Politike

“Antishpifja” nuk ndalet, mazhoranca refuzon amendimet

Mazhoranca kaloi në Komisionin e Ligjeve të pandryshuar projektligjin për antishpifjen, duke rrëzuar pretendimet e komunitetit të gazetarëve dhe kundërshtitë e deputetëve të opozitës parlamentare.

Këta të fundit kishin depozituar disa prej propozimeve të OSBE/ODIHR, ku ofrohej si zgjidhje shfuqizimi, ose ndërhyrja tek disa nene të kësaj pakete, sidomos tek nenet që penalizonin mediat online sa u takon lajmeve të rreme.

Duke iu referuar propozimeve të OSBE-së, deputetët e opozitës parlamentare kishin dorëzuar ndryshimin e penalizimit me gjobë për portalet. Ky propozim kërkonte që gjoba të vendosej mbi bazën e peshës që ka në treg një portal. Por, kjo u rrëzua dhe mazhoranca i qëndroi gjobës fikse prej 80 mijë lekësh të reja.

Mazhoranca rrëzoi edhe propozimi tjetër të OSBE dhe shoqatave të gazetarëve që gjoba të mos paguhej nëse nuk ka një vendim të formës së prerë nga gjykata, pasi në këtë formë rrezikohej mbijetesa e shumë portaleve që kanë të ardhura modeste.

I vetmi ndryshim “lehtësues” që mori mazhoranca në këtë drejtim ishte reduktimi i kohës së ankimimit ndaj një vendimi të AMA-s. Debate pati mbi mënyrën sesi do të regjistroheshin portalet. Shifra jozyrtare flasin për mbi 600 të tillë që operojnë në Shqipëri. Si zgjidhje u propozua dhe vendos përdorimi i të regjistrave me të dhënat nga Qendra e Regjistrimit të Bizneseve.

Pas kalimit në Komisionin e Ligjeve, Paketa Antishpifje do të diskutohet nen për nen në Komisionin e Medias.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë