Politike

Po ndërkombëtarët, kush i ka?

Në protestën e fundit kombëtare të 21 qershorit, Lulzim Basha tha se dyert e kancelarive perëndimore janë mbyllur për Edi Ramën, ndërkohë që Edi Rama këmbëngul për të kundërtën dhe se opozita është e izoluar në aksionin e saj ekstrem për të bllokuar të drejtën e qytetarëve për të votuar.

Qysh prej djegies së mandateve më 21 shkurt dhe nisjes së aksionit të saj në rrugë e sheshe ku nuk kanë munguar episodet e dhunës, opozita asnjëherë, të paktën publikisht nuk e ka patur mbështetjen e ndërkombëtarëve, si në Tiranë, ashtu edhe në Bruksel, apo Uashington. Megjithatë, ky qëndrim i ndërkombëtarëve, një pjesë e mirë e të cilëve edhe të së djathtës europiane.

“Mesazhi i sotëm është i qartë dhe i prerë ndaj miqve dhe aleatëve tanë dhe armiqve të demokracisë, se ne jemi gati të sakrifikojmë gjithçka për votën e lirë! Se ne jemi populli i Europës dhe nuk e duam despotizmin antieuropian të qeverisë së banditëve dhe kriminelëve që kanë asgjësuar demokracinë, kanë kapur drejtësinë dhe kanë bllokuar rrugëtimin tonë drejt Europës”, u shpreh Basha në fjalën e mbajtur gjatë protestës së 21 qershorit.

Çfarë ndodhi, që sipas Bashës, u ndryshoi mendjen ndërkombëtarëve? Kreu i PD-së thotë se radiografia që Bild-i i bëri procesit zgjedhor në Shqipëri tregoi se nuk kemi të bëjmë më thjesht me një shtet të kapur nga krimi, por me një shtet të shkrirë me krimin e organizuar. “Ndaj, asgjë nuk do ta zgjidhë këtë krizë pa u ndëshkuar hajdutët e votave, kriminelë apo politikanë”, thotë ai.

A mjaftojnë këto përgjime për të legjitimuar aksionin ekstrem të opozitës në sytë e ndërkombëtarëve? Për Bashën, po.

“Europa nuk është kundër shqiptarëve. Europa është kundër drogës, kundër qeveritarëve të korruptuar. Nuk shkohet në Europë pa vlerat europiane të zgjedhjeve të lira e të ndershme, pa drejtësi me një standard për të gjithë, pa i dhënë fund pandëshkueshmërisë së politikanëve”, thotë ai.

Pavarësisht këtij pretendimi të Lulzim Bashës, seria e publikimeve të Bild nuk ka ndryshuar qëndrimin e ndërkombëtarëve. Një pjesë e tyre kanë dalë me deklaratat standarde kundër dhunës dhe kanë përsëritur thirrjet e vazhdueshme për dialog, ndërsa një pjesë kërkojnë rikthimin e opozitarizmit në rrugë institucionale. Ajo që ndryshon në gjuhën e përgjithshme të ndërkombëtarëve janë tonet dhe notat qortuese ndaj aksionit të opozitës, ndërsa e përbashkëta qëndron në faktin se askush nuk ka vënë në mëdyshje legjitimitetin e qeverisë dhe Parlamentit aktual, pavarësisht debate të brendshme, ku është përfshirë edhe Presidenti i Republikës, qysh prej dekretit të anulimit të zgjedhjeve të 30 qershorit.

Rama nga ana tjetër vazhdon fushatën dhe këmbëngul se ka mbështetjen e ndërkombëtarëve në bindjen e tij për të mbajtur zgjedhjet më 30 qershor, duke sfiduar si opozitën, ashtu edhe Presidentin dhe dekretin e tij që e cilëson nul.

“E qartë është zgjidhja që mbështet gjithë komuniteti ndërkombëtar dhe patjetër edhe shumica dërmuese e popullit shqiptar, që do të thotë se zgjedhjet nuk janë të politikanëve, janë të popullit. Populli ka të drejtë të zgjedh në ditën e përcaktuar nga Kushtetuta dhe nga ligji dhe politikanët kanë detyrë të paraqiten para popullit. Kush nuk paraqitet para popullit është i lirë ta bëjë, por historia ka treguar se jo vetëm nuk fiton asgjë, por përkundrazi paguan një kosto të madhe politike”, deklaroi Kryeministri në një intervistë të dhënë për Radio Europa e Lirë.

Në të njëjtën intervistë Rama përsëriti ftesën për dialog, por tha se në tryezë nuk negocion datën e zgjedhjeve, pasi sipas tij kjo përkthehet në negociim të demokracisë dhe të së drejtës së qytetarëve për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur.

Ftesa është refuzuar nga Basha. “Ftesat për dialog që bëhen për sy e faqe, apo akoma më keq për propagandë, nuk janë ftesa por janë përpjekje për t’i hedhur hi syve njerëzve. Në krizën aktuale në Shqipëri është e qartë se shkaktari kryesor është pikërisht zoti Rama, i cili për pushtetin e tij, për karrigen e tij, ka lidhur një pakt me krimin çka faktohet edhe nga këto dosje hetimore (339 dhe 184). Disa gjëra dalin qartë nga këto dosje hetmore, megjithëse vetëm pak minuta janë zbardhur”, u shpreh Basha në një intervistë dhënë po për Radio Europa e Lirë.

Kushtet e vendosura nga të dyja palët për t’u ulur në tryezën e bisedimeve duket se i mbajnë ato vite dritë larg njëra-tjetrës. Rama thotë se nuk negocion datën e zgjedhjeve, ndërsa Basha deklaron se nuk negocion me Edi Ramën Kryeministër. Situata është bërë edhe më e paparashikueshme nga hyrja në valle e Presidentit Ilir Meta me dekretin e anulimit të zgjedhjeve. Monika Kryemadhi tha gjatë protestës së 21 qershorit se ndërkombëtarët në Tiranë mbrojnë interesat e vendeve të tyre, jo domosdoshmërisht interesat e qytetarëve shqiptarë.

Megjithatë, ndërkombëtarët, përfshirë këtu edhe OSBE/ODIHR nuk janë bërë pjesë e përplasjes juridike mes mazhorancës nga njëra anë dhe Presidentit dhe opozitës nga ana tjetër mbi vlefshmërinë e dekretit presidencial, por heshtja në deklarata mbi këtë temë dhe veprimet në terren tregojnë se mbështesin mbajtjen e zgjedhjeve më 30 qershor.

Misioni i OSBE/ODIHR vazhdon monitorimin zgjedhor dhe po ashtu edhe përgatitjet për të vëzhguar ditën e zgjedhjeve. Për asnjë moment ky mision nuk është dyzuar, të paktën publikisht nga dekreti i Ilir Metës që anulon 30 qershorin. Pikërisht për këtë arsye, Presidenti Ilir Meta iu drejtua me një letër zyrtare kreut të OSBE-së, Miroslav Lajçak.

Në letër, Meta i thotë kreut të OSBE-së se është ai i vetmi institucion që vendos për datën e zgjedhjeve, ndërsa për vendimin e tij për anulimin e 30 qershorit, vendos vetëm Gjykata Kushtetuese. Presidenti akuzon mazhorancën se po nxit tensione përmes retorikës përçarëse dhe konfliktuese me anëtarët e opozitës dhe se refuzon që të zbatojë dekretin, që sipas tij, është i detyrueshëm për të gjitha institucionet përsa kohë është botuar në Fletoren Zyrtare.

“Dekreti im dhe arsyetimi i plotë kushtetues, ligjor dhe logjik u botua më 10 qershor. Ky dekret u botua në Fletoren Zyrtare më 11 qershor, dhe sipas nenit 117 të Kushtetutës sonë është në fuqi dhe i detyrueshëm për të gjitha institucionet shtetërore dhe qytetarët”, shkruan kreu i shtetit në letrën në fjalë.

OSBE nuk ka reaguar në lidhje me këtë letër të Presidentit, por paraditen e së hënës, shefja e misionit vëzhgues në Shqipëri, Audrey Glover hyri në selinë e Partisë Socialiste për të zhvilluar një takim me Edi Ramën dhe Taulant Ballën.

https://www.facebook.com/usembassytirana/posts/10156453378140838

Në Tiranë, Bruksel dhe në të tjera kancelari mike të Shqipërisë, thirrjet për bisedime dhe shmangie të tensioneve kanë qenë të vazhdueshme, por angazhimi i tyre nuk ka mjaftuar. Përballë kësaj krize duket se edhe vetë miqtë e Shqipërisë janë lodhur.

“I zoti e nxjerr gomarin nga balta! Kriza që po jetojmë janë përsëritur shpesh në 25 vitet e fundit dhe them se është koha të ulemi dhe t’i shohim çfarë duhet rregulluar, ta shohim sistemin për ta përmirësuar. Ka mesazhe nga ana jonë për të dyja palët, opozitën dhe qeverinë”, deklaroi disa ditë më parë nga Shkodra, ambasadori austriak në Tiranë, Johan Sattler.

Si Sattler duket se mendojnë edhe përfaqësuesit e tjerë ndërkombëtarë në Tiranë dhe gjetkë. Ata kanë heshtur sidomos pas dekretit të Ilir Metës, me anë të të cilit tha se synonte zbutjen e tensioneve. Në të vërtetë, i vetmi efekt i dekretit ka qenë “zbutja” e ndërkombëtarëve, që nuk duan të përfshihen në debate të brendshme juridike.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë