Njerez

Punime artizanale pas hekurave: Gratë e burgosura në Shqipëri krijojnë aksesorë “Made in prison”

“Made in Prison” është një faqe interneti ku shiten punimet me dorë të të dënuarave në burgun “Ali Demi” në Tiranë, i vetmi për gratë në Shqipërinë me popullsi rreth 2.8 milionë banorësh.

Projekti është një nismë e Orkidea, një organizatë joqeveritare lokale, që ndër të tjera merret me promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të grave nëpërmjet shërbimeve të drejtpërdrejta. Projekti mbështetet financiarisht nga Ambasada Amerikane në Tiranë. Që nga lançimi më 8 mars 2019, iniciativa është përkrahur edhe nga Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.

Deri më 12 qershor, të burgosurat kanë bërë 235 punime me dorë, nga të cilat 82 janë shitur për konsumatorët shqiptarë dhe ata jashtë vendit nëpërmjet faqes së internetit, sipas të dhënave të ofruara nga Orkidea.

Të ardhurat e grumbulluara shkojnë në llogaritë bankare personale të artizaneve, produktet e të cilave janë shitur.

Një e burgosur ka treguar se si projekti ka ndikuar pozitivisht në jetën e saj.

“Unë jam Mira. Jam në burgun e grave prej 2 vitesh e gjysmë. Këtu kam mësuar shumë. Shërbimet që po na ofrojnë po më ndihmojnë të kthej jetën time. Ndjehem si një njeri tjetër. Këto vite burgu më janë dukur shumë të vështira dhe tani po filloj ta shoh jetën përsëri me shpresë”.

Orkidea aktualisht paguan për materialet e përdorura për krijimin e produkteve, por të burgosurat kanë shprehur dëshirën të mbulojnë një pjesë të kostos në të ardhmen, për ta bërë projektin një biznes të qëndrueshëm.

Sipas Shoqatës Europiane të Arsimit në Burgje (EPEA), Shqipëria ka 23 institucione për kryerjen e dënimeve dhe një spital për të burgosurit. “Ali Demi” është i vetmi, ekskluzivisht për gratë.

Duke përshkruar burgun “Ali Demi”, EPEA thotë se nuk ka “të forta” të njohura në këtë burg, asnjë që është e dënuar për rrëmbim apo që të ketë skandale politike.

Shumë prej tyre janë ‘aksesorë’ të krimeve të kryera nga meshkujt, të cilët mund të jenë bashkëshortët, vëllezërit ose të dashurit e tyre. Krimet më serioze të kryera nga këto gra janë prostitucioni, vjedhjet, mashtrimi (përvetësimi) dhe jo për nga rëndësia e saj, vrasja për shkak të rrethanave familjare.

E shkuara e errët e burgjeve shqiptare

Burgjet e Shqipërisë, kampet e punës dhe internimit gjatë periudhës së komunizmit, shpesh janë përshkruar si vende të tmerrshme.

Për shumë shqiptarë, Spaçi është sinonim i torturës dhe vdekjes. Disidentë të shumtë dhe mijëra persona të tjerë u burgosën këtu para viteve '90.

Burgu i Spaçit ishte një kamp famëkeq pune, i ngritur në vitin 1968 nga qeveria komuniste e Shqipërisë pranë një miniere bakri, në një zonë të largët e malore në qendër të vendit. Teksa ai ishte vetëm një nga shumë të tillë, të burgosurit politikë të mbajtur në Spaç përfshinin disa nga intelektualët më të shquar shqiptarë.

Tani, burgu i Spaçit është një vend përkujtimi për vendasit dhe një atraksion turistik.

Që nga rënia e komunizmit, burgjet shqiptare janë kritikuar për kushtet e këqija, me probleme si mbipopullimi, qasja e kufizuar në dritën natyrale në qeli dhe mungesa e higjienës.

Këshilli i Europës u ka rekomanduar autoriteteve shqiptare që të shtojnë përpjekjet e tyre për mbrojtjen e të drejtave të të burgosurve dhe për të mbështetur rehabilitimin e tyre.

Nisma “Made in Prison” synon të ndihmojë në riintegrimin në shoqëri të grave të burgosura, pas lirimit të tyre.

Burimi: Global Voices. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë