Treg

Tregu i pensioneve private kap vlerën e 6.2 mld lekëve, shtohen kontribuesit

Nga Gazeta ‘SI’ - Interesi për pensionet private në Shqipëri duket se është në rritje. Në fund të qershorit 2023, pesë kompanitë me fonde pensioni private numëruan 37.594 anëtarë, duke u rritur me 3% nga fundi i vitit 2022. Në total, në këtë skemë janë të përfshirë rreth 3% e individëve që punojnë.

Rritja vërehet më shumë edhe në vlerë, ku në 6 muajt e parë 2023, tregu i pensioneve vullnetare është rritur me rreth 490 mln lekë, pothuajse 9% nga dhjetori 2022. Kështu, në total, ky treg vlen 6.2 mld lekë, deri në fund të qershorit 2023.

Sipas kompanive, Sigal dominon tregun, që mban 2.5 mld të tregut, ndjekur nga Credins me 1.7 mld lekë.

Shoqëritë private të fondeve të pensionit, por edhe vetë Instituti i Sigurimeve Shoqërore, ISSH, kanë nxitur orientimin e qytetarëve drejt kësaj forme investimi.  E njohur si Kolona e Dytë në skemën e pensioneve, pensionet private përmenden si zgjidhja e krizës së punonjësve në vend, me largimin e fuqisë punëtore dhe rritjen e numrit të të moshuarëve.

Momentalisht, në komisionet parlamentare po shqyrtohet projektligji “Për fondet private”, propozuar nga AMF që kërkon heqjen e këtij zëri nga taksimi. Projektligji synon që pensionet private vullnetare t’i bëjë më tërheqëse me incentiva fiskale më të mira duke e rritur dhe zhvilluar këtë treg.

Ndërkohë sot, projektligji arriti në komisionin e Ekonomisë dhe si rrallë herë nuk u shoqërua me debat. Deputetja demokrate Jorida Tabaku ngriti disa pyetje për përfaqësuesit e qeverisë. Fillimisht Tabaku kërkoi të dhëna për raportin e shpenzimeve dhe të ardhurave në sigurimet shoqërore.

“Sipas të dhënave që kemi marrë dhe nga raporti i fundit i KLSH, numri i përfituesve është rritur me 15 mijë në çdo vit dhe kjo po shkon drejt barazimit të përfituesve me kontribuesit. Së pari emigracioni i lartë, së dyti informaliteti dhe skema e dështuar në 2014 që ishte një reformë shumë larg asaj që pritej të ndodhte në ven” tha deputetja në komision.

Deputetja Jorida Tabaku në komisionin e Ekonomisë, për fondet e pensionit, shtator 2023

Tabaku ngriti shqetësimin se si ISSH do të menaxhojë krizën që po përballon, ku ka më shumë detyrime se sa kontribuues.

“Shumë larg mesatares normale pensioni mesatar në fshat dhe më tej ai në qytet. Po ashtu në total pensioni është më i ulët se sa mesatarja e pagës, siç edhe është përllogaritja sipas formulës së INSTAT,  ndërsa aktualisht është sa 40% e pagës si pension mesatar.  Ku do të investojë fondi i ISSH? Si ka menduar ta kompensojë fondi mungesën në të ardhmen për shkak të situatës që ne po përballojmë?”.

Ajo përmendi si pengesë edhe afatin e dhënë për qytetarët që duan të provojnë skemën private të pensioneve, 30 ditë, duke thënë se nuk është mjaftueshëm dhe se duhet ndryshuar,

“Kam dy pyetje që dua t’i diskutoj me përfaqësuesit e qeverisë. Në lidhje me kohën e disponueshme për përdoruesit e institucioneve private për ta provuar skemën në një institucion bankar, ne diskutuam gjatë për praktikën Europiane në draftin e parë të ligjit ishte propozimi për 30 ditë kohë për ta provuar. Nga diskutimet u vërejt që tridhjetë ditë kohë nuk është e mjaftueshme për ta provuar, zoti Krashi tha në komision që kjo është e pamajftueshme dhe se praktika në vende të tjera e tregon se duhen të paktën 6 muaj. A është rregulluar ky ndryshim?”, përfundoi Tabaku.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë