Para

Punonjësit në financë dhe sigurime me pagat më të larta në vend. Shqipëria e fundit në BE për koston e punës

Nga Gazeta 'SI' - Shqipëria vazhdon të mbetet vendi me koston më të ulët të punës në rajon dhe BE, me kosto mesatare 3.1 euro/ora. Kështu, raporton Instat në anketën e kostos së punës për vitin 2020.

Kostoja mesatare vjetore e punës në Shqipëri me kohë të plotë, në një ndërmarrje me mbi 10 punonjës, rezulton 827.534 lekë. Kostoja mesatare mujore, rezulton 68.961. Këto janë matjet që Instat ka raportuar nga viti 2020.  Gjatë këtij viti ishin mesatarisht 376.099 punonjës me pagë dhe numri mesatar vjetor i orëve të paguara të punës për një njësi pune me kohë të plotë është 2.362 orë.

Koston mesatare më të lartë e kanë ndërmarrjet me mbi 1.000 të punësuar, 490 lekë/orë dhe më të ulëtën, ndërmarrjet me 10 ose më shumë të punësuar, 391 lekë/orë. 

Sipas fushës së punësimit, koston më të lartë të punës e kanë profesionet në aktivitetet financiare dhe të sigurimeve, me 756 lekë/orë. Ndërsa më të ulëtën punonjësit e industrisë së ushqimit dhe akomodimit, me 245 lekë/orë.

Por rritjen më të madhe, nga 2016-a në 2020-n, periudhë që analizon Instat e ka pasur paga e sektorit të ndërtimit, e rritur, duke u rritur me 90 lekë, për orë pune.

Për ndërmarrjet me më shumë se 10 punonjës, pesha më e madhe në kosto është ajo për paga, 85.6% ndaj totalit, që është rritur me 1% nga viti 2016. 14.1% i takojnë kontributeve dhe sigurimeve shoqërore dhe 0.1% e kostos totale vjetore shkon për trajnim profesional, tregues që kanë rënë me 0.3% nga viti 2016. Anketa thekson se për shkak të periudhës së pandemisë, përmes vendimeve të marra nga qeveria shqiptare për parandalimin e përhapjes së Covid-19 dhe dhënien e ndihmës ekonomike për bizneset, u ulën shpenzimet për trajnim profesional, taksa të punës dhe shpenzime të tjera, si dhe u rritën subvencionet e marra nga ndërmarrjet.

Pas vendit tonë renditen Serbia dhe Bullgaria përkatësisht 6.2 dhe 6.5 euro. Norvegjia dhe Danimarka kanë koston mesatare orare më të lartë përkatësisht 47.3 dhe 45.3 Euro. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë