Para

Borxhi i qeverisë vendore, Konispoli bashkia me detyrime më të larta për frymë

Përpos borxhit publik, qytetarëve shqiptarë u rëndojnë në xhepat e tyre edhe detyrimet e pushtetit vendor.

Sipas Raportit të Financave Vendore për 2018-ën, mesatarisht, detyrimet e prapambetura të bashkive rëndojnë qytetarët për rreth 2,418 lekë për frymë. Në nivel bashkie, detyrimet e prapambetura për frymë shënojnë vlerën maksimale në bashkinë Konispol me rreth 13,755 lekë për frymë dhe vlerën minimale në bashkinë Maliq me rreth 57 lekë për frymë.

Referuar të dhënave që janë publikuar në regjistrin e borxhit në fund të vitit 2018, rezulton se bashkitë Korçë, Pogradec, Vlorë, Elbasan, Lezhë dhe ish-komuna Petrelë kanë përfituar hua. Të gjitha huatë e lartpërmendura janë kontraktuar në vitin 2010 dhe vitin 2014, me qëllim financimin e projekteve infrastrukturore.

Në total, stoku i borxhit të qeverisjes vendore në fund të vitit 2018 rezulton të jetë rreth 715.7 milionë lekë ose rreth 0.043% ndaj PBB-së. Pas vitit 2014, asnjë nga bashkitë e reja nuk rezulton të ketë marrë hua të reja, pavarësisht nevojave të theksuara për investime, të cilat në bashkitë e mëdha janë adresuar nëpërmjet përdorimit të skemave të PPP-ve.

Krahas treguesve të borxhit, bashkitë në vend mbartin ndër vite stokun e detyrimeve të prapambetura, të cilat në fund të vitit 2018 u vlerësuan në rreth 6.8 miliardë lekë ose 9.5 herë më i lartë se stoku i borxhit të qeverisjes vendore. Në raport ndaj PBB-së, detyrimet e prapambetura përfaqësuan rreth 0.41%.

Detyrimet e prapambetura, sa rëndojnë në buxhetet e bashkive?

Bazuar në të dhënat e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në fund të vitit 2015, stoku i detyrimeve të prapambetura ishte rreth 11.8 miliardë lekë, vlerë kjo shqetësuese si në nivel vendor ashtu dhe në nivel qendror. Shlyerja e këtyre detyrimeve, pjesërisht të krijuara nga ish-komunat që iu bashkëngjitën bashkive të reja në vijim të reformës administrative dhe territoriale përbën barrë të qenësishme për buxhetet vendore. Në këtë kuadër, qeveria qendrore merr përsipër vetëm “shlyerjen e detyrimeve për punimet e kryera, por të papaguara në kuadër të financimeve nga Fondi për Zhvillimin e Rajoneve, si edhe transfertat për përfitimet e paaftësisë.

Në total, stoku i detyrimeve deri në fund të vitit 2018 shënoi rreth 6.8 miliardë lekë. Krahasuar me stokun e detyrimeve të prapambetura në fund të vitit 2017, stoku aktual rezulton të jetë ngushtuar me rreth 2.4 miliardë lekë, ose me rreth 26.9%. Kontributin kryesor në tkurrjen e detyrimeve të prapambetura e dhanë bashkitë Tiranë, Selenicë, Korçë dhe Prrenjas. Në të kundërt, rreth 54.1% e bashkive (ose rreth 34 bashki) rezultojnë të kenë rritur stokun e detyrimeve të prapambetura në fund të vitit 2018 krahasuar me nivelin e tij në fund të vitit 2017. Rritje e qenësishme vihet re në bashkitë Kamëz, Dibër, Bulqizë Mat, Mirditë, dhe Ura Vajgurore. Në nivel bashkie, rreth 68.3% e stokut të detyrimeve të prapambetura mbartet nga 10 bashki.

Nivelin maksimal te detyrimeve të prapambetura e ka bashkia Tiranë me rreth 2.0 miliardë lekë, ose 29.5% ndaj stokut total në fund të vitit 2018. Bashkia Pogradec renditet e dyta për nga niveli i detyrimeve të prapambetura, me rreth 417.4 milionë lekë, ose rreth 6.2% ndaj totalit. Në të kundërt, bashkitë Këlcyrë dhe Shijak kanë stokun më të ulët të detyrimeve të prapambetura për periudhën e marrë në studim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë