Analize

Paradoksi bullgaro-maqedonas dhe ‘Propozimi Francez’

Vota në parlamentin bullgar për heqjen e vetos për nisjen e negociatave për Maqedoninë e Veriut nuk është pritur me aq entuziazëm në Shkup se sa në Tiranë. Arsyeja është e thjeshtë: propozimi francez.

I votuar me 170 vota pro dhe 37 kundër, mbështetja e këtij propozimi kaloi me shumë zhurmë në parlamentin bullgar. Kundërshtarët e quajtën shumicën që votoi si ‘tradhtare’ dhe se kjo ditë do të mbahet mend gjatë në historinë e vendit si ‘dita e tradhtarëve’.

Por, deputetët që votuan pro, përfshirë këtu edhe ata të opozitës së udhëhequr nga ish-Kryeministri Boyko Borissov thanë se pranimi i propozimit nuk është heqje dorë nga kërkesat e Bullgarisë në adresë të Shkupit.

Dy janë kërkesat, që në Shkup konsiderohen të papranueshme. E para ka të bëjë me gjuhën. Për Sofjen, maqedonasit flasin dialekt të bullgarishtes, ndërsa për Shkupin gjuha e tyre është “maqedonishtja”.

Kërkesa e dytë lidhet me minoritetet. Bullgaria kërkon që minoriteti i saj në Maqedoninë e Veriut të njihet në Kushtetutë, ashtu si shqiptarët që përbëjnë mbi 25 për qind të popullsisë, pavarësisht se në censusin e fundit vetëm 0.2 për qind e kanë identifikuar veten me kombësi bullgare.

Propozimi francez nuk ofron zgjidhje për këto përplasje, por ofron shtyrjen në kohë të zgjidhjes së tyre. Sipas këtij propozimi, Shkupi duhet të konfirmojë para OKB-së se nuk ka pretendimet territoriale ndaj Bullgarisë, se do të përfshijë pakicën bullgare në Kushtetutë, se do të rehabilitojë viktimat nga komunizmi jugosllav, reprezaljet në territorin e saj për shkak të përkatësisë së tyre etnike bullgare dhe harmonizimin e teksteve shkollore në përputhje me punën e komisioneve të historisë. Sa për përplasjen për gjuhën, Franca propozon që kjo të zgjidhet në një moment të dytë.

Por, as gjuha dhe as vendosja në Kushtetutë e minoritetit bullgar nuk gëzon mbështetje në Shkup, ose më saktë ka shkaktuar reagime që kërcënojnë edhe vetë qeverinë aktuale. “Në këtë formë që është, ky propozim për ne është i papranueshëm”, deklaronte Kryeministri maqedonas para nisjes së takimit të samitit BE-Ballkani Perëndimor.

Nën presionin e opozitës dhe me propozimin francez të miratuar në këtë formë nga Bullgaria, qeveria e Maqedonisë së Veriut mund të zgjedhë që të mos pranojë të përfshihet në negociata me këto terma. Duke e ditur këtë, pas votës në parlament Kryeministri bullgar, Kiril Petkov i bëri thirrje homologut maqedonas, Dimitar Kovaçevski që të tregonte guxim e ta pranonte propozimin francez.

Por, në vendimmarrjen e Shkupit mund të ketë ndikim edhe fakti që vetë procesi i negociatave nuk është një fushë me lule, madje është i ‘kërcënuar’ vazhdimisht mbi kokë me veton bullgare

“Me këtë vendim Bullgaria nuk heq veton, por e përforcon veton”, tha Hristo Ivanov nga partia e Boyko Borissov. Me këtë deklarata ai iu referua negociatave për 35 kapitujt, ku secili vend anëtar ka të drejtë vetojë. Një kapitull negociues nuk hapet dhe as mbyllet pa dakordësinë e plotë të 27 vendeve anëtare të BE-së.

Bullgaria ishte vendi i parë që njohu pavarësinë e Maqedonisë së Veriut, kur u shkëput nga Jugosllavia në vitin 1991. Por, 3 dekada më vonë, Sofja ka bllokuar dhunshëm ambiciet e Shkupit për anëtarësim në BE.

Çdo qëndrim tjetër më i butë në Bullgari ndaj Maqedonisë së Veriut gjen pak, ose aspak mbështetje. Prova për këtë është qeveria e Kiril Petkov. Ky i fundit erdhi në pushtet më 13 dhjetor 2021 me një qasje më miqësore ndaj Shkupit. Por, pikërisht kjo qasje ishte njëra nga arsyet se përse partia ITN u largua nga koalicioni në fillim të këtij muaji në një vendim që rrëzoi qeverinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë