Politike

Italia Ramës dhe Bashës: Shmangni dhunën më 30 qershor!

Qeveria italiane duket se ka vendosur të ndërhyjë për krizën politike në Shqipëri, duke reaguar e para në rang ndërkombëtar, pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor që rrëzoi dekretin e Presidentit Ilri Meta për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.

Mediat italiane bëjnë të ditur se Ministri i Punëve të Jashtme Enzo Moavero Milanesi ka biseduar në telefon me kryeministrin shqiptar, Edi Rama dhe kryetarin e opozitës Lulzim Basha.

Sipas një njoftimi të Ministrisë së Jashtme italiane, Milanesi u ka kërkuar Ramës dhe Bashës të respektojnë "rëndësinë thelbësore për të siguruar në mënyrë absolute respektin ndaj rregullave themelore të demokracisë, dhe sundimit të ligjit".

Kreu i diplomacisë italiane u ka bërë po ashtu të ditur kryeministrit dhe kreut të opozitë, se është me rëndësi që të shmanget dhuna në zgjedhjet e 30 qershorit dhe apelon për dialog mes palëve për të siguruar zgjedhje të qeta.

"Pavarësisht divergjencës së vlerësimeve midis forcave politike shqiptare, është thelbësore të shmangen të gjitha format e dhunës dhe të shprehen mendimet dhe qëndrimet përkatëse në mënyrë demokratike", përsëriti Milanesi

Ministri i Jashtëm italian, bën të ditur se zgjedhjet do të monitorohen nga një mision ndërkombëtar i udhëhequr nga OSBE-ODHIR, vëzhgues nga shumë vende të tjera, përfshirë edhe Italinë.

Pak ditë më parë, Italia garantoi mbështetjen për integrimin evropian të Shqipërisë duke bërë avokatin për vendimin pro hapjes së negociatave. Deklarata u bë nga ambasadori Italian në Tiranë, Alberto Cutillo gjatë një vizite në Gjirokastër.

Duke folur për rekomandimin e Komisionit Evropian për hapjen e negociatave, Cutillo e cilësoi si një moment historik për vendin tonë. Diplomati italian vuri theksin edhe tek shkelësit e ligjit, për të cilët deklaroi se peshq të vegjël apo të mëdhenj, të gjithë duhet të dalin para ligjit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë