Gazeta Si – Një ditë pas verifikimit të objektit 5 kate pa leje në Himarë, AMP ka ndaluar dy punonjës të policisë, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim për “shpërdorim të detyrës”.
Bëhet fjalë për një hetim që ka vënë nën përgjegjësi penale zinxhirin komandues të strukturave të Policisë në Komisariatin e Himarës, lidhur me mënyrën sesi është lejuar e trajtuar ndërtimi i objektit shumëkatësh pa leje.
Sipas AMP-së, pas ndërhyrjes së IKMT-së dhe shembjes së objektit, hetimet janë zgjeruar edhe mbi veprimet dhe mosveprimet e punonjësve të policisë, që kanë pasur dijeni ose përgjegjësi institucionale për situatën.
Kështu, në kuadër të hetimeve është arrestuar Emiljano Prenga, aktualisht me detyrë Shef i Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Divjakë, i cili më herët ka mbajtur të njëjtën detyrë në Komisariatin e Policisë Himarë.
Gjithashtu është ndaluar Klodian Petani, me detyrë Specialist i Hetimit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, i cili më parë ka shërbyer në të njëjtin pozicion në Komisariatin e Policisë Himarë. Në kërkim është shpallur Ferit Merkaj, aktualisht Shef i Seksionit të Trafiqeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë dhe ish-Shef i Komisariatit të Policisë Himarë, ndërsa në kërkim është shpallur edhe Redin Çaushaj, me detyrë SPZ në Komisariatin e Policisë Himarë.
Siç bëhet me dije në njoftim, dy prej punonjësve të shpallur fillimisht në kërkim janë paraqitur më pas me iniciativën e tyre dhe janë ndaluar, ndërsa dy të tjerët nuk janë gjetur në banesat e tyre dhe nuk janë paraqitur pranë strukturave përkatëse, pavarësisht njoftimeve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje