld lekë ose 26,9 % më të larta në terma vjetorë.

Burimet financiare totale në 2018-ën për pushtetin vendor kanë rezultuar 83, 1 mld lekë.
Në kahun e shpenzimeve, sipas raportit, mesatarisht qeverisja vendore kanalizon mbi 70 % të burimeve financiare totale për mbulimin e shpenzimeve korente dhe 30% për shpenzime kapitale.

Shpenzimet kapitale të kryera nga qeverisja vendore përfaqësuan rreth 1,4% të PBB-së nominale në 2018-ën, raport ky me rënie me rreth 0,3 pikë përqindjeje krahasuar me vitin e mëparshëm.

Ku shkojnë paratë e qytetarëve? Çfarë mendojnë ekspertët...

Gjatë diskutimit rreth raportit, ish-ministri i Financave Arben Malaj, ngriti diskutimin se nuk janë të ardhurat parësore në bisedën për zhvillim të bashkive, por shërbimet që u shkojnë qytetarëve përmes decentralizimit. Pastaj, tha ai, na lind shqetësimi cilat janë burimet.

Malaj e vuri theksin tek shqetësimi në lidhje me politikën tatimore, “konkretisht si i mbledhim ato që duam.”

“Ne kemi rastin e Bashkisë së Tiranës, ku taksa për arsimin është antikushtetuese. Bashkitë nuk vendosin taksa për funksione të përgjithshme që ka për detyrë t'i mbulojë buxheti shtesë. Qytetarët e paguajnë taksën për arsimin e fëmijëve të tyre në kuadrin e taksave të përgjithshme që i shkojnë buxhetit të shtetit. Ka probleme thellësisht cilësore që duhen diskutuar për hir të autonomisë. Nëse mendojmë që të ardhurat e mbledhura nga kryetarët e bashkive të shkelin parimet e politikave fiskale, rezulton të ndryshojmë shifrat, por jo realitetin konkret”, u shpreh Malaj.

Sipas Selami Xhepës, President i Universitetit Europian të Tiranës, autonomia dhe decentralizimi i pushtetit vendor - përtej shifrave - ka probleme shumë serioze.
Për Xhepën, mënyra e ndarjes së të ardhurave është e pandershme, sepse kemi rajone shumë të pasura dhe gjithë varësia e tyre është nga pushteti qendror. “Është një non sense krejt i plotë. Kemi nevojë të dimë kush është kryetari i Bashkisë, jo kryeministri. Ka probleme thelbësore me të ardhurat që gjenerohen, por edhe mënyra se si shfrytëzohen këto burime. Alokimi i burimeve në pushtetin vendor ka problem serioze. Janë përqëndruar në qytete ku kryetari i bashkisë merr vota. Në fakt qëllimi i decentralizimit është optimizimi i burimeve, por jo duke krijuar një ndasi të madhe. Edhe këshillat bashkiake janë problematikë”, argumentoi Xhepa.

Irena Beqiraj, ish-zv/ministre e Financave në 2014-n evidentoi problematikën e planifikimit të të ardhurave dhe shpenzimeve, jo vetëm në nivel lokal, sipas saj, por edhe në atë qendror.

“Shpenzimet kapitale janë ulur, ndërsa të ardhurat mblidhen nga taksa e infrastrukturës. Përderisa të ardhurat i mbledh nga kjo taksë, do të thotë që të bësh më shumë investime në rrugë, shkolla, kopshte, ujësjellsa etj që qyteti të zhvillohet”, tha ajo.

Dritan Shano, ekspert në fushën e ekonomisë, do ta komentonte gjatë bisedës nivelin e decentralizimit të pushtetit vendor si shumë problematik.

Sipas tij, vërehet një tendencë e kryetarëve të bashkive për të krijuar një pushtet mbi votat dhe jo zhvillimin për qytetarët e tyre.

Të krijohet, tha ai, idea se është rritur mirëqenia e bashkive, por jo e qytetarëve. Kjo të çon në një pyetje: Ku shkojnë këto para? Raporti nxjerr një shpërndarje të parave të pabalancuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë