Nga Gazeta ‘Si’- Korporata e Investimeve Shqiptare (AIC) ka themeluar një shoqëri të re aksionare me emrin “ALBANIAN STATE DEVELOPMENT & REAL ESTATE” (ASDRE), një strukturë që pritet të ketë rol në menaxhimin e projektit strategjik të shumëdiskutuar në ishullin e Sazanit.
Shoqëria është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit me një kapital fillestar prej 50 milionë lekësh dhe është 100% në pronësi të AIC-së, duke ruajtur kontrollin e plotë shtetëror mbi këtë entitet të ri.
ASDRE do të funksionojë me një sistem administrimi me dy nivele, ndërsa mandati i drejtuesve është përcaktuar për një periudhë trevjeçare, deri në qershor të vitit 2028. Në krye të kompanisë është emëruar Julian Adili.
Krijimi i kësaj shoqërie shënon një tjetër hap në përfshirjen direkte të shtetit në strukturimin dhe negociimin e projekteve me investitorë të huaj për asetet me vlerë strategjike. Megjithatë, zhvillimi vjen në një kontekst ku projektet e mëdha të pasurive publike, si ai i Sazanit, kanë ngjallur debat mbi mënyrën e menaxhimit, transparencën dhe përfitimet reale për publikun.
Në këtë kuadër, ASDRE pritet të shërbejë si instrument i dedikuar për administrimin dhe zhvillimin e pronave shtetërore me potencial të lartë ekonomik, por mbetet për t’u parë se si do të balancohet roli i saj mes interesit publik dhe partneriteteve me sektorin privat.
Ndërkohë, projekti i Sazanit vijon të jetë në qendër të debatit publik, me mijëra qytetarë që protestojnë prej rreth një muaji për zhvillimet e parashikuara në Zvërnec, pjesë e të njëjtit projekt. Qeveria Rama ka këmbëngulur se nuk ka ende një projekt konkret ndërtimi dhe ka theksuar se qeveria nuk do të bëjë hapa pas.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje