Art dhe Kulture

Pandemia që prek librin – Panairet këtë vit bëhen online

Lajpcig, Frankfurt, Berlin,  Paris, Londër, Bolonjë, Torino, Gjenevë Pragë,  Pekin, Hong Kong, Seul, Teheran, Aleksandri, Abu Dabi, Kebek, Bogota, Rio, Budapest, Buenos Aires, Guadalahara, Varshavë, Nju Jork, Moskë, Goteborg, Helsinki, Kopenhagë, Krakov, Stamboll, Antuerp, Selanik, Sarajevë, Prishtinë, Tiranë...Panairet e Librave bien një nga një, duke u shtyrë në afate të pacaktuara apo edhe më keq, duke u anuluar.

Nisur nga tabloja globale, por edhe masat e përforcuara lokale në vjeshtë për shkak të pandemisë, lajmi se edicioni i 23-të i Panairit të Librit nuk do të mbahej fizikisht, nuk erdhi për habi as të vetë botuesve.I planifikuar për t’u mbajtur  më 12 deri më 15 nëntor, në mjediset e  Pallatit të Kongreseve, si çdo vit,  Shoqata e Botuesve Shqiptarë njoftoi dje se përgjigja e Ministrisë së Shëndetësisë kishte qenë negative, për shkak të “rrezikshmërisë së lartë në përhapjen e Covid-19 gjatë këtij aktiviteti, në situatën në të cilën ndodhemi”.

Vetëm pak ditë më parë, kreu i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri në një intervistë televizive shpresonte tek një përgjigje pozitive nga autoritetet, ndërsa botuesit kishin marrë masat dhe ishin përgatitur për ta realizuar edicionin e 23-të.

“Ne presim që Nëntori të jetë i librit të vërtetë, ecejakeve në Pallatin e Kongreseve ku të gjithë të vijnë për të zgjedhur libra. Këtë vit për shumë arsye lexuesit pyesin se kur do të bëhet dhe se si do të mbahet.  Kemi organizuar një sërë masash për të përballuar këtë situatë që shkojnë krahas gjithë asaj që këshillohet nga specialistët, kemi zvogëluar sipërfaqet e tendave, kemi zgjeruar sipërfaqet e përbashkëta, shumë aktivitete në salla të mbyllura nuk do të bëhen”, zbulonte Ymeri, ndërsa shtonte se ishin shmangur edhe vizitat kolektive – kryesisht të nxënësve të shkollave dhe mos rekomandimi i frekuentimit të ditëve të panairit nga moshat më të rrezikuara nga koronavirusi.

Jo vetëm një pikëtakimi mes autorëve dhe lexuesve  apo edhe një nga ngjarjet ku botuesit kanë mundësi të arkëtojnë, në një treg të brishtë si ai shqiptar ku sipas statistikave mbi 1 milionë shqiptarë të rritur deklaronin se nuk kishin lexuar asnjë libër, Panairi i Librit është një festë e vërtetë që mbledh në çadrën e tij dhjetëra veprimtari kulturore dhe mbi 100 shtëpi botuese, edhe nga Kosova, Mali i Zi e Maqedonia, që marrin pjesë çdo vit.

“Duke pasur parasysh situatën që po kalojmë, zhvillimi i Panairit të Librit brenda Pallatit të Kongreseve, si çdo vit, do të ishte i pamundur.  Rreziku i kontaminimit i madh, për një mjedis të paajrosur si ai”, rrëfen për Gazeta Si, Irena Toçi, botuesja e “Toena”.

Sipas saj, dy qëllimet kryesore të panairit si  promovimi i botimeve të reja dhe shitja, nuk mund të përmbusheshin për sa kohë “do të zbatonim rregullat e distancimit, të një dendurie të vogël vizitorësh, mosorganizimin e aktiviteteve promovuese nëpër stenda”.

Panairi i 22 i Librit. Nga e majta: botuesja Irena Toçi, Rexhep Qosja, Paskal Milo dhe Dorian Koçi

Toçi e sheh si lajm të trishtueshëm anulimin e festës së librit për këtë vit. “E gjithë ajo energji pozitive që kjo veprimtari e bukur dhe kuptimplotë krijonte në një javë dhe e gjithë jehona që pasonte në ditët në vazhdim, do të na mungojë shumë si ne ashtu edhe lexuesve të shumtë”, vijon ajo, duke zbuluar se Panairi i Librit është më i vizituari ndër të gjithë llojet e panaireve që zhvillohen në kryeqytet.

Sipas Toçit, botuesit po  mendojnë sesi do të mund të intensifikonin punën e tyre promovuese me mjete të tjera, pa kontakt fizik me lexuesit.

“Gjatë këtyre ditëve po ndjekim me shumë interes Panairin Ndërkombëtar të Librit në Frankfurt, që po zhvillohet online, falë një organizimi të shkëlqyer të grupit organizator të këtij Panairi. Por, ky është një panair që i ka vënë vetes dhe përmbush qëllime të tjera”, shprehet Irena Toçi, ndërsa organizatorët e  Panairit të Librit në Frankfurt anuluan aktivitetin fizik, duke e kthyer atë virtual, siç po organizohen edhe veprimtari të përmasave globale si Asambleja e Përgjithshme e OKB-së,  që këtë vit shënonte 75 vjetorin e themelimit.

Nga marsi, kur thuajse e gjithë bota pas Kinës nisën të marrin masat e izolimit, u anuluan një sërë panairesh, nga ato të ushqimit e deri tek automobilat. Edhe javët e modës në Paris, Londër a Nju Jork, për sezonin vjeshtë-dimër 2020 u organizuan online.  

Poeti Xhevahir Spahiu dhe shkrimtari Fatos Kongoli

Duke parë shembullin e Frankfurtit, Toçi thotë se platforma e tyre online shërben për organizimin e konferencave që lidhen me zhvillimet e kohës në fushën e botimeve, risitë, analizat për situatën aktuale dhe zgjidhje për të ardhmen, si edhe  siguron takime online midis agjencive dhe botuesve të interesuar për të blerë të drejta botimi. “Mendoj edhe për ne është një përvojë e mirë, për të parë si do të lëvizim në fushën tonë. Ajo që kuptoj është që inercia nuk duhet të na mbajë në vend numëro. Dhe besoj se shumë shpejt, botuesit shqiptarë, ashtu siç kanë qenë gjatë 30 viteve të fundit, në avangardë në raport me shumë e shumë biznese të tjera, do të gjejnë zgjidhje dhe aktivitete alternative”, shton Toçi, duke pohuar se shitjet gjatë këtij viti kanë qenë më të pakta dhe mungesa e Panairit do të jetë një goditje tjetër për vazhdimësinë, “por jemi ende në kohë për të menduar zgjidhje alternative pa u mbyllur ky vit kështu trishtueshëm”, thotë ajo, duke përfunduar se nuk do të dorëzohen pa bërë betejat e duhura.

Sipas Mariana Ymerit nga shtëpia botuese “Dituria” , nevoja për ide të reja në këtë pikë është e ngutshme.“Panairi i Librit është ngjarja kryesore kulturore, për nivelin e lartë të promovimit të librit dhe leximit. Në këto kushte, nevoja për ide të reja për promovimin e leximit dhe të librit, bëhet çdo ditë e më e ngutshme. Duhen organizuar fushata kombëtare,  ku të  përfshihen sidomos dhe në  radhë të parë nxënësit e shkollave, për te nxitur e rritur dashurinë për librin”, shkruante Ymeri në Facebook.

Shkrimtari Ismail Kadare, në promovimin e librit "Kur sunduesit grinden", nëntor 2018.

Eksperimentimi i parë me panairin virtual e pati Fieri, i cili e organizoi të gjashtin edicion të Panairit të Librit online. Në një editorial në gazetën kulturore-letrare, botuesi i “Onufri” Bujar Hudhri e sheh të pakuptimtë  organizimin e një formati online të Panairit të Librit.

“Ç’kuptim ka një panair ku mungojnë stendat e botuesve, mungon atmosfera magjike që krijohet nga blerësit e librave, promovimet, takimet e shkrimtarëve me lexuesit etj.”, shkruante ai, ndërsa kishte dëshmuar vetë nga Panairi i Librit në Fier, se pretendimi për të mbrojtur lexuesin bie poshtë, për sa kohë që rrugët, restorantet, baret, qendrat tregtare, tregu i gjelbër dhe ai industrial, gumëzhijnë nga njerëzit. Megjithatë prej ditës së enjte, qeveria ka marrë vendimin përmes një akti normativ që maskat të mbahen edhe në mjediset e hapura.

Në stendën e botimeve "Onufri", Panairi i 22-të i Librit, nëntor 2019.

Me shqetësimin se përvoja e organizimit të një panairi online, do të aplikohej edhe për atë të Tiranës – ku ende nuk ka  një lajm konkret për këtë nga Shoqata e Botuesve – Hudhri e krahason shndërrimin virtual të ngjarjes së rëndësishme të librit si “një dasmë ku mungon edhe nusja edhe dhëndri”.

Dhe ashtu siç i druhej Hudhri, një ditë pas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë për të mos lejuar organizimin e aktivitetit, Shoqata e Botuesve pas një mbledhjeje mori sot vendimin ta organizojë  një edicion special, kryesisht online, për shkak të pandemisë.

“Ky Panair do të karakterizohet nga një bashkëpunim i gjerë i botuesve shqiptarë. Gjatë ditëve të tij, botues, shkrimtarë, poetë, përkthyes, lexues dhe njerëz të kulturës do të takohen për diskutime librash, prezantime titujsh të rinj, por edhe tryeza debatesh, në live stream, ose në mjedise fizike, duke respektuar të gjitha kushtet e sigurisë”, thuhej në njoftimin e Shoqatës së Botuesve, duke zbuluar se tashmë ka nisur puna për organizimin e Panairit të Librit Online.

Albert Gjoka, nga platforma online “Bukinist”, thotë për Gazeta Si se do të organizohet edhe një tjetër panair online, që vjen për të tretin vit si alternativë e atij tradicionalit. “Ne e kemi bërë për tre  vite me radhë  panairin e librit ne shtëpinë e lexuesit,ku kemi pasur të gjithë librat e rinj, ofertat, informacionet dhe dhuratat që  kemi dhënë”, thotë Gjoka, duke shtuar se ai organizohet bashkë me ata botues që duan të japin oferta për lexuesit.“Shumë  lexues e kanë të pamundur të vijnë në Tiranë  dhe në këtë mënyrë ata marrin të gjithë ofertat dhe shërbimet, që mund të ofrojë një panair libri”, vijon ai, ndërsa muaji i organizimit është nëntori.

Për muaj me radhë, qytetarët mund të kishin akses tek libri vetëm përmes platformave online, pasi bashkë me bibliotekat, të mbyllura ishin edhe libraritë si shumë biznese të tjera.

Me panairet me tradita të gjata e pjesëmarrje të madhe si ai i Londrës me 25 mijë botues, ai i Pekinit me 2600 ekspozitorë dhe ai i Frankfurtit ku botuesit vijnë nga më shumë se 40 shtete, duket se veprimtaritë fizike do ia lënë vendin së ardhmes online.

“Kemi humbur shumë njerëz”, “Kemi humbur shumë njerëz”, do të shprehej presidentit dhe CEO-s së Panairit të Frankfurtit, Joergen Boos, ndërsa   ngjarja ishte parashikuar të mbahej nga 14 deri më 18 tetor, por sfida e botuesve, përtej formave të organizimit të panairëve, është të gjejnë lexuesin përmes kanaleve jo më tradicionale./S.B


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë