Gazeta Si – Një 22-vjeçar shqiptar, i cili mbërriti të dielën e kaluar në aeroportin “Canova” të Trevizos me një fluturim nga Tirana, është dëbuar nga Italia për arsye sigurie dhe parandalimi të terrorizmit.
Ministri i Brendshëm, Matteo Piantedosi, e bëri të ditur lajmin përmes rrjeteve sociale, duke shpjeguar se i riu “synonte të siguronte materiale për prodhimin e eksplozivëve dhe të planifikonte një sulm në Itali”, si dhe duke identifikuar një qendër tregtare si objektiv të mundshëm.
Rasti, për të cilin raportuan sot “Il Gazzettino” dhe “Corriere Veneto”, ka të bëjë me një të ri që dyshohet se ka kaluar një proces radikalizimi përmes internetit.
Sipas raportimeve, hetuesit kanë rindërtuar të dhënat mbi interesin e 22-vjeçarit për krijimin e një pajisjeje shpërthyese dhe metodat e nevojshme për ndërtimin e saj.
Disa nga materialet e nevojshme për prodhimin e bombës dyshohet se ishin blerë tashmë. Mes hipotezave që po shqyrtohen nga hetuesit është mundësia që i riu ta kishte identifikuar rajonin e Venetos si vendndodhjen e sulmit, me një qendër tregtare si objektiv.
Shqiptari u ndalua menjëherë pas mbërritjes në aeroport nga oficerë të DIGOS-it dhe të Zyrës së Emigracionit.
Pas verifikimeve, u lëshua një urdhër dëbimi nga Italia për arsye të sigurisë kombëtare dhe parandalimit të terrorizmit.
Lidhur me këtë çështje reagoi edhe Alberto Stefani, Presidenti i rajonit të Venetos, duke theksuar nevojën për të qëndruar vigjilentë sa i përket sigurisë.
“Ata që vijnë këtu, duhet të respektojnë ligjet, rregullat dhe parimet e demokracisë”, deklaroi Stefani, duke përsëritur se “komuniteti nuk e pranon dhe nuk do ta pranojë kurrë të jetë shënjestër” dhe se Veneto do të vazhdojë të luftojë “çdo formë terrorizmi, me çdo kusht. Le të jetë e qartë: siguria e banorëve të Venetos është parësore”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje