Taksa

Qeveria t’i ndihmojë bizneset duke lehtësuar mënyrën e pagesës së tvsh-së

Nga Meri Lika* - Një nga problemet që të vetëpunësuarit, sidomos profesionet e lira, po vuajnë për shkak të krizës aktuale është vështirësia në mbledhjen e faturave, vonesat e pagesave që janë në rritje çdo ditë. Shumë klientë nuk kanë likuiditet të mjaftueshëm për të paguar të gjitha faturat e tyre në kohë, megjithëse ka edhe të tjerë që bëhen paragjykues të qëllimshëm dhe vonojnë pagesat e tyre, duke përfituar nga situata.

Cilado qoftë arsyeja, e vërteta është se mijëra profesionist të lirë të vetëpunësuar nuk kanë mbledhur ende faturat e lëshuara përgjatë tremujorit të parë të vitit 2020, por megjithatë duhet të paguajnë tarifat e TVSH-së në ato fatura. Në Shqipëri ligji i detyron bizneset që të llogarisin dhe paguajnë TVSH-në brenda datës 14 të muajit pasardhës pasi është kryer shërbimi ose dorëzuar malli.

Nuk ka kuptim që biznesi i vogël duhet të paguajë TVSH-në pa mbledhur faturat, sidomos në këto kushte.

Pra shitësi është i detyruar të paguajë TVSh-në e faturave të lëshuara brenda periudhës përkatëse, pavarësisht nga momenti i mbledhjes së tyre dhe madje edhe nëse ato nuk i mbledh kurrë.

Në vendet e tjera europiane si Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe Franca, të vetëpunësuarit që duhet të mbledhin faturat e tyre në 30 ose 60 ditë mund të përdorin një sistem të quajtur Cash Accounting Scheme, që do të thotë se ata do të duhet të paguajnë TVSH-në vetëm atëherë, kur realisht të kenë marrë pagesën e faturës.

Asnjë nga paketat e qeverisë për Covid-19 nuk ka parashikuar shtyrje të pagesës së TVSH-së, madje as me disa muaj. Pra në kushtet e impaktit ekonomik që ka dhënë pandemia dhe izolimi, të vetëpunësuarit duhet të paguajnë nga të ardhurat e tyre të cunguara, shpesh nga kursimet e tyre, TVSH-në e faturave që nuk i kanë arkëtuar, madje dhe të atyre për të cilat nuk janë të sigurt në do t’i arkëtojnë ndonjëherë. Gjithashtu ligji i përjashton të vetëpunësuarit persona fizikë nga trajtimi që iu bëhet shoqërive me përgjegjësi të kufizuar për t’iu drejtuar gjykatave dhe trajtimit të faturave të tyre si titull ekzekutiv por, sipas ligjit personat fizikë duhet të kalojnë kalvarët e gjatë të gjykatave në mënyrë që të arrijnë të arkëtojnë të ardhurat e tyre për të cilat ata e kanë paguar TVSH-në nga paratë e tyre.
Jo vetëm kaq, por blerësi i shërbimit apo mallit, pra debitori, e rimburson TVSH-në e faturuar nga shitësi person fizik (profesion i lirë ose jo), TVSH të cilën ky debitor nuk e ka paguar.

Një biznes i vogël me TVSH ose një profesionist i lirë, kur realizon një shitje, i kalon faturën klientit të tij dhe, pas një pritjeje të gjatë dhe një kohe të lodhshme duke kërkuar pagesën e punës së tij, kupton se nuk do ketë asnjë pagesë për të. Fatkeqësisht, kjo situatë shpesh ka arritur deri në pikën që të kërcënojë seriozisht qëndrueshmërinë e shumë bizneseve në Shqipëri.

Që pagesat e vonuara nga bizneset joserioze është një plagë ekonomike, nuk është sekret. Por ajo që shumë njerëz nuk e dinë është se ofruesi i shërbimit jo vetëm nuk arkëton paratë për punën e bërë nga klienti, por duhet edhe të paguajë TVSH-në, madje edhe tatimfitimin për faturat e paarkëtuara. Për profesionistët e lirë, për bizneset apo shoqëritë e vogla kjo është një barrë e madhe.

Mund ta shpjegoj me një shembull të thjeshtë, në mënyrë që të gjithë të kuptojmë se çfarë ndodh në të vërtetë: një profesionist realizon një punë për një shoqëri në janar dhe i faturon atij punën që ka bërë p.sh me një shumë 1.200 euro (TVSH e përfshirë në këtë shumë). Brenda datë 14 shkurt ky profesionist duhet të deklarojë dhe të paguajë TVSH-në, pra për këtë faturë, profesionisti duhet të paguajë në tatime TVSH-në, e cila është 20% e vlerës pra për faturën në fjalë duhet të paguajë 200 euro. Rezultati i punës që ai ka bërë tek ky klient në janar është 0 (zero) të ardhura, madje të ardhurat e krijuara te klientët e tjerë ulen me -200 euro, të cilat i janë paguar shtetit për TVSH-në e kësaj fature. Absurditeti më i madh ndodh me klientin, i cili jo vetëm që nuk ka denjuar të paguajë faturën e profesionistit por, madje e rimburson TVSH-në e kësaj fature, të cilën as që ka ndërmend ta paguajë.

A nuk është koha që, përfundimisht, të rregullojmë legjislacionin për të krijuar një situatë më të drejtë për të vetëpunësuarit dhe profesionet e lira, të cilët janë gjithmonë hallka më e dobët? Unë propozoj që të vendoset investimi i tatimpaguesit për likuidimin e TVSH-së në faturat e papaguara. Një masë e thjeshtë për t’u kryer dhe për të cilën vetëm disa ndryshime do të duhej të bëheshin në ligj, ose qoftë edhe një Akt Normativ. Me këto ndryshime në ligj ose me Aktin Normativ, do të ishte debitori që do të paguante TVSH drejtpërdrejt në Thesar për faturat, të cilat ai nuk i ka paguar akoma dhe kjo do ta lironte kreditorin e tij nga ai detyrim. Tatimet sipas këtij regullimi në ligj, do të duhet ta kërkonin TVSH-në drejtpërdrejt nga debitori, pasi është ai që e ka burimin për të, dhe përveç kësaj, ky i fundit (pra debitori) nuk mund të zbresë TVSH-në nga faturat që nuk i ka paguar dhe për më tepër dhe ta rimbursojë atë.

Ky mekanizëm i ri i investimit mbikëqyrës të personit të tatueshëm mund të jetë një lehtësim i rëndësishëm për arkat e varfëruara të sipërmarrësve të vegjël dhe profesionistëve të vetëpunësuar, dhe padyshim që është një masë e lehtë legjislative për t’u kryer nëse ka vullnet politik për ta bërë këtë. Do të mjaftonte që Këshilli i Ministrave të aprovojë një Akt Normativ, për Tatimin e Vlerës së Shtuar (TVSH-në). Kjo mund të jetë një masë që mund të përfshihet në paketën e tretë të rimëkëmbjes së ekonomisë, duke mos i detyruar të vetëpunësuarit të marrin kredi për të paguar TVSH-në.

Në Shqipëri në bazë të të dhënave të INSTAT, NVM-të (Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme) përbëjnë 99.8% të ndërmarrjeve aktive si në vijim:

  • 99,8 % të ndërmarrjeve aktive e zënë NVM-të.
  • 79,8 % e të punësuarve janë punësuar nga NVM-të.
  • 77,4 % të shitjeve neto realizohen nga NVM-të.
  • 70,6 % të investimeve në vend kryhen nga NVM-të.

nisur nga këto të dhëna, edhe rimëkëmbja e ekonomisë pas pandemisë do të varet po nga këto biznese. Unë mendoj dhe gjykoj se qeveria duhet patjetër të përfshijë edhe ndihmën që duhet t’iu japë këtyre bizneseve në lidhje me TVSH-në e faturave të papaguara në Paketën 3 të rimëkëmbjes.

A do të jetë e gatshme qeveria të marr një masë të tillë dhe a do të jenë të gatshme Tatimet për të ndihmuar të vetëpunësuarit dhe profesionistët e lirë ashtu si pohojnë vazhdimisht?

*Meri Lika është Audit Ligjor


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë