Politike

Profesionistët e lirë kundër ligjit për tatimin, Kushtetuesja merr në shqyrtim padinë

Gjykata Kushtetuese ka pranuar të marrë në shqyrtim padinë e opozitës për tatimin e profesioneve të lira.

Kushtetuesja ka vendosur kalimin e çështjes për shqyrtim në Dhomë Këshillimi, ndërsa gjatë procesit të gjykimit do të thirren edhe palët e interesuara, Profesionistët e Lirë, deputetët e opozitës si edhe përfaqësues të Këshillit të Ministrave.

Nëse palët kanë argumente të tjera mbi këtë çështje, kanë afat për t’i depozituar deri më datë 21 maj.

Padia për ligjin për tatimin mbi të ardhurat u depozitua nga 37 deputetë të Rithemelimit dhe Partisë së Lirisë më datë 28 shkurt. Ata e kanë konsideruar ligjin në kundërshtim me Kushtetutën.

Gjatë një diskutimi me Profesionistët e Lire mbi ligjin dhe padinë e bërë në Gjykatën Kushtetuese, palët e interesuara shprehën shqetësimin e tyre mbi këtë ligj në takim me deputeten Jorida Tabaku që u zhvillua këtë të premte në Kryesinë e Kuvendit.  

Në këtë mbledhje, profesionistët e lirë ishin kundër pikës që ligji parashikon që tatimi mbi të ardhurat të vijë nga fitimet e vitit paraardhës.

“Si mund të taksohem unë këtë vit në bazë të fitimeve të vitit të kaluar? Unë punoj me kontrata. Kontratat zgjasin 3-6 muaj. Unë mund të mbaroj një projekt dhe pastaj të rri 5 muaj pa punë”, tha një eksperte e IT-së e cila ishte e pranishme në mbledhje.

Ndërsa, gjithashtu u ngrit edhe problemi i përqindjes, ku një nga profesionistët e lirë me profesion avokate tha se ky ligj nuk i mbulon asnjë shpenzim dhe ndërkohë që i kërkojnë 15% te fitimeve.

“Nga erdhi ky numër 15%? Si doli? Nga 0 direkt ne 15%? Përse nuk është diskutuar me ne?”, ngriti shqetësimin avokatja.

 Në fjalën e saj, deputetja Jorida Tabaku, e cila ishte e shoqëruar edhe nga kolegia e saj Emilia Koliqi tha se nuk ka shtet pa taksa, por ligji për profesionet e lira shkel Kushtetutën.

“Jemi të gjithë profesionistë, të arsimuar mjaftueshëm që të kuptojmë që s’ka shtet pa taksa dhe askush nga ju nuk po kërkon një gjë të tillë. Por ne po kërkojmë që kjo taksë që është vendosur në shkelje dhe në cenim të Kushtetutës”.

Opozita kërkon nga Gjykata Kushtetuese shfuqizimin e pikës 2 të nenit 24 ku parashikohen fashat 15% dhe 23% e tatimit të profesionistëve të lirë. Si dhe kërkohet shfuqizimi i fjalisë së dytë të germës D të nenit 69 ku përcaktohet tatimi i profesionistë që ofrojnë shërbime profesionale.

Prej 1 janarit të këtij viti profesionistët e lirë që ofrojnë shërbime profesionale (26 lloje aktivitetesh, të ndara në 169 profesione) janë bërë pjesë e taksimit me fasha, dhe nuk trajtohen më si biznes i vogël me 0% tatim.  Ata që sigurojnë të ardhura vjetore deri në 14 milionë lekë do të tatohen me 15% ndërsa ata që kanë të ardhura mbi 14 milionë lekë do të paguajnë 23% tatim.

Për ekspertët tatimi në mënyrë progresive i profesioneve të lira, krijon premisa për korrupsion, shkaktohen diferencime dhe diskriminim midis biznesit që deri në 14 milionë lekë nuk paguan tatim kundrejt një profesionisti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë