Arsim

KLSH që në shtator kërkoi masa për sigurinë e shkollave dhe çerdheve

Nga Bledar Hoti - Përpara fatkeqësive natyrore që solli vdekjen e 51 personave nga tërmeti i 26 nëntorit dhe 9 ditë pas tërmetit te 21 shtatorit, Kontrolli i Lartë i Shtetit kishte depozituar pranë ministrisë së Infrastrukturës një raport prej 87 faqesh mbi sigurimin e cilësisë së veprave ndërtimore. Një vëmendje të veçantë, KLSH i ka kushtuar sigurisë të objekteve shtetërore si shkollave, kopshteve dhe çerdheve. Në këtë raport kërkohet që të kryhet kontrolli teknik për qëndrueshmëri e godinave nga pikëpamja antisizmike dhe të kryhet përforcimi i strukturave.
“Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës, të hartojë një qarkore për Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve dhe njësitë e vetëqeverisjen vendore, për të gjithë projektet e reja për rikonstruksionin e infrastrukturës arsimore ose të tjera, ku pikësëpari të kërkohet vlerësimi strukturor i konstruksionit ekzistues, në mënyrë që në preventivët e rikonstruksionit të objekteve, në qoftë se është e nevojshme, të përfshihet përforcimi i strukturës dhe rritja e qëndrueshmërisë sizmike”, thuhet në rekomandimin e raportit të KLSH-së të siguruar nga Gazeta “Si” që mban daten 30 shtator 2019. Ky institucion kërkon që ky vlerësim të kryhet menjëherë dhe në vijimësi.

Faksimile e rpaortit të KLSH-së. Gazeta "Si" 15 dhjetorit, 2019

Në këtë dokument vërehet se janë nxjerrë një sërë vendimesh nga ana Qeverisë për standardet e projektimit të banesave, çerdheve, shkollave dhe kopshteve, por i ka cilësuar ato si pamjaftueshme. “Megjithëse në standardet e projektimit për godinat e sipërpërmendura kanë një shumëllojshmëri rekomandimesh, në standardet e projektimit të çerdheve, shkollave dhe banesave nuk paraqitet në asnjë pjesë të tyre ndonjë rekomandim ose referencë në lidhje me llogaritjen antisizmike të strukturave. Vetëm në standardet e projektimit të kopshteve ka disa rekomandime dhe referenca për sa i përket projektimit të strukturës të ndërtesës rezistente ndaj tërmeteve. Ndërsa për sa i përket riaftësimit strukturor të ndërtesave ekzistuese të kopshteve jepet një rekomandim, i cili është evaziv dhe jo specifik, i cili nuk orienton lehtësisht projektuesit në rast se kërkohet një projekt riaftësimi strukturor”, thuhet në këtë raport.

Raporti i KLSH-së, faksimile. Gazeta "Si", 15 dhjetor 2019

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka vërejte edhe për referencat që merren për Eurokodet 1998-3, për riaftësimin strukturor nuk janë të mjaftueshme, sepse janë në gjuhën angleze dhe ato në shqip kanë probleme me përkthimin. “Ndërsa Eurocodet të cilat janë në gjuhën shqipe kanë problematika për sa i përket aksesit nga përdoruesit, terminologjisë, mënyrës së përkthimit dhe fuqisë ligjore në territorin e RSH. Gjithashtu është konstatuar, se në projektet e rikonstruksionit të objekteve të infrastrukturës arsimore, megjithëse janë objekte të ndërtuara përpara viteve '90-të, përveç punimeve të rinovimit arkitektonik, rifiniturave, sistemeve elektrike dhe mekanike, mungojnë punimet/masat për përforcimin e strukturave dhe rritjen e qëndrueshmërisë sizmike së tyre”, thuhet në raport.

Faksime e raportit të KLSH-së. Gazeta Si, 16 dhjetor 2019


“Cilësia e materialeve jashtë kontrollit”
Në raportin që disponon Gazeta “Si”, KLSH ngre shqetësimin për cilësinë e materialeve të ndërtimit që është plotësisht jashtë kontrollit. “Nga auditimet e mëparshme të kryera në objekte të ndryshme ndërtimore të prokuruar nga institucione shtetërore, është konstatuar përdorimi i materialeve të një cilësie tepër të dobët dhe jo sipas standardeve, duke filluar nga pllakat e gurit për shtrimin e shesheve të qyteteve, betoneve për bordura, materialet për veshjen e fasadave, materiale për suvatime dhe bojatisje. Ndërsa në punimet e dyerve dhe dritareve të objekteve të infrastrukturës shkollore nuk ruhet asnjë standard për izolimin termik dhe akustik, duke qenë se analiza e çmimeve përcakton disa elementë përbërës të zërave të punimeve, por nuk përcakton standarde konkrete izolimi termik dhe akustik që duhet ti përmbahen”, thuhet më tej në këtë raport të KLSH-së. Në shumicën e rasteve, sipas KLSH-së, analizat e materialeve të përdorura kryhet në laboratorë privatë, të porositura jo nga institucioni investitor, por nga zbatuesit e punimeve, veprim i cili mund të konsiderohet “konflikt interesi”.

Nga prishja e shkollës së dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit ne Pezë. Gazeta "Si" 16 dhjetor 2019

Ndërsa për sa i përket oponencave të projekteve, këto institucione nuk pasqyrojnë në mënyrë korrekte mangësitë e evidentuara nga oponenca. Njësitë e pushtetit vendor, thekson më tej raporti, për të gjitha investimet që kryejnë kanë për detyrë të kryejnë kontrollin e cilësisë së projekteve dhe materialeve dhe produkteve të përdorura në punimet e ndërtimit. Nga tërmeti i 26 nëntorit u shkatërruan një numër i konsiderueshëm të banesave, pallateve dhe të objekteve shtetërore. Bazuar në të dhënat e Ministrisë se Infrastrukturës dhe Energjisë në lidhje me masat e marra nga Komisioni i Dhënies së Licencave Profesionale, për individë ose subjektë të cilët janë konstatuar me shkelje dhe nga subjekte të ndryshme, përshirë edhe KLSH, për vitet 2017-2019 janë rekomanduar heqja e liçencës së projektimit, mbikëqyrjes, kolaudimit për 11 subjekte, ku është penalizuar vetëm 1 subjekt me heqje licence dhe 3 raste janë në shqyrtim. Janë rekomanduar nga subjekte të ndryshme heqja e 9 licencave të zbatimit të punimeve të ndërtimit për shoqëri të ndryshme, ku janë penalizuar 14 drejtues teknikë me pezullim ose heqje licence, 1 shoqëri me heqje të së drejtës së ushtrimit të aktivitetit në fushën e zbatimit në ndërtim dhe 1 shoqëri me heqje të kategorive të licencës.

Nga prishja shkollës 9-vjeçare në Bubq, i prekur nga tërmeti. Gazeta "Si", 16 dhjetor 2019

Në raportin më të fundit të paraqitur nga ministri Bledar Çuçi theksohet se “në të gjitha zonat e prekura nga tërmeti janë inspektuar14069 objekte, nga të cilat: 261pallate janë dëmtuar rëndë dhe janë të pabanueshme përkohësisht; 2237 banesa janë dëmtuar rëndë dhe janë të pabanueshme përkohësisht; 851 pallate kanë pësuar dëmtime të mesme dhe të lehta; dhe 4618 banesa kanë pësuar dëmtime të mesme dhe të lehta”. Sa i përket shifrave të dëmtimeve të objekteve arsimore, theksohet se janë 218 gjithsej të dëmtuara dhe së dëmi i tyre shkon 3.05 Miliardë Lekë. Sipas Qendrës së Operacionit për Menaxhimin e Fatkeqësisë Natyrore se 176 objekte shkollore kanë pësuar dëme të lehta; 6 objekte kanë pësuar dëme të konsiderueshme; dhe 36 objekte kanë pësuar dëme të rënda. Qeveria ka nisur shembjen e këtyre shkollave në Shkozet, Pezë dhë në Darëzezë të Fierit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë