Analize

Përse Kosova ka nevojë më shumë se kurrë për SHBA-në?

Kanë kaluar pothuajse dy dekada që kur Shtetet e Bashkuara udhëhoqën një nga operacionet me të suksesshme ushtarake të NATO-s, bombardimin e Serbisë për 78 ditëve rresht. Pas luftës së përgjakshme ndaj shqiptarëve të Kosovës, Slobodan Millosheviç u rrëzua shpejt dhe u akuzua për krime lufte. Kosova festoi të dielën 11 vjetorin e pavarësisë së saj, por edhe pse kanë kaluar gati dy dekada ka tanimë nevojë më shumë së kurrë për Amerikën .

Prishtina zyrtare ndodhet përballë një momenti kyç që do të jetë mjaft vendimtar për të ardhmen: arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë. Por pa Shtetet e Bashkuara përkrah saj në tryezën e bisedimeve, rezultati i kësaj marrëveshjeje mund të rezultojë katastrofik për Kosovën.

Sipas një sondazhi, sot shqiptarët e Kosovës i japin Trump pikë shumë të lartë mbështetjeje, 75 për qind, më shumë sesa çdo vend tjetër në botë. Si vendi më pro-amerikan në botë, Kosova po përballet sipas kryeministrit Haradinaj me një agresion të pashembullt nga Rusia, e cila e ka bërë të qartë se do të bëjë të pamundurën për t’u përfshirë në dialogun Prishtinë-Beograd.

Në një intervistë për mediat amerikane, kryeministri Ramush Haradinaj ka deklaruar se ndihmesa e presidentit Trump do të ishte thelbësore për Kosovë, duke ngritur alarmin se Prishtina është në rrezik të madh nga ndikimi rus dhe kthimi i luftëtarëve të ISIS-it në shtëpi.

Ramush Haradinaj

Duke folur për “CNBC News” gjatë konferencës së Mynihut, ai ka theksuar se ndërkohë që po përgatitet për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë, Prishtina zyrtare po përballet me agresion të pashembullt nga Rusia dhe me rrezikun terrorist. I pyetur se cili nga këto sfida përbënte kërcënim më të madh, kryeministri u përgjigj: "Të dyja."

Kosova kishte numrin më të lartë të qytetarëve që shkuan të luftonin përkrah Shtetit Islamik në Siri dhe Irak se çdo vend tjetër në Europë; rreth 413 shqiptarë të Kosova u larguan për t'u bashkuar me ISIS-in dhe grupet e tjera ekstremiste.

"Ajo që ne e quajmë agjenda islamike, ishte shumë agresive ndaj nesh", tha Ramush Haradinaj. Kosova në fakt kishte më shumë qytetarë për kokë në Siri se ndonjë vend evropian. Prishtina zyrtare ka qenë nën presion të madh nga SHBA-ja dhe BE-ja për të luftuar radikalizimin. Shumë ekspertë janë të shqetësuar për sigurinë e vendit pas lirimit të ekstremistëve nga burgu.

Haradinaj shprehet se është edhe më i shqetësuar për ndikimin e Rusisë, e cila sipas Beogradit zyrtar do të ketë fjalën e fundin në marrëveshjen që do të arrihet me Kosovën.

"Por rusët janë shumë më agresivë" thotë kryeministri. "Ata e bazojnë pjesën më të madhe të aktiviteteve të tyre nga Serbia, kanë gati 3,000 agjentë në baza ‘humanitare’ në Serbi, shumica e të cilëve janë anëtarë të shërbimeve ruse të sigurisë”.

"Por ne kemi bërë detyrat tona të shtëpisë, ne nuk jemi vetëm. Ne po punojmë në partneritet të ngushtë me SHBA-në dhe aleatë të tjerë, kryesisht aleatë të NATO-s", theksoi Haradinaj.

Kohët e fundit Moska ka shprehur ambicie për të ndërhyrë në dialogun Kosovë-Serbi , ndërkohë që i ka dhuruar një sërë avionësh luftarakë Beogradit dhe refuzon të njohë legjitimitetin e Kosovës.

Nën hijen e Rusisë

Pak ditë më parë, Haradinaj hodhi akuza të forta duke deklaruar se në Shqipëri janë paguar para në favor të projektit të ndarjes së Kosovës. Sipas kryeministrit kosovar, burime i këtyre parave është Rusia, e cila ka arritur të “shtijë në dorë media dhe pushtetarë”.

“Në Shqipëri është lobuar edhe më parë për projektin e ndarjes. Gazetarë dhe analistë nga Kosova… kanë hyrë me shumë para në Shqipëri. Rusët kanë mbërritur në Shqipëri dhe kanë hedhur shuma të mëdha parash për të ndarë Kosovën duke lobuar në media, televizione dhe pushtetarë”, deklaroi Haradinaj, duke theksuar se kushdo në Shqipëri që del publikisht dhe thotë t’i japin Serbisë Veriun e Kosovës, së bashku me minierën e Trepçës, është duke folur me paratë e rusëve.

Presidenti rus Vladimir Putin me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç

“Nëse u themi shqiptarëve ‘shkëmbeni Veriun për 500 miliardë euro’, ndërkohë që Shqipëria buxhetin vjetor e ka 4 miliardë dhe Kosova 2 miliardë, shumë zyrtarë në Kosovë dhe në Shqipëri do të pranonin”, deklaroi Haradinaj.

Ai “fshikulloi” kryeministrin Rama dhe Presidentin Thaçi se kanë ndërmarrë një agjendë të gabuar. “Nuk ndërrohet territori dhe kufijtë. Unë nuk jam tregtar dhe nuk përfaqësoj ndonjë mall që mund të shkëmbehet apo tregtohet. Nuk ka kryeministër që ofron tokën e shtetit të vet për shkëmbim. Është absurditeti më i madh. Është banalitet i madh”, u shpreh Haradinaj.

Kosova ka qenë në mendjen e Moskës që nga vrasja e politikanit serb, Oliver Ivanoviçit. Duke folur në atë kohë në një konferencë për shtyp, Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov rikujtoi se Ballkani ka qenë "një burim për konflikte shumë serioze" në të kaluarën. "Shpresoj që të gjithë të kuptojnë se sa e domosdoshme është të mos lejohet një konfrontimi i njëjtë ushtarak”, deklaroi ai.

Por Kryeministri Haradinaj thotë se nuk beson se Kremlini është me të vërtetë i shqetësuar për stabilitetin në Ballkan. Sipas tij, Rusisë i intereson që rajoni të jetë në gjendje krize .

"Agjenda e Rusisë për zgjimin e konflikteve nacionaliste është shqetësuese", tha Haradinaj. "Të gjithë duhet të jemi kundër një skenari të tillë në rajonin tonë".

Rreth 5,000 trupa të NATO-s vazhdojnë të qëndrojnë në Kosovë, duke përfshirë rreth 600 forca amerikanë. Rusia shpesh e ka etiketuar këtë prani si një shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

Mirënjohja e Kosovës ndaj SHBA-së për ndërhyrjen e vitit 1999 është e aq e madhe sa e shpalli një ditë zie kombëtare për ndarjen nga jeta të ish-presidentit George H.W. Bush më 5 dhjetor.

Ushtarët amerikanë në Bondsteel

Marrëveshja e paqes me Serbinë

Me Serbinë dhe Rusinë që duket se janë ulur në të njëjtën karrige, Kosova do të ketë nevojë më shumë se kurrë për ndihmën e administratës amerikane në mënyrë që të dalë sa më e fituar nga marrëveshja përfundimtare më Serbinë. Presidenti Trump është shprehur mëse i gatshëm të ndihmojë në arritjen e një pakti dhe ka dërguar plot katër letra duke u bërë thirrje të dyja palëve të rikthehen në tryezën e bisedimeve.

Ndërkohë që shumë ekspertë në Prishtinë ishin të shqetësuar për të ardhmen e aleancës me SHBA-në, pas refuzimit të Haradinaj për të hequr taksën ndaj importeve serbe, Trump i kërkoi për herë të parë Serbisë që kur erdhi në pushtet të njihte pavarësinë e Kosovës.

Por këtij angazhimi të pashembullt të presidentit amerikan, i është përgjigjur edhe Rusia, e cila ka kërkuar gjithashtu të përfshihet në dialog. Edhe pse mbështetja e SHBA-së për Prishtinën duket e patundur, Kosova do të ketë nevojë më shumë se kurrë përgjatë muajve të ardhshëm për angazhimin dhe partneritetin e qeverisë amerikane, pasi është shumë e rëndësishme që fjalën e fundit në tryezën e bisedimeve ta thotë Kosova dhe jo Serbia.

Marrëveshja e paqes është thelbësore për anëtarësimin e mundshëm të NATO-s dhe BE-së si për Serbinë ashtu edhe për Kosovën dhe të dyja palët kanë shprehur gatishmërinë për të arritur një marrëveshje.


Ramush Haradinaj

"Pas përfundimit të luftës në Kosovë, më në fund ka ardhur koha për një marrëveshje përfundimtare mes nesh dhe Serbisë", tha Haradinaj. "Megjithatë, ajo nuk do të jetë thjesht një marrëveshje, por normalizimi i marrëdhënieve mes dy kombeve”, thekson kryeministri.

Megjithatë, pas kthimit në shtëpi, ai deklaroi se taksa doganore ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina do të mbetet në fuqi për aq kohë sa ai të jetë kryeministër, edhe pse ajo është bërë pengesë e vazhdimit të dialogut, pasi delegacioni serb ka anuluar pjesëmarrjen në këto bisedime derisa sa tarifa të jetë në fuqi.

Kryeministri Haradinaj u shpreh i palëkundur ndaj mbajtjes në fuqi të këtij vendimi, edhe pse i vetëdijshëm se është duke kundërshtuar kërkesën e SHBA-së dhe Bashkimit Europian për pezullimin e tarifës ndaj mallrave serbe.

“Shpresoj se më dëgjuat shumë mire”, deklaroi Haradinaj. “Nëse ne fillojmë të bëjmë hapa prapa, fillimisht Serbia do të kërkojë të hiqet tarifa, pastaj të hiqet Trepça apo të hiqet ushtria”, paralajmëroi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë