Bota

Rusia arreston gazetarin e ‘Forbes’, Sergei Mingazov. Publikoi lajme mbi masakrën në Bucha

Gazeta Si - Një gazetar i edicionit rus të revistës “Forbes”, është arrestuar në Rusi për “përhapjen e lajmeve të rreme për Forcat e Armatosura”.

Ai është është Sergei Mingazov, sipas asaj që raportojnë gazetat “Rbk” dhe “Meduza”, duke cituar avokatin e gazetarit.

Avokati i Mingazov, Konstantin Bubon, raportoi se klienti i tij akuzohet se ka shpërndarë një postim në kanalin e tij Telegram, "Khabarovskaya Mingazeta", në lidhje me zbulimin e varrezave masive në vitin 2022 në Bucha, Ukrainë.

Gazetari tani është arrestuar në qytetin Khabarovsk, në Lindjen e Largët Ruse.

Mingazov më parë ka bashkëpunuar me “Vedomosti” (Ведомости), e përditshmja e dytë më e madhe e biznesit në Rusi, dhe ka punuar gjithashtu si korrespondent për agjencinë e lajmeve “Tass” në Khabarovsk.

Akuza për përhapjen e lajmeve të rreme dhe diskreditimin e ushtrisë u fut në Kodin Penal rus në vitin 2022, pak pasi filloi pushtimi në shkallë të gjerë në Ukrainë dhe është përdorur vazhdimisht kundër gazetarëve dhe kundërshtarëve që kanë kritikuar atë që në Rusi quhet "operacion special ushtarak”.

Sipas vlerësimeve të mediave të raportuara nga “Meduza”, deri më tani për këtë akuzë janë dënuar 132 persona.

Klauzola "d", pjesa 2 e nenit 207.3 të Kodit Penal Rus, dënon "zbulimin e informacionit të qëllimshëm të rremë në lidhje me forcat e armatosura të Federatës Ruse dhe për ushtrimin nga organet qeveritare ruse të kompetencave të tyre".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë