Politike

OSBE “frenon” Ramën. I dërgon ligjet për Paketën Antishpifje

Nisma e qeverisë për miratimin e një ligji të ri të cilësuar si paketa Antishpifje po monitorohet nga afër nga ana e OSBE-së nëpërmjet përfaqësuesit për Lirinë e Medias. Sipas burimeve pranë Gazetës “Si”, zyra e OSBE-së në Vjenë i ka paraqitur analizën ligjore qeverisë në lidhje me dy ligjet që priten të amendohen nga ana e qeverisë shqiptare, ku parashikohet ndërhyrja në veprimtarinë e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe të Autoriteti i Mediave Audovizive.
Gazeta “Si” iu drejtua zyrës së OSBE-së për t’u njohur nëse kjo analizë ligjore i ishte paraqitur qeverisë shqiptare ose jo.

“Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias ka ndarë analizat ligjore me autoritetet shqiptare. Ne jemi duke punuar ngushtësisht me ta për këtë çështje. Qëllimi ynë është t'i ndihmojmë ata që të kenë ndryshime ligjore në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare lidhur me lirinë e medias dhe lirinë e shprehjes”, reagon Adis Mustedanagić, përgjegjës i zyrës së Përfaqësuesit së OSBE-së për Lirinë e Medias.

Drafti nuk është bërë ende publik, por mësohet se sugjerimet e OSBE-së do t’i shërbejnë qeverisë në lidhje me mendimet e reja ligjore që synojnë të realizojnë.
Kryeministri Edi Rama ka shpallur nismën për të miratuar rregullat e funksionimit të medieve online (portaleve), duke iu nënshtruar rregullave si regjistrimin e detyrueshëm në Qendrën Kombëtare të Biznesit, apo dhe vendosjen e rregullave strikte, duke parashikuar vendosjen e gjobave të papërballueshme.

Duke i cilësuar median si kazan, Rama urdhëroi AKEP që të regjistrojë portalet e medieve në QKB, duke e paraqitur në një formë ultimatumi. Dhe mënjeherë AKEP nxorri urdhrin për regjistrimin e 44 portaleve. Një veprim i tillë solli dhe reagimin e menjëhershëm të OSBE-së, nëpërmjet Harlem Desir, zyrtarit të këtij organizmi për Lirinë e Medias.

https://twitter.com/OSCE_RFoM/status/1052933114027302913


“Shtetet nuk duhet të imponojnë regjistrimin e detyrueshëm për mediat online si parakusht për punën e tyre, gjë që mund të ketë efekt shumë negativ në lirinë e medias. Kjo praktikë, kur vihet në zbatim, mund të kufizojë ndjeshëm aksesin e publikut në burime të larmishme informacioni dhe pluralizmin e zërave, si edhe gërryen të drejtën e lirisë së shprehjes dhe të informimit online”, deklaroi Désir.
Gjithashtu Zyra e OSBE-së, ofroi asistencën për hartimin e një ligji të ri. Më pas në nëntor, pas një bisede telefonike dhe qëndrimeve nëpërmjet rrjeteve sociale, do të zhvillohej dhe një takim në Vjenë ndërmjet Desir dhe kryeministrit Rama. Qëllimi i këtij takimi ishte vendosja e një bashkëpunimi mes OSBE-së dhe Qeverisë shqiptare për të hartuar ligjin e ri për median online.

https://twitter.com/ediramaal/status/1064815156025327616


“Bashkëpunimi ynë për paketën e re Antishpifje dhe rregullat për median online është shumë i rëndësishëm për të siguruar që dispozitat e ligjit të ardhshëm nuk do të jenë kufizuese për lirinë e shprehjes, lirinë e medias dhe qasjen në internet . Kjo është një nga çështjet më komplekse dhe më të ndjeshme për lirinë e shprehjes në epokën dixhitale dhe mendoj se bashkëpunimi ynë i përbashkët është pozitiv për Shqipërinë dhe gjithë rajonin e Evropës Juglindore", do të deklaronte Désir në lidhje me këtë takim.


Por në lidhje me këtë asistencë ligjore të huaj, ambasadori i OSBE-së në Shqipëri i pyetur kohë më parë në lidhje me këtë nismë, pati deklaruar se ndihma do të jetë kryesisht në dy drejtime.
“Ne japim dy rekomandime thelbësore në këtë fushë: njëri është që mbrojtja e dinjitetit kundrejt shpifjes të mos bëhet përmes Kodit Penal; ndërsa rekomandimi i dytë është që kjo vijë e hollë ndarëse midis këtyre dy të drejtash të përcaktohet bazuar në jurisprudencën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe në bazë të praktikave më të mira evropiane”, do të deklaronte Borchardt.
Qeveria ka nisur procesin e konsultimeve në lidhje me ndryshimet ligjore që shihen si pjesë e paketës Antishpifje.
Por kjo nismë kontestohet nga ana e shoqatave të gazetarëve, duke kërkuar që qeveria të tërhiqet nga kjo nismë. Pesë organizata si BIRN Albania; Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë; Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë; AIS/Open Data Albania; Civil Rights Defenders; Këshilli Shqiptar i Medias dhe Qendra Shqiptare MediaLook me anë të një deklarate të bërë shprehen se këto dy projektligje rrezikojnë ta kthejnë Shqipërinë në një vend jodemokratik, cenojnë rëndë lirinë e shprehjes dhe nuk zgjidhin asnjë nga problematikat ekzistuese të medias, përfshirë gjuhën e urrejtjes, shpifjen, propagandën apo dizinformimin.
Të dy projektligjet, sipas shoqatave synojnë të krijojnë një regjistër të çdo faqeje në internet dhe i japin të drejtë një institucioni të quajtur “Këshilli i Ankesave”, të gjobisë mediat në bazë të kërkesave të të tretëve, ose të urdhërojë mbylljen e mediave, ose të aksesit në faqe interneti në territorin e Republikës së Shqipërisë.


Projektligjet u japin të drejtë Autoritetit të Mediave Audiovizive ose Tatimeve, të gjobisin dhe mbyllin median online, pa një procedurë të mirëfilltë ligjore, duke rritur rrezikshëm nivelin e censurës apo vetë-censurës ekzistuese në median shqiptare.
Gjithashtu ato hedhin poshtë pretendimet se projektligjet mbështeten në “modelin kroat”, pasi sipas verifikimeve kjo rezulton e pavërtetë.
Sipas tyre, nëse maxhoranca socialiste do të miratojë këto dy projektligje, demokracia jonë hibride do të rrëshqasë drejt modelit të një regjimi autoritar. Kjo, pasi në vendet demokratike, ligjet synojnë të mbrojnë qytetarët nga qeveria dhe jo qeverinë nga qytetarët.
Gjithashtu kontestohet edhe fakti i vendosjes së tatimit në masën 20% për median online, kur në ndryshimet e ligjit nr. 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të dhjetorit të kaluar, mediave vizive, kjo tarifë u ulet në 6%, si një dëshmi e një targetimi të posaçëm për këto media, që duhet korrigjuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë