Kosova

Pas sulmit në Banjskë, Kosova kërkon ndryshim të prioriteteve në dialogun me Serbinë

Nga Gazeta 'Si'-Sulmi i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit ka ndryshuar prioritete dhe kërkesat e Qeverisë së Kosovës në dialogun me Serbinë.

Pas këtij sulmi, prioritetet e Kosovës janë ndryshuar duke përqendruar vëmendjen te siguria dhe sanksionet ndaj Serbisë, ndërsa Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të kalojë në fushën e ndikimit të SHBA-së, siç ka thënë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Por, debatet për Asociacionin kanë ndarë opinionin në vend. Ndërkaq, ministra e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka insistuar që prioritet duhet të jenë sanksionet ndaj Serbisë, gjersa kritika ka shprehur edhe ndaj BE-së për mënyrën e ndërmjetësimit

Sulmi terrorist ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vrarë një polic, i ka ndryshuar prioritetet e Qeverisë së Kosovës.

Para vazhdimit të dialogut me Serbinë dhe themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe(AKS), nga ekzekutivi kanë thënë se nuk mund të ketë vëmendje për aq kohë sa mungon siguria dhe sanksionet ndaj palës tjetër në dialog.

Pra, prioritet është garantimi i sigurisë brenda territorit të Kosovës dhe sanksionet ndaj Serbisë.

“Topi” për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë do të duhej të kalonte në fushën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës – së paku sipas presidentes së Kosovës, Vjosa Omani.

Në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës(RTK), Osmani ka thënë se Marrëveshja drejt normalizimit të raporteve – që Kosova dhe Serbia arritën më herët gjatë vitit – nuk “është perfekte” për Kosovën, por është obligim ndërkombëtar.

Ajo ka thënë se ende ka dyshime se si mund të zbatohen në praktikë disa pjesë të saj, duke përmendur nenin 7 dhe 10. Neni 7 flet për sigurimin e një niveli të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb, në përputhje me marrëveshjet e arritura më parë në kuadër të dialogut. Ndërkaq, neni tjetër kërkon që palët të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog, përfshirë atë për Asociacionin.

“Mendoj që zgjidhja është si vijon: Ne duhet të ulemi me SHBA-në, të përgatisim draftin tonë, draftin e Republikës së Kosovës. Fillimisht [vetëm me SHBA-në], unë mendoj se kështu është zgjidhja, të ulemi me partnerët tanë në SHBA, të prezantojmë para sekretarit amerikan të Shtetit [Antony Blinken] draftin tonë, i cili është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, në përputhje me letrën [e ish-shefes së diplomacisë së BE-së, Federica] Mogherinit që garanton se nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe në përputhje me qëndrimin e shkruar amerikan në opinionin [e shkruar] nga [këshilltari i lartë i DASH-it, Derek] Chollet dhe [i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel] Escobar që sqarojnë që një trup i tillë do të jetë një trup koordinues, pa kompetenca ekzekutive”, ka thënë Osmani.

Në anën tjetër kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla, ka thënë se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe me Serbinë “ka vdekur” pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

“Të them të drejtën pas të dielës çdo bisedë për Asociacionin më duket e tepërt se pas te dielës nuk kanë kuptim. Asociacioni ka vdekur për ne dhe ndërkombëtarët. Të koordinojmë punën e komunave në veri të Kosovës është dallim tjetër. Janë katër parime; të mos shkelë sovranitetin, Kushtetutën, të mos dëmtojë dhe të jenë koordinues”, ka thënë Gërvalla.

Në anën e kryediplomatës kosovare qëndron edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu duke shprehur qëndrimin e saj nëse duhet të vazhdojë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pas sulmit terrorist në veri të Kosovës më 24 shtator.

Ajo ka theksuar se pas këtij sulmi, diskutimet për vazhdimin e dialogut janë të paarsyeshme, duke argumentuar se kërkesat për vazhdimin e dialogut nuk duhet të kishin qenë një prioritet para këtij sulmi terrorist.

Ministrja Haxhiu ka thënë se është e rëndësishme që pas sulmit terrorist në Kosovë, përqendrimi duhet të jetë në kërkesat për sanksione ndaj Serbisë.

“Diskutimet për Asociacionin sidomos pas 24 shtatorit janë absurde për mua. Kryeministri e ka adresuar edhe në konferencën për media edhe në takimin e fundit në Bruksel ku Kurti kishte shkuar me një plan të sekuencimit në anën tjetër ishte përballur me njëanshmërinë e ndërmjetësuesve dhe natyrisht me qasjen destruktive të [Presidentit të Serbisë, Aleksandar] Vuçiqit. Nuk do të ketë Asociacion dhe sidomos pas 24 shtatorit, diskutimet për Asociacionin mendoj që i shkojnë për shtati Serbisë dhe jo Republikës së Kosovës”, ka deklaruar ministrja Haxhiu.

“Unë mendoj që diskutimet për vazhdimin e dialogut pas 24 shtatorit janë komplet të paarsyeshme, kërkesat që ai të vazhdoj unë mendoj që nuk është dashur të na vinin. Për faktin që gjithçka para 24 shtatorit ka mundur të jetë ndrysh, ne e kemi ditur kush është Serbia, e kemi thënë në vazhdimësi atë, mirëpo pas 24 shtatorit ku kemi pasur sulm terrorist në territorin tonë ku është vrarë një polic, i gjithë fokusi jonë duhet të vendoset tek kërkesa për sanksione ndaj Serbisë, dhe kjo kërkesë i shkon partnerëve tanë, vendeve mike, vendeve që e kanë mbështetur Republikën e Kosovës, sikurse vendet e BE-së, SHBA-ja, që janë partnerët tanë strategjik”, ka deklaruar ajo.

Në tjetrën anë, në një përgjigje për Portalin Dukagjini, njohësi i politikës, Gurakuç Kuçi ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti “e ka pranuar Asociacionin” pasi që nuk ka mundësi tjetër nga bashkësia ndërkombëtare.

“Albin Kurti është duke e vendos Vjosa Osmanin tashmë për me e pranua atë të cilën e ka pranuar vetë në Bruksel dhe në Ohër, sepse e ka pa që nuk ka mundësi tjetër nga bashkësia ndërkombëtare, përveç se zbatimin e Asociacionit por vetëm u ka lënë hapësirë sidomos SHBA-ja që Kosova për Asociacionin të ofrojë një plan apo draft-status”, ka thënë Kuçi.

Sipas tij, presidentes Osmani i është kërkuar në takime bilaterale që kjo të zbatohet, “ndoshta i është dhënë ndonjë premtim që nuk do të ketë një Asociacion me kompetenca ekzekutive dhe në këtë mënyrë e ka marrë dritën e gjelbër që Kosova të vazhdojë më tutje përveç tjerash në atë takim i është bërë me dije që patjetër edhe Kosova ta zbatojë atë. Përveç garancave i është bërë edhe presion, të dyja mund të themi që kanë shkuar në të njëjtën kohë”, ka thënë Kuçi.

Sipas tij, SHBA-ja ka shfaqur interesin e tyre për të ndihmuar në arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë, dhe kjo është një mundësi e çmuar që Kosova duhet ta shfrytëzojë dhe si përfundim, Kosova nuk duhet të humbasë momentin e tanishëm për dialog me Serbinë.

Gjithashtu, analisti Arbnor Sadiku në një përgjigje për Portalin Dukagjini rreth kësaj tematike është shpreh se presidentja e vendit, Vjosa Osmani e ka kuptuar mesazhin e faktorit ndërkombëtar.

“Vjosa Osmani e ka kuptuar mesazhin e bashkësisë ndërkombëtare dhe ideja është që Kosova ka dy zgjidhje në tavolinë, e para është që të krijojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe të pranohet në shumicën e organizatave ndërkombëtare; dhe e dyta e kundërta e kësaj, ta refuzojë Asociacionin dhe të shndërrohet në një konflikt të ngrirë e ngjashëm me Qipron dhe Palestinën”, ka thënë Sadiku.

Tutje ai ka theksuar se beson “që pas aktit të fundit terrorist të Serbisë mbi Kosovën, Kurti do ta pranojë më lehtë Asociacionin dhe do ta shes më mirë tek votuesit e Vetëvendosjes”.

Ndryshe, për Asociacionin, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje në vitin 2013 – në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve – por ajo nuk është zbatuar kurrë.

Në vitin 2015, palët janë pajtuar për parimet e tij, por, po atë vit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se një pjesë e madhe e tyre janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Në Serbi insistojnë në kompetenca të gjera për Asociacionin, ndërsa në Kosovë thonë se të tillat do ta rrezikonin funksionalitetin e shtetit.

Së voni, bashkësia ndërkombëtare ka rritur trysninë mbi Kosovën, duke i kërkuar që të mos vonohet më me formimin e Asociacionit.

Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka kritikuar ndërmjetësuesit evropianë të bisedimeve për anshmëri dhe ka thënë se Kosova nuk do të pranojë kushte për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, pa u zyrtarizuar njohja de facto e Kosovës nga Serbia.

Gjithashtu, përkundër faktit që autoritetet e Kosovës kanë publikuar dëshmi për përfshirjen e Serbisë në sulmin e Banjskës, në të cilin është vrarë një polic, ndërkombëtarët nuk kanë vënë sanksione ndaj saj dhe kanë kërkuar që dialogu të vazhdojë./ Marrë nga Zëri


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë