Nga Gazeta ‘Si’- Parlamenti Europian do të debatojë këtë të martë progresin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, ndërsa në raportin që do t’i nënshtrohet votimit janë depozituar amendamente që përfshijnë zhvillimet e fundit lidhur me projektet turistike në Sazan dhe Zvërnec, si edhe protestat që kanë shoqëruar këtë çështje.
Amendamentet janë paraqitur nga eurodeputetë të grupit parlamentar “Të Majtë” dhe synojnë forcimin e referencave mbi ndikimin mjedisor të projekteve strategjike në Shqipëri.
Në një prej amendamenteve, eurodeputetët shprehin shqetësim për marrëveshjen e qeverisë shqiptare me kompaninë Affinity Partners, të lidhur me Jared Kushner, për zhvillimin e një resorti luksoz në ishullin e Sazanit dhe në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë.
Teksti propozon gjithashtu mbështetje për hetimin e nisur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në lidhje me këtë çështje dhe kërkon garantimin e së drejtës për protestë paqësore.
“Shpreh shqetësim për marrëveshjen e qeverisë me kompaninë e Jared Kushner dhe bën thirrje për mbështetje të hetimit anti-korrupsion të udhëhequr aktualisht nga SPAK në këtë kontekst”, thuhet në amendament.
Një amendament i dytë i referohet drejtpërdrejt protestave që po zhvillohen në Shqipëri kundër projektit, duke nënvizuar se Komisioni Europian ka paralajmëruar autoritetet shqiptare për veprime që mund të ndikojnë në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Eurodeputetët kujtojnë se respektimi i legjislacionit europian për mbrojtjen e shpendëve dhe habitateve natyrore mbetet një kusht themelor për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Debati në Parlamentin Europian zhvillohet vetëm një ditë pasi Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se Komisioni Europian ka marrë garanci nga qeveria shqiptare se projekti do t’i nënshtrohet një vlerësimi të plotë të ndikimit në mjedis dhe se standardet evropiane do të respektohen.
“Ne kemi marrë garanci nga qeveria e Shqipërisë se do të kryhet një vlerësim i plotë i ndikimit në mjedis dhe se standardet evropiane të mjedisit do të respektohen”, deklaroi Kos.
Kryeministri Edi Rama reagoi më pas duke theksuar se Komisioni Europian është njohur në detaje me të gjithë procesin administrativ që lidhet me projektet në Sazan dhe Zvërnec dhe se deklaratat e komisioneres pasqyrojnë faktet e paraqitura nga autoritetet shqiptare.
Votimi për raportin e Shqipërisë pritet të zhvillohet të mërkurën në mesditë, ndërsa rezultati do të tregojë nëse këto amendamente do të marrin mbështetjen e shumicës së eurodeputetëve apo do të mbeten vetëm propozime politike të një grupi parlamentar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje