Politike

Vit i ri, kriza të vjetra…

Viti që sapo lamë u shoqërua me një krizë të thellë politike, me dorëzim mandatesh në bllok të deputetëve të opozitës. Një akt që do të mbesë në memorien e parlamentarizmit shqiptar, pasi shqiptarët ishin mësuar me bojkote të tejzgjatura si nga e majta, ashtu edhe nga e djathta, por dorëzimi i 52 mandateve në bllok të partive parlamentare nuk kishte ndodhur ndonjëherë. Pas shumë e shumë luhatjesh dhe konfliktesh, 2019 padyshim mund të cilësohet si viti i krizës së gjithanshme.
Viti 2020 përbën një nga sfidat më të mëdha për politikën në shumë plane, ndërsa përplasjet mes opozitës jashtë-parlamentare dhe mazhorancës pritet të rindizen. Viti 2020 do të nisë me një veçanti, pasi Shqipëria pritet të ketë zyrtarisht një ambasador të SHBA-ve, Yuri Kim. Diplomatja e re nga përtej Atlantikut para senatorëve amerikanë ka premtuar dhe e ka shpallur si prioritet zgjidhjen e krizës politike në vend që po zgjat pafund.

Yuri Kim gjatë seancës së dëgjesës në Senatin Amerikan. Gazeta Si, 2020


Edhe pse duket një vit i ri, sfidat e përplasjet pritet të jenë njëjta, me çështje të pazgjidhura dhe ku do të na dhurojnë të njëjtat tablo.
Mazhoranca ka një hesap të pambyllur me presidentin Ilir Meta. Një komision hetimor i ngritur për shkarkimin e Metës është ngritur që në korrik të 2019. Socialistët e akuzojnë kreun e shtetit jo vetëm për dekretin e shtyrjes së zgjedhjeve lokale, por edhe për mënyrën se si u zgjodh anëtarja e Gjykatës Kushtetuese, Marsida Xhaferllari.
Mazhoranca e zgjati me katër muaj mandatin e komisionit, duke shtyrë për në mars vendimin për ta shkarkuar Metën, ndërsa debati mbi kushtetutshmërinë e vendimeve pritet të jetë pjesë e shqyrtimit të dytë nga ana e Komisionit të Venecias. Për herë të dytë Parlamenti pritet t’i drejtohet Venecias për të vërtetuar shkeljet e presidentit. Një lëvizje që duket e kushtëzuar nga disa faktorë përpara se të vendoset shkarkimi ose jo i Metës, situata politike, si dhe mbi të gjitha nga mungesa e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, institucioni që do të shprehet në fund për nëse vendimi i Parlamentit për shkarkim është i drejtë dhe se Meta ka kryer ose jo shkelje të rëndë kushtetuese.

Presidenti Ilir Meta duke dëshmuar para komisionit hetimor parlamentar për arsyet se pse nxori dekretin për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit 2019. Gazeta "Si" 2020


Brenda muajit maj, Parlamenti duhet të ketë miratuar reformën zgjedhore, duke plotësuar një nga kushtet për çeljen e negociatave. Paketa për ndryshimet e Kodit Zgjedhor, është gati, ndërsa sërish mazhoranca do të jetë me sy nga ODIHR, pasi pritet të marrë ekspertizën finale përpara se ta votojë në Parlament. Socialistët duhet të vendosin nëse duan të marrin konsensusin e opozitës parlamentare, e cila ka si kërkesë të fortë ndryshimin e sistemit, kalimin nga ai proporcional rajonal me lista të mbyllura, në proporcional kombëtar me lista të hapura.
Një ndryshim që PS-ja nuk mund ta realizojë pa “bekimin” e PD-së, pasi ndërhyrja në Kushtetutë kërkon dhe konsensusin e partisë që kanë ndërmjetësuar së bashku në këto 15 vite reformat zgjedhore. Socialistët janë shprehur se janë të kënaqur me këtë sistem, e kjo duhet si sinjal për PD-në për ta kundërshtuar. Ndërsa këtë bashkëpunim, Basha nga ana e tij, e ka kushtëzuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Kusht i papranueshëm nga Rama, i cili jo pak herë ka deklaruar se 2021 është shumë afër.


Partia Demokratike dhe aleatët e saj po organizohen, duke zhvilluar takime me strukturat e tyre dhe nuk është e përjashtuar që sërish t’i rikthehen protestave. Kjo pas mbylljes së gjendjes së jashtëzakonshme të vendosur për shkak të fatkeqësisë natyrore të tërmetit të 26 nëntorit.
Beteja me KÇK-në dhe Antishpifjen
Reforma në drejtësi pritet të jetë edhe në fokusin e përplasjeve politike. Shqipëria më fund ka një prokuror të përgjithshëm jo të përkohshëm. Prokuroria speciale e SPAK është ngritur me tetë anëtarë, drejt zgjedhjes është edhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë. Tashmë po brenda marsit pritet që të zgjidhen edhe anëtarët e tjerë të Gjykatës Kushtetuese. Krijimi i institucioneve të reja të drejtësisë, që dalin nga procesi i Vettingut, është nga 9 kushtet e vendosura nga ana e Bundestagut gjerman, si pjesë e avancimit të procesit të integrimit, që synon të çelë negociatat. Në maj, Tirana zyrtare pretendon që të çelë negociatat dhe pse ka përballë barrierën e madhe të vendosur nga presidenti francez Emmanuel Macron. Shqipëria është me sy nga presidenca kroate e BE-së, të cilën do ta mbajë deri në qershor 2020, si dhe te shtetet si Italia dhe Gjermania që mund të bindin skeptikët si Franca apo Holanda.

Presidenti Macron dhe kryeministri Rama. Gazeta "Si" 2020


Mazhoranca ndërkohë ka nisur një betejë tjetër me grupin e cilësuar nga Rama, “Kap ça të kapësh”, që është kundër atyre prokurorëve dhe gjyqtarëve që po abuzojnë me vendimet e tyre dhe që nuk kanë dalë ende në procesin e vettingut. Një projektligj që është kontestuar fuqishëm nga opozita dhe nga organizatat jo qeveritare që mbulojnë procesin e Vettingut, pasi shihet si një nismë që i jep super kompetenca ministrisë së Brendshme, në të drejtën e hetimit dhe të përgjimit të togave të zeza. Kryeministri ka premtuar që ta miratojë në Janar një ligj të tillë.

Kryeministri Edi Rama prezanton paketën Anti-KCK. Gazeta "Si", janar 2020


Një tjetër betejë që Rama ka, është ajo me mediat. Parlamenti ka miratuar paketën ligjore të cilësuar me emrin Antishpifje. Nisma që synon të rregullojë funksionimin e mediave online, duke i krijuar një mekanizëm kontrolli. Një këshill i posaçëm i varur nga qeveria do të monitorojë nëse mediat online kanë shkelur etikën apo vlerësojnë se lajmi është i rremë (fake news) dhe do të caktojë gjoba ndaj tyre. Antishpifja është kundërshtuar nga komuniteti i medias në Shqipëri, por edhe organizatat e huaja për lirinë e medias kanë bërë thirrje që qeveria të mos e miratojë një ligj të tillë, pasi duhet të përdoret parimi i vetërregullimit dhe se AMA nuk mund të marrë rolin e një Gjykata. Ndërsa ky ligj pret vendimin e presidentit Meta që kërkon ta dekretojë ose jo atë, edhe pse kryeministri ka shprehur me bindje se ai do ta kthejë mbrapsht. Ndërsa OSBE-ja nga ana e saj ka theksuar se do të monitorojë procesin se do të zbatohet ligji. Paketa Antishpifje mund të ketë edhe ndikim në procesin e anëtarësimit pasi BE-ja ka shprehur rezerva të mëdha për miratimin e këtij ligji.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë