Mendim

Paqe dhe tregti: Iluzioni i madh

Nga Paul Krugman* - Më 12 prill 1861, në SHBA nisi lufta civile. Lufta qe katastrofike për Jugun, që humbi 1/5 e moshës së re.

Por pse lëvizja secioniste besonte se mund të kishte fitore?

Një nga arsyet ishte se ata besonin se posedonin një armë shumë të fuqishme ekonomike. Ekonomia e Britanisë, fuqia kryesore e botës në atë kohë, ishte plotësisht e varur nga pambuku dhe ata mendonin se ndërprerja e furnizimit do ta detyronte Britaninë të ndërhynte në mbështetje të Konfederatës.

Në të vërtetë, Lufta Civile fillimisht krijoi “urinë e pambukut” që la të papunë mijëra britanikë. Në fund, sigurisht, Britania qëndroi neutrale, pjesërisht sepse punëtorët britanikë e cilësuan Luftën Civile si një kryqëzatë morale kundër skllavërisë dhe u mblodhën në kauzën e Bashkimit pavarësisht vuajtjeve të tyre.

Pse po flasim sërish për këtë histori?

Sepse është me rëndësi dhe ka lidhje me pushtimin rus të Ukrainës. Është mjaft e qartë se Vladimir Putin e dinte se do të kishte mbështetjen e Europës, dhe veçanërisht të Gjermanisë, për sa i përket furnizimit me gaz natyror, në të njëjtën mënyrë që pronarët e skllevërve e panë mbështetjen e Britanisë tek “King Cotton”: një formë e varësisë ekonomike që do t’i detyronte këto kombe të plotësonin ambiciet e tij ushtarake.

Dhe ai nuk ishte plotësisht i gabuar. Gjatë javës së shkuar, unë kritikova Gjermaninë për hezitimin e saj për sakrifica ekonomike në mbrojtje të Ukrainës.

Britania dhe Shtetet e Bashkuara  dërguan menjëherë armë vdekjeprurëse, duke përfshirë qindra raketa antitank që ishin kaq vendimtare në zmbrapsjen e sulmit të Rusisë ndaj Kievit.

Ndërsa Gjermania mezi dërgoi 5.000 helmeta në Ukrainë. Nëse mendoni se po përpiqem të ul Gjermaninë në mënyrë që të mbrojë më shumë demokracinë, atëherë keni të drejtë. Por unë po përpiqem gjithashtu të krijoj një lidhje më të ngushtë midis globalizmit dhe luftës, e cila nuk është aq e thjeshtë sa shumica kanë menduar.

Elitat perëndimore kanë besuar se tregtia do të ndikojë pozitivisht te paqja, dhe anasjelltas. Liberalizimi i  tregtisë në Amerikë, i cili filloi edhe para Luftës së Dytë Botërore, ishte  pjesërisht një projekt politik: Cordell Hull, sekretari i shtetit i Franklin Roosevelt, besonte fuqishëm se tarifat më të ulëta dhe rritja e tregtisë ndërkombëtare do të ndihmonin në vendosjen e themeleve për paqen.

Bashkimi Europian, gjithashtu, ishte një projekt ekonomik dhe politik. Origjina e tij qëndron në Komunitetin Europian të Qymyrit dhe Çelikut, i themeluar në vitin 1952 me qëllimin e qartë për ta bërë industrinë franceze dhe gjermane aq të ndërvarur për të shmangur një luftë tjetër europiane.

Dhe rrënjët e cenueshmërisë aktuale të Gjermanisë na bëjnë të kthehemi pas në vitet 1960, kur qeveria e Gjermanisë Perëndimore filloi të ndiqte Ostpolitik – “politikën lindore”  duke kërkuar të normalizojë marrëdhëniet, duke përfshirë marrëdhëniet ekonomike, me Bashkimin Sovjetik, me shpresën se integrimi në rritje me Perëndimin do të forconte shoqërinë civile dhe do ta çonte Lindjen drejt demokracisë.

Gjermania filloi të importojë gazin rus në 1973.

Pra, a promovon tregtia, paqen dhe lirinë?

Sigurisht që edhe mund të ndodhë në disa raste. Megjithatë, në raste të tjera, udhëheqësit autoritarë të shqetësuar më shumë për pushtetin sesa për prosperitetin mund ta shohin integrimin ekonomik me kombet e tjera si një qasje negative, duke supozuar se demokracitë me politika të ashpra financiare në regjimet e tyre do të mbyllin një sy ndaj abuzimeve të pushtetit.

Nuk po flas vetëm për Rusinë. Bashkimi Europian ka qenë i bashkuar për vite ndërsa Viktor Orban i Hungarisë ka shpërbërë sistematikisht demokracinë liberale. Kjo pikë e dobët mund të shihet qartë në investimet e mëdha në Hungari që kanë bërë kompanitë europiane dhe veçanërisht gjermane, duke pasur parasysh uljen e kostove.

Por ka një pikëpyetje më të madhe: Kina.

A e sheh Xi Jinping integrimin e ngushtë të Kinës me ekonominë botërore si një arsye për të shmangur politikat aventureske,  siç është pushtimi i Tajvanit apo si një arsye për dobësuar Perëndimin? Askush nuk e di.

Tani, unë nuk po sugjeroj një rikthim te proteksionizmi. Unë po sugjeroj që shqetësimet e sigurisë kombëtare në lidhje me tregtinë, janë shqetësime reale, jo versionet e rreme si thirrja e Trump për sigurinë kombëtare për të vendosur tarifa ndaj aluminit kanadez.

Megjithatë, kombet që zbatojnë ligjin duhet të tregojnë se nuk do të pengohen nga mbrojtja e lirisë. Autokratët mund të besojnë se ekspozimi financiar ndaj regjimeve të tyre autoritare do t’i bëjë demokracitë të kenë frikë të mbrojnë vlerat e tyre. Ne duhet t’i vërtetojmë atyre që e kanë gabim.

Dhe kjo në praktikë do të thotë se Europa duhet të ndërmarrë veprime të shpejta për të ndërprerë importet e naftës dhe gazit rus dhe se Perëndimi duhet të furnizojë Ukrainën me armët që i nevojiten, jo vetëm për të ndaluar Putinin por edhe për një fitore të sigurt.

Pesha është shumë më e madhe se vetëm Ukraina.

Burimi: New York Times/ përshtati: Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë