Ka ndodhur

U arrestua si i dyshuar për zjarrin në Krujë, lirohet nga qelia 74-vjeçari

Gazeta Si – Një 74-vjeçar i arrestuar pak ditë më parë, si i dyshuar për zjarrin që përfshiu malin e Krujës dhe vuri në rrezik disa lagje të qytetit, është liruar me urdhër të Prokurorisë së Tiranës.

Organi i akuzës e ka cilësuar të paligjshëm arrestimin e 74-vjeçarit, duke argumentuar se deri në këtë fazë të hetimit nuk ka prova që e implikojnë atë në zjarrvënie.

Sipas Prokurorisë, ndalimi i Berhamit është kryer gjithashtu pa u vënë në dijeni organi procedues. Nga hetimet e kryera deri më tani rezulton se, kur efektivët e policisë kanë mbërritur në zonë, e kanë gjetur 74-vjeçarin duke tentuar të shuante flakët.

Në dëshminë e dhënë para uniformave blu, i moshuari ka mohuar të ketë qenë ai personi që ka shkaktuar zjarrin.

Prokuroria thekson se të dhënat e mbledhura deri në këtë fazë janë të paqarta dhe kontradiktore. Në materialin e organit të akuzës thuhet gjithashtu se 74-vjeçari ka bashkëpunuar me autoritetet gjatë procesit të hetimit.

Megjithatë, pavarësisht lirimit të tij, hetimet për zbardhjen e shkaqeve dhe autorit të zjarrit në malin e Krujës vijojnë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë