Trend

Pastë dhëmbësh, limon, sodë buke / Shqiptarët u besojnë rrjeteve sociale për kujdesin e lëkurës… derisa e pësojnë

Nëpër rrjetet sociale ka një numër në rritje ‘ekspertësh’ që sjellin njohuritë e tyre të bukurisë tek masat por me çfarë çmimi?
Foto ilustruese

Nga Gazeta Si- Kur bëhet fjalë për botën e bukurisë, rrjetet sociale e kanë transformuar plotësisht atë. Qofshin mësime përmes Youtube apo rekomandime në Instagram dhe të gjitha platformat e mediave sociale që ne të gjithë përdorim e kanë ndryshuar industrinë. Kjo është një thikë me dy presa. Nga njëra anë, qasja tek artistët e grimit, ekspertët e kujdesit të lëkurës dhe parukierët e bën bukurinë të arritshme për të gjithë dhe nga ana tjetër, vëllimi i madh i këshillave që tani i marrim me një klik e bën të pamundur ndarjen e të mirës nga e keqja. Dezinformatat janë përhapur gjerësisht, edhe te ne, ku shqiptarët u besojnë rrjeteve sociale.

Dermatologe Elena Dinkollari thotë për Gazetasi.al se në Shqipëri janë shtuar personat, kryesisht femra të çdo moshe që ndikohen nga njerëz “që nuk kanë lidhje me mjekësinë dhe nuk e njohin fare lëkurën por thjeshtë reklamojnë produkte lëkure që nuk funksionojnë për të gjithë njësoj”.

Elena Dinkollari, dermatologe. Gazeta "Si", 18 prill, 2022.

Cili është produkti që përdorin më shumë gabim?

“Produktet që kanë përmbajtje acidesh ose retinolin”, thotë Dinkollari duke shtuar se  mënyra se si i përdorin është shumë i gabuar. Zakonisht e përdorin retinolin ose në një përqendrim shumë të lartë që e blejnë në një dyqan ose e përdorin çdo ditë “ndërkohë që retinoli si fillim duhet të përdoret një herë në 3 ditë dhe vetëm në darkë, jo në mëngjes”. Dinkollari tregon se vajzat në Shqipëri dëgjojnë blogere që nuk dinë bazën e produktit dhe thjeshtë thonë se përdoret retinoli.

Mënyra e përdorimit të retinolit në pjesën më të madhe të klienteve është gabim. Dinkollari shton se shumë problem është edhe përdorimi i produkteve që i bëjnë në shtëpi.

“Produktet që sillen nëpër rrjetet sociale janë produkte të dëmshme për tu përdorur”. Këtu Dinkollari përmend produkte që i ka hasur më shumë në vendin tonë që janë pastë dhëmbësh, limoni dhe soda e bukës të cilat asnjëra nuk mund të përdoren pa ju ditur pehashin.

“Soda e bukës është shumë alkaline, ka pehash shumë bazik, nuk duhet të përdoret. Gjithashtu dhe limoni që ka shumë acid dhe ka pehashin 2 ndërkohë që soda e ka 8 dhe lëkura e ka 4.5. Këto janë produkte që nuk mund të përdoren pa i konsultuar me një mjek apo specialist”, shton ajo.

Dinkollari tregon se në vendin tonë janë shtuar shumë rastet e vajzave që kanë pasur edhe djegie të lëkurës vetëm nga përdorimi i këtyre produkteve ngaqë nuk kanë ditur si ti përdorin, i kanë përdorur pa kriter, kanë filluar të kenë akne, irritime, e kanë bërë lëkurën shumë sensitive nga dielli, shumë të skuqur, kanë pasur alergji dhe shumë probleme të tjera.

Produktet e keqpërdorura e bëjnë lëkurën shumë të ndjeshme ndaj diellit dhe në momentin që lëkura është shumë e ndjeshme, rrezatohesh më keq.

Ndërkohë, përveç problemeve që shfaqen, dermatologia tregon se më pas duhet më shumë kohë të rikthesh lëkurën në gjendje të mirë duke qene se është ngarkuar për një kohë të gjatë me produkte të pa nevojshme ose jo efektive për lëkurën.

Dinkollari thotë se ky fenomen është çështje kulture pasi sido të jetë, lekët i harxhojnë për të blerë një produkt që shohin në rrjetet sociale dhe më pas harxhojnë akoma më shumë para për të trajtuar problemin e pastaj për t’i kthyer lëkurës normalitetin.

Vorbullës së keqinformimit në rrjetet sociale për kujdesin e lëkurës nuk i kanë shpëtuar as meshkujt shqiptarë...

“Ka edhe raste meshkujsh. Jo aq sa femrat por janë shtuar edhe meshkujt që kanë pasur probleme me lëkurën për shkak të produkteve që janë reklamuar në rrjetet sociale dhe më pas kanë kërkuar ndihmë”, përfundon Dinkollari.

Në Pinterest, ka mijëra postime që detajojnë se si mund të bëni vetë kremin tuaj natyral të diellit duke përdorur përbërës të tillë si gjalpi shea, vaji i kokosit dhe vaji esencial i karotës. Recetat shpesh përfshijnë edhe produkte me përqendrim të lartë të oksid zinkut, sipas hulumtimit të botuar në revistën Health Communication. Një studim anketoi një numër recetash në Pinterest dhe shumica ofruan mbrojtje të pamjaftueshme UV për të mbrojtur lëkurën nga djegia nga dielli dhe rritja e rrezikut të kancerit të lëkurës. Studiuesit arritën në përfundimin se vetëm një nga nëntë blogerët dhanë në fakt informacion të saktë dhe të besueshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë