Rend dhe Ligj

Antishpifja/ Zbulohet ligji, qeveria s’tërhiqet nga kontrolli dhe gjobat

Gjoba të majme, mos dhënie aksesi dhe mbyllje licencash ndaj medias online, janë disa nga masat ndëshkimore të parashikuara në projektligjin e që Gazeta “Si” po zbardh sot; projektligj që është pjesë e Paketës Antishpifje të miratuar dy ditë më parë nga Qeveria.
Nisma e shpallur nga kryeministri Edi Rama u bllokua në nëntor të vitit të kaluar pas reagimit të fortë të mbajtur nga zyra e OSBE-së në Vjenë, e cila kërkoi hartimin e një ligji sipas standardeve ndërkombëtare dhe në konsulencë me vetë këtë organizatë ndërkombëtare.

LEXO EDHE: Paketa Antishpifje, Vokshi: Është antikushtetuese, synon t'i mbyllë gojën medias

Pas 7 muajsh, me prezantimin e disa prej ndërhyrjeve në ligj, qeveria miratoi paketën me ndryshimet ligjore që synon regjistrimin e medias online, portaleve, duke parashikuar kritere të posaçme për kontrollin e mediave nëpërmjet dy institucioneve që janë në varësi të saj, Agjencisë së Komunikimeve Elektronike Postare dhe Autoritetit të Medias Audiovizive.


Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, si përgjegjëse për të realizuar këtë paktën, u shpreh se janë realizuar ndërhyrjet në ligjin e AMA-s, AKEP-it dhe në atë të Tatimeve, si dhe në VKM-në që ka synim ruajtjen e përdorimit të internetit nga personat nën 16 vjeç.
Ministrja Gjonaj dha edhe arsyet se pse po e ndërmerr këtë iniciativë Qeveria. “Këto ndërhyrje sigurojnë procedura të shpejta administrative mbi trajtimin e ankesave për programet e publikuara nga Ofruesit e Shërbimit të Publikimeve Elektronike; reagim të shpejtë të institucioneve publike në rast të konstatimit të cenimit të të drejtave të individëve, duke parashikuar një procedurë të qartë me hapa konkretë për trajtimin e ankesave; krijimin e një regjistri që administrohet nga AKEP ku regjistrohen Ofruesit e Shërbimit të Publikimeve Elektronike, të pajisur me numër të regjistrimit të personit të tatueshëm, ose të regjistruar në regjistrat tregtarë. Po ashtu ofruesit e shërbimeve mediatike do të monitorohen nga AMA”, theksoi ministrja.

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/328584018080862/?t=1


Qeveria, sipas Gjonajt, këto ndryshime i ka realizuar edhe pas konsultave me grupeve të interesit, grupet e gazetarëve, por mbi të gjitha edhe me OSBE-në dhe Bashkimin Evropian. Por në krahasim me draftet e para që u hodhën në dhjetor të vitit të kaluar për diskutim nga qeveria me mendimet e miratuara nuk ka pësuar shumë ndryshime. Në dhjetor shumë shoqata gazetarësh reaguan, duke e cilësuar si antikushtetuese dhe dhunuese të lirisë së shprehjes.


Regjistrimi
Gazeta “Si” ka arritur që të sigurojë draftin e ndryshuar, pikërisht pjesën për ndërhyrjet në ligjin "Për mediat audiovizive në Shqipëri". Amendimi i parë është se ligji do të titullohet “Për shërbimet e medias në Republikën e Shqipërisë” dhe Autoriteti për Median Audiovizive do të ndryshojë emrin. Tashmë ky institucion do të quhet “Autoriteti Shqiptar i Mediave”. Objekti i këtij projektligji është që të rregullojë të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë e personave fizik dhe juridik që ofrojnë shërbime audio, audiovizive dhe shërbime të publikimeve elektronike nëpërmjet rrjetit të komunikimeve elektronike, si dhe promovimin e pluralizmit të medias dhe çështjeve të tjera me rëndësi për shërbimet mediatike, në përputhje me konventat dhe standardet ndërkombëtare. Ai do të zbatohet për transmetimet audiovizive lineare, jolineare, shërbimet mbështetëse të tyre dhe për shërbimet e publikimeve elektronike.

Ofruesi i shërbimit të publikimeve elektronike (OSHPE), pra mediat online është personi fizik ose juridik, pavarësisht nëse është i regjistruar ose jo si i tillë në Regjistrin e Ofruesve të Shërbimeve Mediatike, i cili ofron shërbimet e publikimeve elektronike.

Faksimile e projektligjit të miratuar nga Qeveria


Sipas nenit 9, AKEP do të detyrojë mediat private për nxitjen e përmbajtjes së përgjegjshme në mediat online dhe nxitjen e miratimit të një Kodi Etike midis operatorëve dhe ofruesve të këtyre shërbimeve në këtë drejtim. Një regjistër elektronik do të jetë pranë këtij institucioni dhe ai do të menaxhohet nga Këshilli i Ankesave dhe Bordi i Administrimit. Në draft është përcaktuar se Këshilli mbikëqyr zhvillimin e veprimtarisë të medias elektronike në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. “ASHM mbikëqyr zbatimin e këtij ligji nga subjektet që ushtrojnë veprimtari në fushën e mediave elektronike dhe, në rast shkeljesh, vendos sanksione”, thuhet në një nga amendimet e këtij ligji. Për të realizuar monitorimin e medias Këshilli i Ankesave do të përbëhet jo nga dy, por me nismën e re nga katër anëtarë. Objekti i punës së Këshillit të Ankesave, sipas këtij drafti është mbikëqyrja e zbatimit të parashikimeve të këtij ligji, atyre të kodit dhe rregulloreve të miratuara nga ASHM, që kanë të bëjnë sidomos me respektimin e dinjitetit dhe të të drejtave të tjera themelore të njeriut.


Një person fizik a juridik i cili ofron shërbime të publikimeve elektronike do të aplikojë tek ASHM për regjistrimin dhe përditësimin e të dhënave të tij në Regjistrin e Ofruesve të Shërbimeve Mediatike. regjistrimi nuk është parakusht për të ofruar shërbimin. Por edhe pse nuk vlerësohet si i detyrueshëm, neni 19 përcakton se ofruesit e shërbimeve të medias që nuk janë regjistruar në këtë Regjistër ose që nuk i kanë përditësuar të dhënat në përputhje me rregullat e përcaktuara nga ASHM nuk do të përfitojnë lehtësira fiskale apo të ndonjë lloji tjetër.


Gjobat e parashikuara
Në draftin që po publikon Gazeta “Si”, parashikohet që media online duhet të publikojë një reagim apo ndjesë në rast se personi është dëmtuar dhe se nësë Këshilli i Autoriteti Shqiptar i Mediave. Gjithashtu nëse media cilësohet “fajtore” duhet të pranojë të publikojë ndjesën sipas tekstit që harton vetë Autoriteti Shqiptar i Medias.
Në nenin 25 kur nuk ka vendime penale, parashikohet vendosja e gjobës si masë administrative kur nuk zbatohet kriteret e nenit 33, duke vlerën nga 100.000 deri në 1.000.000 lekë. Në rast se media online refuzon të botojë sqarimin ose nuk respekton vendimin e Këshillit të Ankesave gjobiten me 800 mijë lekë. “Përsëritja e shkeljes më shumë se 3 herë gjatë një viti dënohet me një rritje deri në 50% të shumës së gjobës të përmendur më lart. Në rast përsëritjeje më shumë se 5 herë gjatë vitit të kaluar, subjekti nuk do të përfitojë lehtësira fiskale apo të ndonjë lloji tjetër për një periudhë 3-vjeçare”, thuhet në nenin 25 të draftit të ri të siguruar nga Gazeta SI.

Faksimile e projektilgjiit

Masat ndëshkimore
Nëse pranon publikimin e ndjesës apo të sqarimit, gjoba shkon nga 100 mijë deri në 1 milionë lekë.
Gjobë prej 800,000 lekësh kur nuk respekton vendimin e KA ose të drejtën e përgjigjes, sipas nenit 53/1 të këtij ligji.
Përsëritja e shkeljes më shumë se 3 herë gjatë një viti dënohet me një rritje deri në 50% të shumës së gjobës të përmendur më lart. Në rast përsëritjeje më shumë se 5 herë gjatë vitit të kaluar, subjekti nuk do të përfitojë lehtësira fiskale apo të ndonjë lloji tjetër për një periudhë 3-vjeçare
Gjoba nëse nuk zbaton nenet e ligjit nuk respekton detyrimet e neneve 42, 43, 44 dhe 62 pika 12 të këtij ligji për transmetimin e reklamave, shkon nga 120 mijë në 800 mijë lekë
Gjobë në rast mosrespektimi të vendimit të marrë nga ASHM në bazë të dispozitave të parashikuara në nenet 53 të këtij ligji.”

Masat për shkeljet
Në rastet e shkeljes së dispozitave të këtij ligji ASHM (Bordi dhe/ose KA) vendos detyrimin e ofruesit të shërbimit të medias për të:
publikuar formulën e ndjesës sipas formës dhe përmbajtjes të përcaktuar nga ASHM;
të heqë përmbajtjen e cila shkel të drejtat;
të vendosë nëpërmjet AKEP një njoftim të karakterizuar teknikisht si “pop up”;
gjobë, shuma e të cilës përcaktohet në përputhje me parashikimet e këtij ligji dhe të akteve nënligjore të tij;
pezullim të përkohshëm të licencës dhe/ose autorizimit dhe/ose aksesin në internet;
ul kohëzgjatjen e vlefshmërisë së licencës dhe/ose autorizimit;
heqje të licencës dhe/ose autorizimit;
Çfarë duhet të mbajë në konsideratë portali
Shërbimet e medias së shkruar pavarësisht nga mediumi i komunikimit me publikun e gjerë gjatë aktivitetit të tyre, udhëhiqen nga këto parime:
a. garantimi i lirisë së shprehjes,
b. garantimi i të drejtës së informimit,
c. mbajtja e sekretit të burimeve të informacionit,
d. respektimin dhe garantimin e mbrojtjes së jetës private,
e. ndalimi i transmetimeve që stimulojnë intolerancën midis vendeve,
f. ndalimi i transmetimeve që stimulojnë ose justifikojnë dhunën,
g. garantimi i të drejtës së përgjigjes,
h. garantimi i të drejtës së autorit dhe të drejtave e tjera që lidhen me të,
i. respektimi i fqinjësisë së mirë midis vendeve,
j. respektimi i standardit letrar të gjuhës shqipe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë