Politike

Prapaskenat/ Takimi që qetësoi PD-LSI dhe “tërboi” opozitën parlamentare

Mbledhja e parashikuar për këtë të mërkurë e Këshillit Politik për reformën zgjedhore kishte në kalendar diskutimin e disa çështjeve për të cilat palët nuk kanë rënë dakord ende, duke filluar që nga formula e financimit të partive politike në zgjedhje, roli i policisë dhe prokurorisë, e deri tek administrata zgjedhore dhe vetë ideja e ndryshimit të sistemit zgjedhor.

Por, dy kushtet e vendosura si të panegociueshme nga ana e Edi Ramës ditën e martë për depolitizimin e administratës dhe mosemërimin në Kolegjin Zgjedhor si anëtar të gjyqtarëve që nuk kanë kaluar vettingun, e ndryshuan krejtësisht si kalendarin e ditës, tonet e diskutimeve, e deri tek kohëzgjatja e tyre.

Mbledhjes së parë fizike mes Damian Gjiknurit, Oerd Bylykbashit, Petrit Vasilit dhe Rudina Hajdarit i parapriu një mesazh në postën elektronike dërguar nga përfaqësuesi i LSI-së për anëtarët e Këshillit Politik. Në përmbajtje të këtij mesazhi, Vasili e cilësonte të pakuptimtë mbledhjen e këtij Këshilli nëse mazhoranca nuk tërhiqej nga dy kushtet e shqiptuara prej Ramës dhe kërkonte shtyrjen e këtij takimi. Mesazhi i përfaqësuesit të LSI-së gjeti mbështetjen e Bylykbashit nga PD.

Mbledhja e sotme e Këshillit Politik

Megjithatë, si Vasili, ashtu edhe Bylykbashi rreth orës 10:30 minuta u shfaqën në tryezën e bisedimeve, ku iu bashkuan edhe përfaqësues ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR. Sinjalet që ky takim nuk do të ishte as i lehtë dhe as me tone të qetë ishin dhënë që përpara.

Burime të Gazetës “Si” konfirmojnë se ka pasur një debat të ashpër mes Petrit Vasilit dhe Damian Gjiknurit. Përfaqësuesi i LSI-së ka kërkuar sqarime nga ana e Gjiknurit në lidhje me dy kushtet e Edi Ramës dhe nëse ky është qëndrimi i socialistëve në këtë Këshillit, atëherë është e kotë që të vazhdojnë diskutimet për konsensus.

Vasili ka akuzuar socialistët për zbatimin e një skenari zvarritjeje të konsensusit për ta bërë fakt të kryer miratimin e njëanshëm të reformës në qershor. Tonet e debatit janë ashpërsuar kur Gjiknuri fillimisht ka mbrojtur idenë e depolitizimit të administratës, duke e cilësuar atë edhe si plotësim të një prej rekomandimeve të OSBE/ODIHR.

Në këtë moment, thonë burimet, ka ndërhyrë edhe përfaqësuesi i PD-së, Oerd Bylykbashi. Ai ka nënkuptuar se mazhoranca po keqinterpretonte me dashje dhe në mënyrë djallëzore rekomandimet e ODIHR dhe se depolitizimi i administratës zgjedhore nuk mund të bëhet para se të realizohet depolitizimi i administratës publike.

Vasili ka këmbëngulur që Damian Gjiknuri si përfaqësues i socialistëve të deklarojë distancimin nga të dyja kushtet e vendosura nga Edi Rama, në mënyrë që të vazhdojnë puna dhe përpjekjet në Këshillin Politik për gjetjen e një marrëveshjeje konsensuale.

Gjiknuri ka anashkaluar këtë kërkesë të përfaqësuesit të LSI-së dhe pas rreth 2 orësh mbledhjeje, ky i fundit është ngritur nga tavolina. Burimet thonë se në këtë moment kanë ndërhyrë përfaqësuesit ndërkombëtarë në këtë tryezë në përpjekje për të shpëtuar dialogun dhe progresin e arritur.

Për këtë qëllim është ndërprerë për disa minuta mbledhja deri në qetësimin e toneve dhe rikthimin e palëve sërish në tryezë. Mbledhja ka rinisur pas pushimit të shkurtër dhe burimet thonë se për thuajse 1 orë e 30 minuta të tjera tonet kanë qenë më të zbutura mes përfaqësuesve të PS nga njëra anë dhe të PD e LSI nga ana tjetër.

Në këto momente, Rudina Hajdari i është rikthyer çështjes së sistemit, ndryshimi i të cilit është një prej kushteve të opozitës parlamentare. Pas mbledhjes të organizuar online ditën e hënë, Hajdari tha se ishte rënë dakord që të diskutohej kjo çështje gjatë takimit të kësaj të mërkure.

Por, ndryshimi i sistemit ka qenë në plan të dytë si nga PS, ashtu edhe nga PD që prej fillimit të negociatave dhe me përplasjen e re në sfond të dyja palët e anashkaluan këtë temë. Këtu ngriti tonet deputetja e opozitës parlamentare. Hajdari akuzoi PS dhe PD për stisje të përplasjes në mënyrë që të shmangin e anashkalojnë diskutimet për çështjen e sistemit.

Mbledhja u mbyll pa asnjë dakordësi mes tre palëve, por nga Partia Demokratike e vlerësuan të suksesshme, pasi ky takim rrëzoi dy kushtet kushtet e vendosura nga Edi Rama për administratën dhe Kolegjin Zgjedhor.

Oerd Bylykbashi, pas takimit

“Në debatin tonë ne bëmë të qartë qëndrimin tonë dhe mazhoranca në konsideratën tonë u tërhoq nga ato qëndrime që dje në mënyrë shumë provokative Edi Rama bëri. Dua të nënvizoj një fakt, ai prononcim pikërisht në momentin që Këshilli Politik po fillonte punën duket qartë që ishte një tentativë për ta nxjerrë nga binarët punën e Këshillit Politik, sepse Edi Ramës nuk i intereson produkti konsensual i reformës zgjedhore, por kërkon ta miratojë Kodin Zgjedhor vetëm me votat e tij me ato ndryshime që ai pretendon; që administrata zgjedhore të jetë e emëruar prej tij dhe Kolegji Zgjedhor të jetë i përzgjedhur prej tij t’i vërë vulën manipulimeve”, deklaroi Oerd Bylykbashi në përfundim të mbledhjes maratonë.

Deklaratën e Kryeministrit, përfaqësuesi demokrat në Këshillin Politik e cilësoi si silur për të shkatërruar jo vetëm konsensusin, por të gjithë Këshillin Politik, organ i ngritur që në janar si produkt i një marrëveshjeje mazhorancë-opozitë për plotësimin e njërit prej kushteve të vendosura për hapjen e negociatave.

Bylykbashi përforcoi nga ana tjetër kushtet e vendosura nga opozita, mes të cilave është edhe qeveria kujdestare e zgjedhjeve, që sipas variantin fillestar të propozuar duhet të marrë detyrën 100 ditë para procesit zgjedhor. Ai tha gjithashtu se opozita nuk tërhiqet nga qëndrimi për të mos lejuar depolitizimin e administratës zgjedhore, që e sheh si një mekanizëm që kërkon të përdoret nga Edi Rama për vjedhjen e zgjedhjeve dhe as nga propozimet për shtimin e rolit vëzhgues të policisë dhe prokurorisë në proces. Sa i takon ndryshimit të sistemit, Bylykbashi deklaroi se opozita mbetet e hapur.

Damian Gjiknuri, pas takimit

Nga ana tjetër, Damian Gjiknuri më herët minimizoi deklaratën e bërë nga Kryeministri Edi Rama. Ai i cilësoi ato deklarata politike të bazuara në rekomandimet e OSBE/ODIHR, që nuk duhet të përdoren si arsye nga ana e opozitës për t’u larguar nga tryeza e bisedimeve. Gjiknuri nuk përjashtoi mundësinë e ndryshimit të sistemit, por ashtu si Bylykbashi nuk u shfaq shumë entuziast për këtë çështje, por një ndërhyrje e hodhi si ide personale; atë të heqjes së koalicioneve zgjedhore.

“Nuk ka pse deklaratat politike të përdoren si sebepe për të ikur nga tavolina. Negociatorët nuk kanë pse të jenë në presionin e deklaratave politike. Të gjitha propozimet për ndryshimin e sistemit zgjedhor kërkojnë ndryshime Kushtetuese. Kjo kërkon kohë. Disa parti kanë thënë se nuk e votojnë Kodin, pa këtë, por ne do të bëjmë çmos për të gjetur kompromis. Për sistemin ne kemi pikëpamjet tona, kemi opinionet tona, që mbase ka ardhur momenti që mund të rishikohet mos ketë koalicione zgjedhore, ky është mendimi im personal", deklaroi Gjiknuri.

"Këshilli politik nuk është një këshill që diskutohet se cfarë thonë kryetarët e partive. Këtu diskutohen mandatet e çdo anëtari dhe çfarë mundësish që kanë ata që negociojnë. Kjo ndodh se kur vjen puna për sistemin zgjedhor këto mundohen të bëjnë bisht dhe i shkelin syrin njëri tjetri. Për aq kohë sa kanë kryetar partie që i emërojnë në lista ata e kanë kryer detyrën e tyre. E kam kërkura që më më 14 janr ndryshimin e sistemit se në këtë vend nuk ka liri dhe nuk ka as demokraci, kam ardhur këtu vetëm për këto dy parime. Nuk kam gjetur as lirinë pasi në momentin e parë që shpreha mendimin tim u qujata tradhtare dhe as demokraci se kemi një kryeministër që nuk lëshon pushtete dhe pe. U bëj thirrje qytetarëve të më bashkohen në këtë nisëm të ndryshimit të sistemit, në të kundërt do të jenë të djegur me këtë klasë politike. Kjo gjë ka për të ndodhur, momenti është tani, prandaj u kërkoj të gjithëve që ta ndryshojmë këtë sistem, unë për këtë kam ardhur në Shqipëri dhe do luftojë për këtë gjë deri sa të vendoset. Të krijohen kushtet që të ai që e meriton të shkojë në parlament dhe jo ata kandidatë që qëndrojnë si pëllumba rreth kryetarit të tyre", tha Hajdari.

Rudina Hajdari, pas takimit

Por, nëse nga kjo mbledhje përfaqësuesit e opozitës jashtëparlamentare kanë dalë më të qetë nga sa kanë hyrë, nuk ndodhi e njëjta gjë me Rudina Hajdarin. Në mungesë të mbështetjes së partive të mëdha për ndryshimin e sistemit, ish-deputetja e PD kërkoi ndihmën e qytetarëve, duke e cilësuar këtë betejë si misioni i vetëm që e ka rikthyer në Shqipëri nga Amerika.

"Këshilli Politik nuk është një këshill që diskutohet se çfarë thonë kryetarët e partive. Kjo ndodh se kur vjen puna për sistemin zgjedhor këta mundohen t’i bëjnë bisht dhe i shkelin syrin njëri-tjetrit. Për aq kohë sa kanë kryetar partie që i emërojnë në lista ata e kanë kryer detyrën e tyre. U bëj thirrje qytetarëve të më bashkohen në këtë nisëm të ndryshimit të sistemit, në të kundërt do të jemi të djegur me këtë klasë politike. U kërkoj të gjithëve që ta ndryshojmë këtë sistem, unë për këtë kam ardhur në Shqipëri dhe do të luftoj për këtë gjë deri sa të vendoset", deklaroi ajo.

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë