Lajme

Tërmeti në Kolumbi, mbi 132 të vdekur dhe 2.700 persona të zhdukur (video)

Gazeta Si – Më shumë se 2.700 persona rezultojnë të zhdukur pas tërmetit me magnitudë 7.4 që goditi Kolumbinë të hënën, më 10 gusht.

Ndërsa operacionet e shpëtimit dhe kërkimet nën rrënoja vijojnë, familjet kolumbiane po publikojnë informacione rreth familjarëve të tyre të zhdukur në faqe interneti lokale të drejtuara nga qytetarët.

Bilanci i përditësuar i viktimave flet për 132 të vdekur dhe gati 600 të lënduar, sipas shifrave të bëra të ditura gjatë natës nga CNN.

Spitalet në Cali – një nga qytetet e goditura më rëndë nga tërmeti – kanë shpallur “alarmin e kuq” pasi kanë arritur kapacitetin maksimal. Një nënë dhe foshnja e saj e porsalindur janë shpëtuar.

Departamenti amerikan i Shtetit e përshkroi tërmetin si “katastrofik”, ndërsa njoftoi se Shtetet e Bashkuara po monitorojnë nga afër situatën dhe janë të gatshme të mbështesin autoritetet kolumbiane.

Ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë operacionet në zonat më të prekura, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar se bilanci mund të ndryshojë, pasi dyshohet se persona të tjerë mund të jenë ende të bllokuar nën rrënoja.

Epiqendra e tërmetit ndodhej pranë qytetit San José del Palmar, në një zonë malore të provincës Chocó, ndërsa hipoqendra ishte në një thellësi prej 103 kilometrash.

Zona më e goditur është ajo përreth Pereirës — e cila ndodhet rreth pesëdhjetë kilometra në lindje, në rajonin e kultivimit të kafesë në Kolumbi — ku humbën jetën të paktën 66 persona dhe u shembën dhjetëra ndërtesa; gjithashtu, për arsye sigurie është vendosur një shtetrrethim gjatë natës.

Dëme të rënda u shkaktuan gjithashtu në Cali, në provincën Valle del Cauca – më pranë bregdetit të Paqësorit dhe rreth 200 kilometra larg epiqendrës.

De La Espriella deklaroi se ka rreth 190 persona të zhdukur vetëm në këtë qytet. Viktima u raportuan edhe në qytete të tjera, përfshirë Manizales, Quibdó dhe Medellín, ndërsa disa aeroporte – përfshirë ato në Cali dhe Pereira – u mbyllën për shkak të dëmeve të pësuara.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë