Kosova

NATO do të zvogëlojë praninë në Kosovë: Situata e sigurisë është e qëndrueshme

Nga Gazeta ‘Si’- Gjenerali i Forcave Ajrore amerikane, Alexus G. Grynkewich, tha se NATO gradualisht do të përshtatë forcën për mbështetjen e misionit të saj paqeruajtës në Kosovë, KFOR, gjatë vitit të ardhshëm, për shkak të përmirësimit të situatës së sigurisë në vend.

“NATO dhe KFOR-i janë të përkushtuar për sigurinë në Kosovë”, tha komandanti Grynkewich përmes një njoftimi më 12 qershor.

“Është ky angazhim që ka çuar në rritjen e stabilitetit, teksa organizatat e sigurisë në Kosovë janë bërë më të afta. Kushtet aktuale ofrojnë mundësi për të optimizuar madhësinë dhe pozicionimin e KFOR-it”, shtoi ai.

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë është vendosur më 1999 në vend.

KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe Misionit për Sundim të Ligjit të Bashkimit Europian, EULEX. Ky mision paqeruajtës po ashtu ka përgjegjësinë e sigurisë përgjatë kufirit të Kosovës me Serbinë.

Në njoftimin e NATO-s – që vjen në përvjetorin e 27-të të hyrjes së trupave të saj në Kosovë, pas fushatës ajrore të aleancës mbi caqet serbe u tha se situata e sigurisë ka vazhduar që të përmirësohet në vitet e fundit. Për këtë arsye, në janar NATO-ja ndaloi dislokimin e forcave rezervë në KFOR pas pothuajse dy vjetësh të rotacionit të vazhdueshëm.

“Teksa situata e sigurisë në Kosovë mbetet përgjithësisht stabile, NATO do të optimizojë praninë e KFOR-it dhe gradualisht do të përshtatë forcën e tij aktuale gjatë vitit të ardhshëm”, u tha në njoftimin e aleancës ushtarake perëndimore.

Ndryshimet do të ndodhin gradualisht në përputhje me kushtet në terren dhe ato mund të zhbëhen, nëse është e nevojshme, tha NATO.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë