Politike

OSBE: Jo regjistrimit të portaleve. Gërryen lirinë e medias

Mentor Kasa - Kur Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare kërcënoi me mbylljen 44 portale dhe faqe informative e investiguese online nëse nuk regjistroheshin në Qendrën Kombëtare të Biznesit, argumentoi se kjo nuk ishte censurë, por një praktikë e ndjekur edhe nga vendet Perëndimore.

Por, për median online është e qartë se kërcënimi i AKEP, që ligjërisht është një institucion i pavarur nga Qeveria buroi nga një paralajmërim i mëhershëm i Kryeministrit përmes rrjeteve sociale, që kërkoi të njëjtën gjë.

Pavarësisht kritikave të komunitetit të gazetarëve, opinionistëve dhe të mediave online, Kryeministri Rama i qëndron ende bindjes së tij për të regjistruar në QKB portalet dhe faqet informative e investiguese online.

Por, në krah të këtyre të fundit ka dalë OSBE. Përfaqësuesi për Lirinë e Medias, Harlem Désir, shprehu këtë të enjte shqetësimin për lajmërimin për 44 faqe interneti dhe mbylljen e mundshme të tyre.

“Shtetet nuk duhet të imponojnë regjistrimin e detyrueshëm për mediat online si parakusht për punën e tyre, gjë që mund të ketë efekt shumë negativ në lirinë e medias. Kjo praktikë, kur vihet në zbatim, mund të kufizojë ndjeshëm aksesin e publikut në burime të larmishme informacioni dhe pluralizmin e zërave, si edhe gërryen të drejtën e lirisë së shprehjes dhe të informimit online", deklaroi Désir.

Përfaqësuesi u bën thirrje autoriteteve shqiptare të rishikojnë këto masa, të shqyrtojnë të gjitha alternativat e mundshme për trajtimin e çështjes së shpifjes dhe të fillojnë një debat gjithëpërfshirës me aktorët relevantë të shoqërisë civile dhe medias.

“Është tejet e rëndësishme që të sigurohet më shumë informacion rreth objektivave të saktë të masave të shpallura, si edhe për kriteret mbi bazën e të cilave janë përzgjedhur këto 44 faqe interneti“, shtoi Désir.

Nisma e regjistrimit nuk duket e paqartë vetëm për mediat, por edhe për OSBE-në, pasi vetë Desir ka kërkuar sqarime nga Qeveria shqiptare për bazën ligjore të kërkesës për publikimin e NIPT-it në faqet e internetit, si edhe bazën ligjore për mbylljen e faqeve që nuk e respektojnë këtë urdhër.

OSBE thotë se i ka dërguar një letër drejtuar Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për këtë çështje, ku ofron asistencë ligjore. Désir solli në vëmendje rekomandimet e Zyrës së tij për mbrojtjen e lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes në rregullimin e përmbajtjes online në Europën Juglindore, duke theksuar se çdo rregullim i përmbajtjes online duhet të mbajë parasysh detyrimet ndërkombëtare, përfshirë angazhimet në kuadrin e OSBE-së.

Kundër regjistrimit të faqeve të internetit në QKB ka dalë edhe Civil Right Defenders, një organizatë ndërkombëtare jofitimprurëse me seli në Stokholm, e themeluar që prej vitit 1986 si pjesë e Komitetit Suedez të Helsinkit.

Kjo organizatë thotë se mjafton zbatimi i ligjeve ekzistuese të Shqipërisë për të luftuar shpifjen dhe të abuzimet me të drejtën e autorit, ndërsa për median online kërkon miratimin e një ligji me palët e interesuara dhe në mënyrë transparente.

“Në rast se këto propozime do të mund të vihen në praktikë do të kenë efekte të frikshme mbi median e lirë dhe do të rrisin ndjeshëm nivelet e vetë-censurës mes gazetarëve vendas”, thotë Civil Rights Defenders.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë