Lajme

Rama: Ky ligj nuk kufizon lirinë e të shprehurit, por të shpifjes

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në Kuvend, ndërsa tha se prioritet i prioriteteve është adresimi i pasojave të tërmetit ka shpjeguar edhe paketën antishpifje që pritet të miratohet sot.
Sipas kreu të qeverisë, “Antishpifja” është një domosdoshmëri për të garantuar të drejtat e individit dhe mundësinë për të reaguar ligjërisht ndaj cenimit publik të dinjitetit personal apo shantazhit për shkak të detyrës.
Ndërsa ka sjellë në vëmendje shembullin e disa vendeve dhe ligjeve të tyre ndaj shpifjes dhe fyerjes ku në shumicën e tyre është vepër penale.
“Këtu jemi përballë një turme që nuk denjon të lexojë dhe thotë hapur nuk na intereson çfarë shkruhet në ligj, ne nuk duam ligj. Raporti i OSBE 2017 në 3/4, pra në 42 shtete nga 57 anëtare të OSBE, fyerja dhe shpifja është vepër penale. Nga analiza e thellë për ligjin, rezulton se ka tre qasje ndaj fyerjes dhe shpifjes. Legjislacioni më i ashpër ndaj fyerjes dhe shpifjes, është ai i Gjermanisë. Kodi Penal parashikon 11 vepra penale për fyerjen dhe shpifjen, dhe rastësisht është vendi ku ka më pak shpifje, më pak fyerje.
Në SHBA Byroja e Hetimit ndërhyn pa asnjë vendim gjykate dhe mbyll me urdhër çdo lloj website dhe çdo lloj përmbajtje që konsiderohet cenuese në shumë aspekte. Në Gjermani është miratuar ligji për përmirësimin e zbatimit të ligjit ekzistues në rrjetet sociale, dhe është sot përpjekja më e suksesshme për të shuar përmbajtjen potencialisht të dëmshme në interneti”, u shpreh ndër të tjera Rama.
Sa u përket gazetarëve dhe aktivistëve që protestojnë para Parlamentit, kreu i qeverisë tha se ata janë në borxhe, pasi sipas tij janë shkelës së të drejtës së shoqërisë për të qenë e mbrojtur nga lajmet e rreme.
“Ata që janë te dera e parlamentit janë në borxhe, janë shkelës të së drejtës së shoqërisë për të qenë e mbrojtur nga lajmet e rreme.
Nga lajmet e rreme ka pasur dhe viktima. Dikush ka nxjerrë lajmin se spitali i Durrësit po shembet dhe e ka kthyer në kaos.
Jemi para një turme që nuk denjon të lexojë. Shumë prej tyre lëshojnë fjalë pa asnjë përgjegjësi. Kjo temë është nxehur artificialisht. Nuk po flas as për vete, as për familjen time, as për prindërit e Ditmir Bushatit. Po flas për ata që ndryshe nga ne nuk e kanë një mikrofon për të thënë të vërtetën e tyre. 1 milion ndjekësit e mi shohin në FB se çfarë bëj”, tha ndër të tjera ai.
Sipas Ramës, ky nuk është një ligj që kufizon lirinë e të shprehurit, por të shpifjes.
“Ata që kundërshtojnë, nuk e kanë lexuar projektligjin. Ky është një ligj që nuk e kufizon lirinë e të shprehurit, por të shpifjes. Liria e fjalës jo vetëm e drejtë, por edhe përgjegjësi. Kush merr përsipër të shkruajë, duhet të japë fakte”, tha Rama.
Ndërsa ka përmendur drejtues mediesh, kreu i qeverisë ka sulmuar Artur Zhejin, duke thënë se bëri vajzën e bashkëshortes së tij, Linda Rama, dashnore të ministrit dhe për këtë humbi në gjyq, pasi sipas Ramës, ishte një shpifje e ulët.
“Artur Zheji e bëri vajzën tonë dashnore të ministrit dhe tani thotë që do largohem nga Shqipëria po u bë ligji. Pasi shkoi në gjykatë, humbi dhe gjyqin atje, sepse ishte një shpifje e ulët”, tha ai.

Po ashtu, ka ironizuar dhe pedagogun e gazetarisë, Mark Marku për fjalorin e përdorur në një emision televiziv.
“Një tjetër hero është Mark Marku, që jo më larg se dje, që nuk lë fjalë të ndyrë, ky është profesori i letrave që duhet markuar me pullë të kuqe”, u shpreh Rama.
Ndër të tjera, Rama tha se “kush mendon se ky ligj mbyll portalet, nuk e la lexuar mirë ligjin. AMA nuk zëvendëson gjykatën, është instancë ku konkludohet”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë