Lajme

Ra ky tërmet e …të nisë rikonceptimi GKA-së dhe Muzeut Historik lajmëruar dy vjet më parë

Më shumë sesa etja për art pas pandemisë, ishte tërmeti që e nxori thuajse të gjithë arkivin  e pikturave e të skulpturave, rrëfente ciceroni në Galerinë Kombëtare të Arteve, ndërsa kjo e fundit i hapi dyert për sezonin e ri me një ekspozitë, që si për nga periudha e shtrirjes kohore ashtu edhe e zhanreve, ishte e gjerë dhe e pangjashme me ato, që të paktën ishin çelur nën drejtimin e Erzen Shkolollit, i filozofisë “ekspozita më pak, por të kuruara mirë”.

Për nga vendosja e skulpturave, si ushtri  allçie dhe nga pluhuri që i kish mbuluar , dukej sikur ishin nxjerrë nxitimthi me frikën dhe shpresën e kujt kërkon të shpëtojë me ç’të mundë veprat e artit nga katastrofa natyrore. Veçse tërmeti shkatërrimtar e goditi vendin më 26 nëntor, që pasoi me muaj të gjatë karantine, ku asnjë prej institucioneve, përfshirë edhe ato të artit dhe kulturës, nuk i hapën dyert.

Për të mos i lënë të degradonin në mjediset ku ruhen veprat e koleksionit të GKA-së, stafi mendoi të organizonte këtë ekspozitë.

E ndonëse ajo është ende e hapur për publikun, ministrja e Kulturës Margariti do të njoftonte se marrëveshja 40 milionë euro që u firmos me Bashkimin Europian për restaurimin dhe rijetëzimin e monumenteve të dëmtuara nga tërmeti, do të niste të implementohej  pikërisht nga Galeria Kombëtare e Arteve dhe Muzeu Historik Kombëtar.

“Do ndërhyhet fillimisht në 50 monumente. Ky do jetë program i gjatë që do zgjasë deri në 3 apo 4 vite, Por rëndësi ka rijetëzimi i këtyre monumenteve. Galeria e Arteve dhe Muzeu Historik Kombëtar janë pjesë e këtij studimi”, do të deklaronte Margariti në një intervistë televizive, ndërsa marrëveshja me BE-në  dhe UNOPS – Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekteve –, u nënshkrua në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore.

Por, si Galeria Kombëtare e Arteve dhe Muzeu Historik Kombëtar ishin planifikuar për restaurim shumë përpara se të godiste tërmeti i 26 nëntorit.Në një intervistë dhënë për Gazeta Si, drejtori i GKA-së, do të thoshte se projekti për rikonstruksionin e godinës, ishte prezantuar në të njëjtën kohë me ardhjen e tij në detyrë. |

“Është moment i rëndësishëm për GKA-në, por edhe për ndërtesën, e cila është nën mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës. Realizimi do kohë, si në çdo projekt të këtyre përmasave. Që të jemi të qartë, çdo restaurim i një ndërtese të vjetër me problemet që ka Galeria, si investim është shumë i madh se ndërtimi i një të reje. Duhet të kemi mirëkuptim dhe durim për mbledhjen e fondeve, që do të dedikohen për një ndërtesë të tillë”, shprehej Shkololli, ndërsa vetëm pak ditë më parë,  BE dha 40 milionë euro për restaurimin dhe rijetëzimin e monumenteve të Kulturës.

Ministrja Margariti gjatë nënshkimit të marrëveshjes 40 milionë euro me BE

Megjithatë, në profilin e saj të Facebook-ut, Margariti saktësonte se nuk do të ishin të përfshira vetëm ato të dëmtuara nga tërmeti.“Koleksioni është një histori e artit dhe duhet të sistemohet dhe ruhet për gjeneratat e reja”, sqaronte Shkololli. E ndërsa pritej që restaurimi i përfolur të niste dy vite më parë, një instalacion që e mbuloi godinën me thasë jute, krijoi nga jashtë përshtypjen se brenda kishin nisur punimet restauruese.

Por bëhej fjalë për veprën “Pallati i Ëndrrave” të artistit Ibrahim Mahama, e frymëzuar nga romani me të njëjtin titull i Ismail Kadaresë,  e menduar të ekspozohej  më 27 nëntor, si pjesë e ekspozitës “Tirana Patience” . Ndonëse ekspozita u shty për shkak të goditjeve të tërmetit, thesi gjigant mbeti për një kohë të gjatë, duke shkaktuar edhe kritika të shijeve estetike të qytetarëve

“Edhe sikur restaurimi të nisë vitin e ardhshëm, Galeria me administratën, me 28 punonjës, do të transferohet në një hapësirë tjetër ku do të operojë me programin e saj, në çdo lloj hapësire alternative. Duhet të ketë edhe një plan të saktë se ku do të shkojë koleksioni me nisjen erestaurimit”, shprehej Shkololli në fillim të 2019-s,  por plani për restaurimin u shty jo vetëm nga tërmeti, por edhe nga pandemia Covid-19” .

Sipas përllogaritjeve të dëmeve  në monumentet e kulturës, Galeria Kombëtare e Arteve kishte nevojë për 29 milionë lek rimëkëmbjeje, ndërsa studimi i projektimit shkonte në 2 milion lekë.Ndër  institucionet që u prekën nga tërmeti i 26 nëntorit, kryesisht në zonën  e Durrësit dhe të Tiranës, ishte edhe Muzeu Historik Kombëtar, që në vlerësimet e ekspertëve teknikë kishte nevojë për 22 .2 milionë lek për rimëkëmbje, ndërsa vlera e projektit të emergjencës shkonte në 2.6 milionë lek dhe studimi i projektimit 1.5 milionë.

Ndërkohë që në total, nevojapër rimëkbëmbjen e 35 monumenteve të Kulturës, ndër to Teati i Kukullave, Akademia e Shkencave, Biblioteka Kombëtre, Kalaja e Durrës, ajo e Krujsës, godina e ish-Lidhjes së Shkrimtarve, Kalaja e Rodonit dhe Kisha e Shna Ndout e shumë të tjera, kapnin shifrën e 699 milionë lekëve, për rimëkëmbje.

Në konferencën e Donatorëve në shkurt, Shqipëria arriti të mbledhë afro 1.5 miliardë euro, hua, grante dhe dhurata, ndërsa ShBA do të jepte 800 mijë dollarë enkas për monumentet kulturore.

Pas përpilimit të dëmeve në një sërë monumentesh, Ministria e Kulturës mëtonte që të lobonte përmes UNESCO-s në Konferencën e Donatorëve për financimin e disa prioriteteve që ishin Kalaja e Krujës, Teqja e Dollmës, Kalaja e Durrës, ajo e Prezës, Kalaja e Bashtovës, Muzeu Etnografik “Aleksandër Moisiu” , Durrës.

Margariti me ekspertët e BE-së, në një takim mbi hapat e rijetëzimit të monumenteve të Kulturës

Ministrja Margariti tha se kjo marrëveshje preu shiritin për nisjen e programit “EU4CULTURE”,  e që do të shtrihet në 35 objekte të rëndësishme.“Ishte kjo, përgjigja kundrejt besimit në hapat që po hedh qeveria shqiptare, për të fituar kohën e humbur dhe për t’i dhënë një tjetër dimension trashëgimisë kulturore”, është shprehur Margariti.

Menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes 40 milionë euro, që i hapi dritën jeshile Programit të restaurimit dhe rijetëzimit, EU4Culture, Margariti njoftonte në Facebook  takimin  mes përfaqësuesve  dhe ekspertëve të Bashkimit Europian, Mario Mariani,  Entela Sulka,  Freya von Groote dhe Brendan Keirnan nga UNOPS, mbi hapat e mëtejshëm që do të hidhen për zbatimin e programit.

“Ne i njohëm ata me listën tonë prioritare të ndërhyrjeve, si edhe me fazat, që kemi përmbushur e që duhen çuar më tej. Diskutimi u fokusua në rrugën që duhet të ndjekim që puna të shkojë përpara pa humbur kohë, jo vetëm për të riparuar dëmet e tërmetit, por edhe për t’u dhënë një tjetër dimension objekteve, në të cilat do të ndërhyhet, duke i bërë të flasin me gjuhën e kohës, duke i shërbyer jo vetëm turizmit kulturor, por edhe komuniteteve lokale, punësimit të të rinjve dhe edukimit të më të vegjëlve”, është shprehur ministrja.

Nënshkrimi i marrëveshjes për restaurimin e monumenteve të kulturës, të dëmtuara nga tërmeti

Por edhe plani për restaurimin e Muzeut Historik Kombëtar  e më saktë, rikonceptimin e tij u prezantua në 37 vjetorin e ndërtesës, nga ministrja e asokohe, Mirela Kumbaro.Ndërsa dy vjet më parë, drejtoresh e Institutit të Monumenteve të Kulturës, Arta Dollani zbulonte për Gazeta Si , se puna për rikonceptimin e muzeut kishte nisur në mes të 2016-s dhe në gusht të 2018-s s ishte lidhur kontrata me studion arkitekturore dhe puna ka nisur në bashkërendim me grupin e ekspertëve.

Dollani do të zbulonte atëkohë se krahas punës me rikonceptimin e Muzeut Historik ka nisur puna me rikonceptimin e GKA-së. Këto, thoshte Dollani, ishin dy projektet më të rëndësishme e prioritare të mandatit të dytë të qeverisë në fushën e kulturës. Por përtej ekspertizës amerikane dhe franceze që kishin marrë për rikonceptimin e godinave, monumente të kulturës, gjithçka kishte mbetur në pritje të fondeve, që duket se kanë mbërritur pas tërmetit të 26 nëntorit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë