Politike

Kriza vë zgjedhjet në rrezik, OSBE: U prishën balancat politike

Klima e përgjithshme në vend e shkaktuar nga kriza dhe mosbesimi i thellë mes palëve politike vendos në rrezik serioz zgjedhjet e 30 qershorit. OSBE/ODIHR publikoi raportin mbi përgatitjet për zgjedhjet vendore që janë në prag. Raporti vë theksin tek prishja e balancave politike në administratën zgjedhore, politizimin e institucioneve, lajmet e rreme përmes rrjeteve sociale dhe mosreflektimin e rekomandimeve pas zgjedhjeve të 2017 në Kodin Zgjedhor.

– OSBE: Zgjedhje pa opozitën? Nuk inkurajojmë aspak bojkotin

Për prishjen e balancave, OSBE kujton refuzimin e Partisë Demokratike dhe pjesës tjetër të opozitës për të dorëzuar në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve emrat e përfaqësuesve të tyre në komisionet e administrimit të procesit zgjedhor. Theksohet gjithashtu se vetë KQZ po funksionon me minimumin e kuotës për të marrë vendime.

“Përbërja aktuale e KQZ-së nuk është e balancuar politikisht. PD nuk ka dorëzuar dy përfaqësuesit e saj. Megjithatë, institucioni ka kuorumin prej minimal prej pesë anëtarësh për të vazhduar me të gjitha hapat për përgatitjen e zgjedhjeve të qershorit”, thuhet në raport.

Raporti nuk vëren asnjë pengesë të qënësishme për moszbatimin e rekomandimeve të dhëna pas zgjedhjeve parlamentare të 2017, përveç mungesës së vullnetit politik nga dy partitë e mëdha që ngritën Komisionin për Reformën Zgjedhore në dhjetor të 2017.

“Pjesa më e madhe e rekomandimeve mbeten të paadresuara, përfshirë ato që kanë të bëjnë me shit-blerjen e votës, abuzimit me fondet shtetërore, depolitizimin e administratës zgjedhore, kufizimin e të drejtës për të votuar, dekriminalizimin e shpifjes dhe pjesës tjetër të garancive që do të siguronin të drejtën për të votuar të lirë. Për këto mungoi vullneti politik dhe këshillimet nga dy partitë e mëdha me partitë më të vogla, shoqërinë civile dhe personat me aftësi ndryshe ishin të kufizuar”, vijohet në raport.

Sa i takon politizimit të institucioneve, OSBE/ODIHR vëren se adresimi i këtyre rekomandimeve do të vendosnte një vijë të qartë ndarjeje mes aktiviteteve shtetërore dhe atyre partiake në periudhën e fushatës elektorale.

Raporti thekson se kuadri ligjor rregullon dhe garanton një mbulim të mirë dhe të barabartë të aktiviteteve partiake, apo të koalicioneve në media, por problematikën e vendos tek mediat online dhe rrjetet sociale.

Raporti thotë se në dhjetor të 2018 qeveria nisi konsultimet publike për një draft anti-shpifje, ku mes të tjerave propozonte edhe regjistrimin e portaleve si një masë kundër lajmeve të rreme. Nisma është qortuar nga OSBE në atë kohë. Raporti e njeh këtë problematikë dhe nga takimet që kanë patur zyrtarët e OSBE/ODIHR thonë se një pjesë e bashkëbiseduesve të institucioneve shqiptare kanë ngritur si shqetësim lajmin e rremë dhe rolin e madh që mund të luajë në rezultatin e zgjedhjeve të fundit të qershorit. Megjithatë, në raport kërkohet që të bëhet kujdes që masat të mos cenojnë të drejtën kushtetuese të lirisë së shprehjes.

OSBE/ODIHR thotë se rreziku që gjuha e përdorur në fushatën zgjedhore të jetë tejet e ashpër dhe në shumë raste të tejkalojë të gjitha caqet e një procesi zgjedhor është i lartë. Prandaj, si përfundim, raporti parazgjedhor del me një rekomandim kryesor, ku kërkohet që OSBE të vendosë një mision afatgjatë vëzhgimi të përbërë prej 22 personash, të cilët do të monitorojnë përgatitjet zgjedhore, fushatën dhe klimën postzgjedhore. Ndërkohë, për ditën e votimit rekomandohen 250 vëzhgues, të cilët do të ndjekin procesin e votimit më 30 qershor.

 

Më Shumë