Lajme

Ç’do të bëjë Kadastra e Pronave – Superagjencia në varësi të Ramës

Bledar Hoti - Të paktën 4 institucione do të shkrihen për të krijuar Agjencinë Shtetërore të Kadastrës. Projektligji i hartuar nga ana e ministrisë së Drejtësisë parashikon shkrirjen e ALUIZNI-t, Agjencisë sëTrajtimit të Pronave dhe të Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (Hipotekës) dhe Agjencinë e Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave Publike (AITPP) në një të vetëm.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës do të jetë super institucioni që me ligj të veçantë do të trajtojë çështjet e regjistrimit të pronave, legalizimeve, dhënia e AMTP-ve të titujve tokave bujqësore.

Në draft përcaktohet se më këtë nismë të re synohet të përcaktohen procedurat dhe organin shtetëror përgjegjës për përfundimin e proceseve administrative, tranzitore, të ligjësimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore, të inventarizimit, transferimit, trajtimit dhe regjistrimit përfundimtar të titujve të pronësisë, për pasuritë e paluajtshme në pronësi shtetërore dhe private, në Republikën e Shqipërisë.

Gazeta "Si" ka zbuluar draftin se si do të funksionojë ky institucion i ri, i cili parashikon një fazë transzitore deri në shkrirjen e plotë të katër institucioneve.

Projektligji për Kadastrën 

“Agjencia Shtetërore e Kadastrës ndërtohet si bashkim i AITPP, ALUIZNI, ZRPP dhe ATP. Deri në hyrjen në fuqi të këtij ligji, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe agjencitë e tjera që përmenden në pikën 1 vijojnë të kryejnë shërbimet rregullisht sipas ligjeve që janë ende në fuqi”, thuhet në nenin 69 të këtij drafti.

Organizimi i Agjencisë

Agjencia e Kadastrës do të jetë në varësi të Kryeministrit. Ndryshe nga herët e tjera të gjitha institucionet që merreshin me titujt e pronësisë, ku ALUIZNI, HIPOTEKA apo ATP ishin në varësi të Ministrisë së Drejtësisë, tani ky institucion i ri do të jetë në varësi direkt të kryeministrit.

Ndërsa ky institucion do të ketë një bord drejtues prej 7 personash. “Agjencia shtetërore e Kadastrës ka Drejtorinë e Përgjithshme në Tiranë dhe drejtori e zyra varësie në nivel vendor. Organizimi dhe numri i strukturave të varësisë përcaktohen nga Kryeministri, me propozim të Këshillit Drejtues. Organet drejtuese të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës janë Këshilli Drejtues dhe Drejtori i Përgjithshëm, i cili është njëkohësisht edhe anëtar i Këshillit Drejtues”, thuhet në nenin 7 të këtij projekti.

Anëtarët e këtij Bordi duhet të kenë formim profesional të fushave të inxhinierisë, gjeodezisë, drejtësisë, ekonomisë, ose administrimit publik, si dhe eksperiencë pune të paktën 5 vjet në organet e administratës shtetërore. Anëtarë e tjerë të Këshillit Drejtues, nuk janë funksionarë me kohë të plotë dhe zgjidhen përkatësisht si përfaqësues nga: a) Ministri i së Drejtësisë; b) Ministrisë i Financave; c) Ministri përgjegjës për bujqësinë; ç) Ministri përgjegjëse për zhvillimin urban; d) Kabineti i Kryeministrit; dh) Autoriteti shtetëror përgjegjës për informacionin gjeohapësinor.

Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës emërohetdhe shkarkohet nga Kryeministri, ndërsa zëvendësdrejtorët e përgjithshëm i propozon Drejtori i Përgjithshëm dhe i miraton Bordi. Një prej këtyre titullarëv eështë drejtues i strukturës përgjegjëse për ankimin administrativ.

Fati i punonjësve dhe shkrirja e institucioneve

Agjencia Shtetërore e Kadastrës ndërtohet si bashkim i AITPP, ALUIZNI, ZRPP dhe ATP. Mbi bazën e saj do të përcaktohet edhe fati i punonjësve që arrijnë mbi 800 punonjës.

Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, të gjithë punonjësit e Zyrës së Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme, Agjencisë së Legalizimit, Integrimit të Objekteve/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI-t), Agjencisë së Trajtimit të Pronës (ATP), konsiderohen punonjës të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për një periudhë kalimtare 6- mujore nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Në përfundim të kësaj periudhe ata do të vazhdojnë të qëndrojnë në detyrë nëse plotësojnë kërkesat dhe kriteret e kualifikimit sipas rregulloreve të miratuara nga Këshilli Drejtues i ASHK-së. Përjashtimisht për punonjësit e Agjencisë së Inventarizimit të Pronave të Paluajtshme Publike ndiqen procedurat e parashikuara në ligjin 152/2013, “Për nëpunësin civil”. Ndërsa ende nuk është përcaktuar se sa do të jetë numri i punonjësve të kësaj Kadastre, institucion që do të shtrihet edhe në nivel lokal.

Sipas projektligjit deri në hyrjen në fuqi të këtij ligji, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe agjencitë e tjera që përmenden vijojnë të kryejnë shërbimet rregullisht sipas ligjeve që janë ende në fuqi.

Drejtuesit e institucioneve aktuale që ristrukturohen në funksion të zbatimit të këtij ligji, brenda datës, me urdhër të përbashkët, krijojnë komisione për realizimin e procesit të ristrukturimit sipas kushteve të këtij ligji. Ky proces udhëhiqet nga Bordi Drejtues i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme nën mbikëqyrjen e Ministrit të Drejtësisë dhe Zyrës së Kryeministrit.

Gjithashtu Arkivi, mjetet e punës, logjistika, baza materiale, sistemet elektronike dhe dixhitale të institucioneve aktuale që përfshihen në ristrukturim, krijuar dhe administruar sipas ligjit, i transferohen në përgjegjësi administrimi Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

Fondet buxhetore, të planifikuara për AITPP, ALUIZNI, dhe ZRPP, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, transferohen në llogari të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Fondet buxhetore të ATP-së transferohen në një zë buxhetor të posaçëm, për realizimin e qëllimit të ligjit nr.133/2015 për “Kompensimin”.

Ndërsa me hyrjen në fuqi të këtij ligji do të shfuqizohen ligji “Për Regjistrimin e Pasurisë së Paluajtshme”, i ndryshuar si dhe, çdo dispozitë në ndonjë ligj tjetër qe bie ndesh me këtë ligj. Gjithashtu aktet nën ligjore të nxjerra në zbatim të ligjit “Për Regjistrimin e Pasurisë së Paluajtshme”, qëndrojnë në fuqi dhe zbatohen për aq sa është mundur, deri në nxjerrjen e akteve të reja nënligjore në zbatim të këtij ligji.

Qeveria ka parashikuar që këtë nismë ta miratojë brenda këtij sesioni parlamentar, pasi në 1 janar 2019 nisma do të hyjë në fuqi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë