Mendim

Përse BE-ja bën pakte me regjimet autoritare?

BE-ja krenohet me një politikë të jashtme, të bazuar në vlera që afirmojnë demokracinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut. Megjithatë, marrëdhëniet e Europës me fqinjët e saj arabë dhe samiti i pashembullt midis Lidhjes Arabe dhe Bashkimit Europian në Sharm El-Sheikh të Egjiptit rreth një muaj më parë tregoi në radhë të parë një përplasje të regjimeve politike.

Nga 30 shtetet arabe që u takuan në Egjipt, vetëm Tunizia i afrohet plotësimit të këtyre kritereve. Edhe pse presidenti sudanez Omar Al-Bashir dhe princi i kurorës së Arabisë Saudite Muhammed bin Salman, kishin rënë dakord ta bojkotonin aktivitetin, plot 20 liderë europianë, përfshirë këtu edhe kancelaren gjermane Angela Merkel vendosën të merrni pjesë në samit.

Ata vlerësuan njëzëri presidentin e Egjiptit, Abdel Fattah El-Sisi për mikpritjen, edhe pse ky fundit është një ish-gjeneral që rrëzoi qeverinë e zgjedhur me vota të Vëllazërisë Myslimane në verën e vitit 2013, duke lënë qindra të vrarë. Ai e ka qeverisur vendin falë një grushti të hekurt, duke burgosur dhjetëra gazetarë si dhe 60.000 kundërshtarë politikë. Sipas “Human Rights Watch”, vetëm muajin e kaluar, në Egjipt u vranë 9 anëtarë të Vëllazërisë Myslimane.
Përmbysja e qeverisë së zgjedhur në mënyrë demokratike, pas revolucioni të vitit 2011, u justifikua si një fazë tranzitore nëpër të cilën po kalonte Egjipti. Por mbështetësit e Sisit, po forcojnë kontrollin, për të qëndruar në pushtet të paktën deri në vitin 2034.

Angela Merkel dhe presidenti Abdel-Fattah al-Sisi

Por të paktën El-Sisi kujdeset të ketë fasadën e një burri shteti modern, ndryshe nga liderët e Ligës Arabe. Europa, është mësuar ta portretizojë sakrifikimin e të drejtave të njeriut, si koston e nevojshme të diplomacisë në një botë anarkike. Por përse Europa e konsideron të nevojshme marrëdhënien diplomatike me qeveritë e regjimeve të tilla autoritare?
Samiti nuk solli asnjë marrëveshje konkrete mes Brukselit dhe Ligës Arabë, përvecse legjitimitoi pushtetin e Sisit duke e pranuar ftesën e tij. Kryetari i Këshillit Europian Donald Tusk,e përfundoi takimin me një konferencë të tensionuar për shtyp, kur El-Sisi mbrojti regjimin e tij autoritar nën flamurin e nacionalizmit kulturor.

“Ju nuk mund të na mësoni ne humanizmin”- deklaroi Sisi nën duartrokitjet e zjarrta të gazetarëve egjiptianë. “Europianët dhe arbët kanë ide të ndryshme për humanizmin, vlerat demokratike dhe etikën… Respektoni vlerat tona, siç bëjmë ne me tuajat!”, deklaroi ai.
Nëse iu qëndron parimeve të saj, BE-ja nuk mund të pranojë një refuzim të tillë të vlerës universale të të drejtave të njeriut dhe sigurisht jo nga dikush me një legjitimitetit të dyshimtë si El-Sisi. Pra, përveç gjeografisë, çfarë e detyron Brukselin të lidhë marrëveshje me diktatorë të tillë?

Realiteti politik dhe krizat e brendshme e kanë detyruar jo rrallëherë BE-në të lidhë marrëveshje me liderë që i kanë duart e pista.

Ajo që e detyroi BE-në të kërkonte një dialog konstruktiv me Ligën Arabe, është dështimi për ta zgjidhur problemin e emigracionit brenda unionit. Liga Arabe nuk është thjesht një burim refugjatësh, azilkërkuesish dhe emigrantësh ekonomikë, por gjithashtu edhe një pengesë midis Europës dhe dhjetëra milionë emigrantëve në rajonin e Sahelit dhe në Afrikën Sub-Sahariane.
Është e qartë se zgjidhja e vetme konstruktive për këtë problem, në një periudhë afatgjatë është rindërtimi i shtetit dhe të gjitha strukturave të tij në Libi, Siri dhe Irak dhe rritja e zhvillimit ekonomik për të gjithë rajonin. Europa po promovon një agjendë ambicioze zhvillimi për Afrikën, por shkalla e problemeve atje është e frikshme dhe fondet e BE-së janë të pamjaftueshme.

Angela Merkel në Arabinë Saudite

Por ajo që e bën krizën kaq akute, është fakti se Europa është shumë e papërgatitur për ta trajtuar brenda unionit problemin e emigrantëve. Nuk ka baza të financuara si duhet, për të trajtuar në një formë të civilizuar dhe efikase flukset e emigraantëve. S’ka një strategji racionale, për shpërndarjen e emigrantëve anembanë BE-së.

Është pikërisht paaftësia e Evropës, ajo që e detyron atë të mbështetet tek fqinjët autoritarë, për të mbajtur dhe strehuar emigrantët, dhe frenuar fluksin e refugjatëve. Kjo u bë fillimisht e dukshme në vitin 2016, gjatë marrëveshjes së arritur mes Merkelit me presidentit turk Rexhep Taip Erdogan.

BE-ja paguan miliona euro që Turqia të pranojë refugjatët e kthyer nga Europa dhe të frenojë fluksin e emigrantëve nga Lindja e Mesme. Marrëveshje të tjera të ngjashme, janë nënshkruar me Libinë.

Sipas analistëve, është një gjë të jesh realist mbi nevojën për të bashkëpunuar me Kinën për ndryshimet klimatike dhe një gjë krejtësisht tjetër të këmbëngulësh për bashkëpunim me El-Sisin dhe shpurën e tij, për shkak se Evropa nuk mund ta përballojë e vetme problemin e emigracionit. Zgjedhja e Europës në këtë rast është injorimi i të gjitha vlerave demokratike, respektimin e së cilave ua kërkon me ngulm vendeve kandidate. /”Foreing Policy”/

 

Më Shumë