Taksa

Sëkëlldia e përjashtimit të biznesit të vogël nga taksat

Vendimi i  Kryeministrit Edi Rama një mbërmje më parë për heqjen e tatimmfitimit dhe mundësinë e heqjes së TVSH-së për biznesin e vogël, ka trazuar më tej ujërat e mendimit në qasjen e ekspertëve ndaj modelit aktual qeverisës.

Të gjithë janë pro mbështetjes së biznesit, veçanërisht të atyre sektorëve që janë goditur më shumë që prej tërmetit të 26 nëntorit 2019 e mandej prej pandemisë Covid-19, por godasin mekanizmat që ka gjetur qeveria.

Ish-zv.Ministrja e Financave Irena Beqiraj e konsideron lëvizjen më të fundit të kryeministrit Rama si një Teori Sëkëlldisëse sepse “si mund të premtosh falje taksash në një vend që nuk paguan taksa”. Thelbi i taksave, argumenton ajo, është te edukimi i solidaritetit për t’u zhvilluar shoqëria dhe ekonomia e përbashkët.

Irena Beqiraj

“Unë kam më shumë dhe paguaj për ty që ke pak apo nuk ke fare që të ndërtohen më shumë shkolla, spitale, etj", tha ajo.

Pyetjes a përfiton biznesi i vogël duke mos paguar taksa Beqiraj shpjegon se është njësoj si të pyesim a përfitoi mësuesi duke mos u përfshirë në rastin e dhunimit të të miturës?

"Po përfitoi rrogën. Edhe një taksapagues mund të përfitojë duke mos u taksuar, por a do të jetë shkolla, spitali, rruga ku ecim më e sigurtë? Kam bindjen që jo…", thotë Beqiraj.

Beqiraj shpjegon se kjo qasje e trondit moralin e pagimit të taksave por tregon edhe mungesë qëndrueshmërie në vendimmarrje. Ky është rasti i TVSh-së

“Kemi një model lidershipi që ushqen interesat personale” – thotë  Beqiraj.

Dy vite më parë qeveria me kryeneçësi futi në TVSH të gjithë bizneset me qarkullim mbi 2 mln lekë, edhe pse të gjithë ishin kundër.

FMN do të argumentonte në atë kohë se përfshirja e biznesit të vogël në TVSH do ta penalizonte biznesin, do të ulte produktivitetin e biznesit për shkak se do të merrej me procedura zvarritëse të pagimit dhe rimbursimit, do të rriste informalitetin, do të ulte eficencën dhe do të rriste koston kundrejt përftimit në buxhet .

Koha i dha të drejtë FMN-së. Në 2019-n, sipas të dhënave zyrtare të Minsitrisë së Financave, të ardhurat nga TVSH e brendshme ranë me 18.1% me bazë vjetore.

Prandaj  thotë Beqiraj, ka shumë mënyra për të mbështetur dhe ndihmuar biznesin duke ruajtur moralin e pagimit të taksave dhe qendrueshmërinë në vendimmarjje, duke e subvecionuar atë pasi i ka shlyer të gjitha detyrimet, përshembull e përjashton nga sigurimet shoqërore për çdo vend të ri pune të çelur.

Në të njëjtën linjë mendimi është edhe eksperti në fushën e taksave, pedagog në Fakultetin e Ekonomisë, Sherif Bundo. Ai është kundër nismës së heqjes së tatimfitimit dhe TVSH-së për biznesin e vogël, por sugjeron mbështetjen e sektorëve më të goditur si nga tërmeti, ashtu edhe nga pandemia.

Sherif Bundo, pedagog UT

“Kjo është një nismë që të lë një shije krejt elektorale. Pse për 10 vite, jo për 2, a 11? Nuk e gjykoj në atributet e një qeverie vendimmarrjen për kohëzgjatjen e një vendimi.  Unë mendoj dhe sugjeroj që për sektorët e goditur rëndë që me COVID-19 pësuan goditjen e dytë si turizmi, restorantet, baret, transporti, t’u hiqet TVSH për 2020 dhe gjysmën e parë të 2021.  Turizmi 6% e ka TVSH dhe nuk ka arkëtuar. Nuk pret fitime. Nëse ia heq TVSH-në, nxit uljen e çmimeve dhe rritjen e konsumit duke shprehur solidaritet në fatkeqësinë e përbashkët. Biznesi i vogël TVSH 0 është një  politikë e pamenduar mirë.”- sqaron Bundo.

Elvin Meka, Dekan i fakultetit Ekonomik në Universitetin Europian të Tiranës, lajmin e kreut të qeverisë e konsideron si një lëvizje të fortë në momentet aktuale që po kalon ekonomia, por edhe më tej. Por, afati kohor, mendon ai, duhet parë disi me rezervë, pasi kapërcen dy  mandate të plota qeveritare dhe në kushtet kur në Shqipëri nuk ka pasur asnjëherë qëndrueshmëri më shumë sesa 1 vit në politika fiskale, ky diapazon kohor duket të jetë shumë i guximshëm.

Elvin Meka, Dekan Fakulteti Ekonomik, UET

“Nga ana tjetër, duhet të kihet parasysh se Qeverisë do t’i duhet të mendojë në vijim për një zëvendësues të të ardhurave të munguara nga ky tatim, pavarësisht rolit modest që luan ai në totalin e të ardhurave. Në këtë kontekst, në mënyrë të pashmangshme do synohet shpërndarja e kësaj të ardhur të munguar në taksat dhe tatimet indirekte (akciza, etj.), të cilët si përgjatë këtyre 30 viteve kanë qenë kompensueset natyrale të lëvizjeve dhe mungesave të evidentuara në llojet e tjera të tatimeve dhe taksave, që ose janë zeruar, ose nuk janë mbledhur, ose nuk janë realizuar. Ne kushte të tilla nuk do të përbëjë lajm nëse në vijim do kemi rritje të disa akcizave, ose futje të taksave që lidhen kryesisht me pronën dhe mjedisin, të cilat do të amortizojnë lëvizjet dhe ndryshimet që do të bëhen në vijim në kuadër të politikës fiskale.”- shpjegon Meka për gazetën “Si”.

Për sa i përket mesazhit që kjo lëvizje jep në publik, duhet theksuar, gjykon Meka, se ajo nuk do të favorizojë shkuarjen drejt një modeli ekonomik, pasi një politikë e tillë fiskale natyralisht nxit një model minimalist dhe mbijetese biznesi (bar-kafe lagjesh, sufllaqe & qofte, parukeri, floktore, mini-markete, riparim-shërbime, etj.), që karakterizohen nga produktivitet i ulët, që nuk kërkon kapitale të mëdha, fuqi të kualifikuar punëtore, arsimim cilësor, duke bërë që ekonomia dhe shoqëria të vijojë të zvarritet e pa krijuar vlerë të shtuar n nivel makro, por jo të vrapojë drejt zhvillimit dhe progresit.

“ Politika fiskale duhet t’i shërbejë rritjes së mirëqenies dhe jo mbijetesës biologjike të publikut dhe shoqërisë.”- thotë Meka.

Gjergj Buxhuku i Konfindustrisë i konsideron këto vendime si populiste të mirëfillta.

Dhe si pasojë, shpjegon Buxhuku, do jetë shtimi i mundësive për rritje informaliteti dhe shthurrje sistemi, subjektivizëm dhe korrupsion.

Gjergj Buxhuku, Konfindustria

“Nuk ka biznes të madh dhe të vogël mbështeur në qarkullim vjetor si nocion. Ka vetëm biznes. E vetmja mundësi që të jesh i drejtë dhe produktiv është të bësh ndarje mbështetur në masën e fitimit.”- thotë ai.

Klodian Muço, pedagog ekonomie  tek “Zoja e Këshillit të mirë” është optimist për përfitimin e biznesit të vogël, por edhe të ekonomisë. Ai mendon se përjashtimi nga taskat, do të rrisë formalitetin në ekonomi sepse biznesi do të jetë i çliruar dhe nuk do të ketë arsye pse të mos deklarojë.

“Irlanda, Anglia, TVSH-në  e biznesit të vogël e kanë zero sepse kërkon kosto për burime njerëzore në kontroll dhe kohë. Përjashtimi është avantazh për bizneisn e vogël, do nxisë formalitetin, do ndikojë në të ardhura”- thotë Muço.

Por Enri Jahaj, kreu I Shoqatës së Bar Restoranteve shprehet optimist për këtë nismë të qeverisë sepse mendon që do rrisë formalitetin.

“Bar restorantet jashte qyteteve nuk deklarojnë. Mendoj që kjo do të sjellë benefite si për biznesin dhe për shtetin duke rritur formalitetin. Por mendoj që duhet bërë për të gjithë bizneset që të ketë barazi”- shprehet ai.

Sipas të dhënave zyrtare nga tatimet, janë rreth 32.5 mijë subjekte të vogla që janë të përfshirë në skemën e TVSH-së, të cilët nëse miratohet ky vendim do të dalin nga skema.

Sipas të dhënave zyrtare më shumë se 50%  bizneseve të përfshira në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar janë biznes I vogël por nuk ka informacion se sa përqind të TVSH-së paguhet nga kjo kategori.

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë