Para

Projektligji për pensionet private, Xhepa: Nuk e rregullojnë skemën

Pensionet private të përjashtohen nga taksat, si për kontributet e punëmarrësve, ashtu edhe për ato të punëdhënësve. Po ashtu pensionet të mos tatohen as në përfitim për pjesën e kontributeve, por vetëm për kthimin nga investimi.

Këto kërkesa vijnë nga Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare përmes një projektligji të ri për “Fondet e pensionit privat i cili është hedhur për konsultim publik prej gati tre javësh.

Projektligji “Për fondet e pensionit privat” synon që pensionet private vullnetare t’i bëjë më tërheqëse me incentiva fiskale më të mira duke e rritur dhe zhvilluar këtë treg.

Ligji i ri për fondet private të pensionit që pritet të miratohet do të rrisë incentivat fiskale për të kontribuuar në këto fonde. Aktualisht, kufiri maksimal i kontributeve të përjashtuara nga tatimet është vlera më e vogël, që del nga krahasimi i shumës 200 mijë lekë dhe 15% të të ardhurave vjetore bruto të anëtarit. Në rast se anëtari është mbi 50 vjeç, kufiri maksimal për lehtësitë tatimore për kontributet vjetore është vlera më e vogël, që del nga krahasimi i shumës 250 mijë lekë dhe 25% të të ardhurave vjetore bruto të anëtarit.

Sipas projektligjit përsa i përket incentivave fiskale, kufiri maksimal mujor, do të jetë deri në nivelin e pagës minimale të miratuar në shkallë vendi. Konkretisht, sot përjashtimi nga tatimi do të shtrihej deri në një shumë kontributesh prej 34 mijë lekësh në muaj. Dhe shuma e kontributeve e përjashtuar nga tatimet do të jetë 408 mijë lekë në vit ose 92% më shumë krahasuar me pragun aktual prej 200 mijë lekësh.

Gjithashtu, projektligji parashikon edhe përjashtim nga tatimi në momentin e përfitimit të pensionit të kontributeve. Pensioni do të tatohet vetëm për pjesën e interesave të përfituara (kthimit nga investimi), me shkallën tatimore ligjore në fuqi për të të ardhurat e individëve. Aktualisht, kjo shkallë është 15%. Projektligji pretendon të  rregullojë gjithashtu duke sjellë si risi licensimin e shoqërive administruese të fondeve të pensionit privat në Republikën e Shqipërisë.

Po ashtu synon të krijojë fonde të pensionit privat me kontribute të përcaktuara.

Do të licensojë dhe veprimtarinë e depozitarit të aseteve të fondit të pensionit privat. Gjithashtu do të ketë mbikëqyrje të shoqërive administruese të fondit të pensionit privat, të depozitarit të aseteve të fondit të pensionit dhe të subjekteve të tjerë.

Tjetër risi është fondi i pensionit privat me pjesëmarrje të mbyllur, pasi deri më tani ka qenë me pjesëmarrje të hapur. Fondet me pjesëmarrje të mbyllur do të krijohen vetëm për punëmarrësit e subjekteve që mund të jenë disa punëdhënës ose një entitet i organizuar si bashkim punëdhënësish, sindikatë apo bashkim sindikatash.

Fondi me pjesëmarrje të mbyllura do i dedikohet vetëm këtyre subjekteve dhe nuk do të akomodojë në këtë fond subjekte të tjera. Projektligji të gjitha këto subjekte i përcakton si “sponsor”, kjo në përputhje dhe me direktivën e Bashkimit Evropian. Ndërsa fondet me pjesëmarrje të hapur do t’u ofrohen të gjithë anëtarëve që nuk janë pjesë e një sponsori, siç funksionojnë fondet me ligjin aktual.

Projektligji ka si synim zhvillimin e tregut të fondeve të pensionit privat nëpërmjet rritjes së pjesëmarrjes në skemë; sigurimin e një pensioni shtesë, i cili plotëson pensionin bazë të siguruar nëpërmjet skemës publike të pensioneve; nxitjen e konkurrencës në shërbim të interesit më të mirë për anëtarët e fondit.

Aktualisht tregu financiar i Pensioneve Private, ka një peshë modeste ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto. Gjatë 9- mujorit të vitit 2022 ai shënoi një rritje prej 7.29% krahasuar me vitin 2021, duke arritur një total asetesh neto prej 5.4 miliardë lekë.

Asetet e këtij tregu investohen kryesisht në obligacione të Qeverisë shqiptare dhe ndryshe nga pensioni shtetëror është i trashëgueshëm.

Statistikat tregojnë se numri i individëve që kontribuojnë për një pension privat është vetëm 33 mijë, ndërsa totali i aseteve neto të fondeve private të pensionit vetëm 35 milionë euro. Aktualisht, numri i individëve që kontribuojnë për një pension privat është sa 4.2% e atyre që paguajnë kontribute në skemën e detyrueshme shtetërore dhe afërsisht sa 2.7% e numrit të përgjithshëm të të punësuarve (bazuar në Anketën e Forcave të Punës).

Projektligji i ri nuk e përmirëson skemën

Ekspertët mendojnë se projektligje të tilla janë bërë shumë pas viteve "90 dhe janë arrnuar shpesh, të cilët nuk e kanë ndryshuar skemën e pensioneve e cila mbetet defiçitare ndaj buxhetit të shtetit."

Eksperti Selami Xhepa shprehet se projektligji i ri nuk e përmirëson skemën

“Ndryshimet parametrike që i kemi bërë sistemit e kanë të pamundur të jenë mbështetëse të kësaj skeme në afatin e gjatë. Ndryshimet parametrike që janë bërë është rritja e moshës së pensionit, po shkon drejt 68 vjeç për meshkujt ndërkohë që Parisi po digjet se mosha mund të shkojë në 64 vjeç dhe që nuk po arrihet reforma.

Ndërkohë që në Shqipëri kemi arritur në nivele shumë të larta. Kjo reformë është e pamundur, nuk mund të shkojë më shumë se sa kaq. Së dyti kemi rritur kontributet e sigurimeve shoqërore. Ato janë më të larta se në vendet e rajonit. Nëse do vazhdojmë t’i rrisim nuk do bëjmë gjë tjetër veçse t’i dekurajojmë pjesëmarrjen në skemë dhe rrisim informalitetin në tregun e punës dhe tani është jashtëzakonisht i lartë. Dhe kjo është një nga shkaqet kryesore pse skema e sigurimeve merr kaq pak të ardhura”, shprehet eksperti Selami Xhepa.

Sipas tij duhet të kërkojmë për rrugë të reja, ndoshta për të ndryshuar sjelljen edhe të vetë qytetarëve.

“Edhe vetë qytetarët duhet të marrin më shumë përgjegjësi për të planifikuar për ditën e shiut që e shkuara të mos jetë keqardhje për moshën e tretë.”- thotë eksperti Xhepa.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë